PËRSHKRIMI I DUNJAS NË KURAN DHE HADITHE
-Allahu thotë: “Ta dini, se jeta në këtë botë, nuk është tjetër veçse lojë, dëfrim e zbukurim, si dhe mburrje ndërmjet jush e rivalitet për më shumë pasuri dhe fëmijë! Ajo i shëmbëllen bimës, e cila pas shiut rritet dhe i gëzon bujqit, por më vonë zverdhet, thahet dhe mbetet pa vlerë. Në botën tjetër ju presin vuajtje të mëdha ose falja e Allahut dhe kënaqësia e Tij; jeta në këtë botë është vetëm kënaqësi e rreme.” Hadid 20. “lojë”-me të cilën angazhohet njeriu, e angazhon forcën, kohën e trupin e tij. “dëfrim”- që huton njeriun dhe zemrën e tij duke e larguar prej qëllimit për të cilin është krijuar. “zbukurim”- në rroba, në mjetin e udhëtimit, banesën ku jeton etj. “mburrje”- ndaj të tjerëve. “rivalitet”- në shtim të pasurisë dhe fëmijëve për t’ua kaluar të tjerëve. Pastaj sjell një shembull/krahasim shumë madhështor duke na treguar gjendjen e kësaj bote dhe se sa do të zgjasin bukuritë e saj.
-Allahu thotë: “Me të vërtetë, jeta e kësaj bote i shëmbëllen shiut që Ne e lëshojmë nga qielli e me të përzihet toka dhe bën bimë, me të cilat ushqehen njerëzit dhe kafshët. E, kur Toka vishet dhe zbukurohet dhe, kur banorët e saj mendojnë se janë zotërues të saj (për ta vjelur a korrur), iu vjen urdhri ynë, natën ose ditën dhe Ne e bëjmë atë si të ishte e korrur, thuajse nuk kishte lulëzuar të djeshmen. Kështu, Ne ua shpjegojmë shpalljet Tona njerëzve që mendojnë.” Junus 24. Së pari tregon për bukurinë e kësaj bote, pastaj tregon se a do të zgjasë përherë kjo gjendje. Dikur do të përfundojë sikur të mos kishte qenë dje. Ai që merr mësim prej këtyre shembujve janë ata që mendojnë thellë, që meditojnë mbi to.
-Allahu thotë: “Jepu atyre shembullin e jetës së kësaj bote: ajo është si uji që Ne e lëshojmë nga qielli; bimësia në tokë përzihet me të, por pastaj bëhet si bar i thatë të cilin e shpërndan era. Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë!” Kehf 45.
-Allahu thotë: “Ditën, kur të përjetojnë atë që u është premtuar, atyre do t’u duket se kanë qëndruar (në Tokë) vetëm një çast të ditës. Kjo është shpallje e qartë. E kush do të shkatërrohet tjetër, përveç popullit të pabindur!?” Ahkaf 35. Njeriu duhet të dijë se jeta dhe vitet që kalon në jetën e kësaj bote, do t’i duken një moment i shkurtër, atëherë si të mashtrohet pas saj e të lejojë që ajo t’ia pushtojë zemrën?!
-Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Vërtet, kjo botë është e mallkuar dhe çdo që është në të është e mallkuar, përveç dhikrit të Allahut dhe gjërave të kësaj natyre, si dhe dijetarët dhe ai që mëson tek ai.” Tirmidhiu.
-Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ajo që më së shumti frikësohem për ju është kur do të fillojnë të ju hapen bukuritë e stolitë e kësaj jete.” Buhariu dhe Muslimi.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim – Derset “Poezi për zuhdin”.