Përulja në namaz

Përulja në namaz

Përulja gjatë faljes së namazit është prej veprave të zemrës, e cila ka pozitë shumë të lartë në fenë e Allahut. Domethënia e përuljes gjatë namazit: Zemra jote të qëndrojë me përulje e nënshtrim para Allahut, e drejtuar komplet kah Ai.

Kur besimtari qëndron para Allahut në këtë mënyrë duke kujtuar madhështinë e Tij, se Ai është para tij dhe dëgjon atë që thotë, atëherë zemra e tij do të thyhet para Tij prej dashurisë dhe madhërimit që ka ndaj Tij. Kështu afrohet me Allahun dhe Ai afrohet me të. Ky lartësim i shpirtit dhe ky afrim me Allahun është në varësi të përuljes gjatë namazit. Në këtë mënyrë arrin të forcojë lidhjen me Allahun, të shijojë ëmbëlsinë e namazit dhe të hyjë në portat e xhenetit të kësaj bote para se të hyjë në xhenetin e botës tjetër.

Përulja është shpirti dhe jeta e namazit. Namazi pa përulje është si një trup pa shpirt.

Rëndësia e përuljes gjatë faljes së namazit na sqarohet përmes këtyre pikave:

»Përulja gjatë namazit është rrugë për shpëtimin në botën tjetër. Allahu thotë: “Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulur në namazin e tyre…” Muminun 1-2.

» Përulja gjatë namazit është shkak për faljen e mëkateve. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk ka ndonjë musliman i cili e fal namazin farz (kur të hyjë koha e tij), së pari duke marrë abdesin në mënyrën më të mirë, pastaj duke qenë i përulur gjatë faljes dhe duke plotësuar rukunë e shtyllat e namazit, veçse ky namaz do të bëhet shlyerës i mëkateve të tij të kaluara (të vogla).”

» Përulja gjatë namazit është shkak për forcimin e besimtarit kur goditet me sprova, fitne e fatkeqësi të ndryshme. Allahu thotë: “Kërkoni ndihmën e Allahut me durim e me namaz! Kjo është njëmend e vështirë, përveçse për të devotshmit, që janë të bindur se do të takojnë Zotin e tyre dhe se do të kthehen tek Ai.” Bekare 45-46.

» Për aq sa besimtari është i përulur e i vëmendshëm në namaz, për aq ka shpërblim. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Njeriu del prej namazit të tij dhe i shkruhet vetëm një e dhjeta si shpërblim, apo një e nënta, apo një e teta, apo një e shtata, apo një e gjashta, apo një e pesta, apo një e katërta, apo një e treta, apo një e dyta, apo gjysma.”

» Për aq sa besimtari është i përulur gjatë namazit, aq do të përjetojë kënaqësinë e tij dhe qetësinë e zemrës. Allahu thotë: “Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!” Rad 28. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem I ka thënë Bilalit: “Ngrihu të thërrasësh ezanin dhe na qetëso me namaz!” Dhe: “Mua më është bërë kënaqësia e syve (shpirtit dhe zemrës) në namaz.”

» Për aq sa besimtari është i përulur gjatë namazit, aq do të ketë ndikim që të ndalet prej mëkateve dhe të shëmtuarave. Allahu thotë: “Vërtet që namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar…” Ankebut 45.

Shembuj të përuljes në namaz

Transmetohet nga Abdullah ibën Shekiri radijAllahu anhu: “E kam parë Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem duke u falur një ditë dhe prej gjoksit të tij dëgjohej një gumëzhimë siç bën tenxherja kur vlon, kjo për shkak të së qarës gjatë faljes.”

Aisha radijAllahu anha ka treguar: “Kur Pejgamberit salallahu alejhi ue selem iu vështirësua sëmundja (prej së cilës ka vdekur) i thanë që të dilte t’iu printe njerëzve në namaz, por ai tha: “Urdhëroni Ebu Bekrin t’ua falë njerëzve namazin (të bëhet imam)!” Vërtet Ebu Bekri është njeri i butë, kur lexon Kuran fillon të qajë.”

Alkame ibën ebi Vekasi ka treguar: “Umeri radijAllahu anhu lexonte në namazin e Jacisë suren Jusuf. Unë kam qenë në safat e fundit dhe e kam dëgjuar të qarën e tij (gjatë këndimit të historisë së Jusufit).”

Urve bin Zubejri ka thënë: “E kam pyetur gjyshen time (Esman) se si ka qenë gjendja e sahabëve brenda namazit kur kanë dëgjuar Kuran dhe jashtë tij, dhe ajo ka thënë: “Sytë e tyre kanë rrjedhë lot dhe lëkurat e tyre janë rrëqethur.”

Kjo ka qenë përulja që ka pasur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe shokët e tij gjatë namazit. Këtë rrugë e kanë vazhduar edhe gjenerata pas tyre.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Madhësia e tekstit