Qetësia dhe nevoja për të
Pikëllimet, shqetësimet, frikërat, vështirësitë, stresi dhe pagjumësia, janë simptoma (dhe problematika) të cilat kanë goditur shumë njerëz në ditët e sotshme. Realisht ato janë paralajmërues ndaj një rreziku apo dëmtimi që mund ta godasë besimtarin. Këto gjëra copëtojnë zemrën e njeriut dhe sjellin rezultat dobësinë tek ai. Ato do ta pengojnë nga kryerja e veprave të mira. Njëkohësisht shpërfaqin një krisje të madhe dhe hendek të gjerë në raportin mes njeriut dhe Allahut. Megjithatë, në këto sëmundje e problematika (që përmendëm) shfaqet nevoja e njeriut për Allahun, në mënyrë që zemrës së tij t’i kthehet qetësia pasi ka qenë e trazuar dhe e shqetësuar dhe që shpirtit të tij t’i kthehet prehja dhe siguria pasi ka qenë i frikësuar e në mëdyshje. Allahu thotë: “Është Ai, që zbriti qetësi në zemrat e besimtarëve, për t’ua forcuar besimin, krahas besimit që patën.” Fet’h 4.
Njeriu, në jetën e kësaj bote, ka nevojë për qetësinë dhe prehjen e zemrës, kjo ngase ai do të kalojë nëpër gjëra të cilat e shqetësojnë, e trazojnë, e brengosin, si: sprova, fatkeqësi, probleme, pengesa, fjalosje etj. Madje, në ndonjë periudhë të jetës ka ndjesinë se ka mbetur i vetëm.
Siç e dimë, Allahu jetën e kësaj bote e ka bërë vend në të cilin njeriu sprovohet dhe kalon nëpër prova të ndryshme. Ajo është e mbushur me gëzime dhe pikëllime dhe të gjithë njerëzit janë të sprovuar me ndonjë gjë. I tillë është realiteti i kësaj bote. Sprovat, fitnet dhe tronditjet, kanë mundësi t’iu shfaqin zemrave sikurse një furtunë, para së cilës nuk qëndron i paluhatshëm veçse ai të cilin Allahu e forcon dhe e ndihmon. Allahu tregon për njeriun: “Vërtet që njeriu është krijuar i paqëndrueshëm: kur atë e godet e keqja, ai ligështohet fort, por, kur i bie e mira, ai bëhet koprrac.” Mearixh 19-21. Porse, është një grup i vogël të cilët gjatë sprovave janë të qetë, të qëndrueshëm dhe nuk zemërohen me Kaderin e Allahut dhe të cilët nuk i humbasin kurrë shpresat tek Ai. Këta janë ata të cilëve Allahu u ka dhënë sekineh – qetësi.
Qetësia është kur shpirti dhe zemra e njeriut gjen prehje e stabilitet gjatë sprovave e fatkeqësive. Sado që frikërat janë të shumta, sado që ekzistojnë shkaqet e shqetësimit dhe trazimit, sado që humbet gjëra të dunjasë, sado që përjeton vuajtje e dhimbje, qetësia nuk largohet prej tij.
Dhe pse këta njerëz janë të qetë dhe të qëndrueshëm në jetën e tyre?
Qetësia dhe qëndrueshmëria janë gjëra të cilat Allahu ia jep besimtarëve, në gjendje frikësimi apo shqetësimi.
Ai njeri të cilit Allahu i ka dhënë qetësi dhe qëndrueshmëri, nuk shqetësohet e nuk trazohet çfarëdo që t’i ndodhë. Atij i shtohet besimi dhe bindja, i forcohet qëndrueshmëria dhe mendimet e tij do të jenë të sakta.
Dhe kur flasim se cili është shkaku për qetësi e qëndrueshmëri, këtë na shpjegon më së miri dijetari Es Sadi (Allahu e mëshiroftë!) i cili ka thënë: “Qetësia është mirësia e plotë të cilën Allahu ia dhuron robit të Tij, në situata të vështira me të cilat ballafaqohet, apo në situata frike, kur edhe mendja humbet. Si ta meritojë njeriu këtë mirësi – qetësinë? Qetësia i mundësohet varësisht sesa ai e njeh Allahun dhe sa ka besim e bindje në premtimin e Allahut. Qetësia është ushtri nga ushtritë e Allahut, përmes të cilës i ka forcuar dhe ndihmuar Pejgamberët e Tij dhe u ka dhënë fitore të dashurve të Tij. Andaj shohim se si Pejgamberi ynë salallahu alejhi ue selem edhe në situatat më të vështira ka pasur qetësi dhe qëndrueshmëri. Allahu na tregon për të: “…kur ishin në shpellë e ai i thoshte shokut të vet (Ebu Bekrit): “Mos u mërzit, se Allahu është vërtet me ne!” Atëherë, Allahu zbriti qetësinë e Vet mbi të, e ndihmoi me një ushtri të padukshme (engjëjsh)…” Teube 40.”
Ata që meritojnë qetësinë në zemrat e tyre janë ithtarët e Kuranit (e jo ata që kanë hipokrizi, apo mëdyshje, apo që ia kanë kthyer shpinën etj.).
Qetësia është një dhuratë hyjnore, të cilën Allahu ia jep kujt të dojë, por gjithashtu është një gjë që mund të përfitohet me ndihmën e Tij. Dhe qetësia përfitohet kur njeriu ushtron (trajnon) veten e tij të mos nxitojë, por që t’i marrë gjërat me maturi e të tregohet i duruar. Umeri radijAllahu anhu ka thënë: “Mësojeni dijen! Dhe prej dijes mësojeni qetësinë (sekine) dhe monxitimin – maturinë (hilm)!”
Rastet kur konfirmohet stolisja me qetësi
∞ Gjatë shkuarjes për në xhami – të ecësh me qetësi.
∞ Gjatë faljes së namazit.
∞ Gjatë bërjes së haxhit.
∞ Gjatë ecjes në rrugë në mesin e njerëzve.
Ndarja e njerëzve në bazë të qetësisë
Pastaj, sa i përket njerëzve në përgjithësi, në arritjen e qetësisë dhe stolisjes me të, ndahen në dy kategori:
∞ Ata të cilët ndihen të qetë me jetën e kësaj bote, ndjejnë rehati dhe janë të kënaqur: me pasurinë, me kënaqësitë, me pushtetin që kanë etj. Allahu thotë për ta: “Sigurisht, ata që nuk shpresojnë se do të takohen me Ne, që janë të kënaqur me jetën e kësaj bote, duke gjetur prehjen në të dhe që janë të pavëmendshëm ndaj shenjave Tona, do të kenë si vendstrehim zjarrin, për atë që kanë bërë.” Junus 7-8. Kur u merret ndonjë gjë nga jeta e kësaj bote, zemrat e tyre shqetësohen dhe trazohen dhe nuk ndjejnë rehati e qetësi. Këta konsiderohen prej atyre që nuk kanë ndihmë dhe përkrahje nga Allahu, sepse Ai e ka bërë ligj që çdokënd i cili e lidh zemrën për diçka përveç Atij, Ai e lë nën kujdesin e asaj gjëje, dhe çdo gjë përveç Allahut është një mirazh mashtrues.
∞ Atë të cilët besojnë Allahun dhe zemrat e të cilëve janë të mbushura me dashuri ndaj Tij. Këta janë të mbuluar me qetësi. Gjithnjë janë të qetë. Atëherë kur njerëzit frikësohen, nga ana tjetër, ata ndihen të qetë. Janë të duruar gjatë varfërisë, sëmundjes dhe ballafaqimit me armikun. Nuk i shqetëson ndryshimi i situatave, ngritja e çmimeve dhe afrimi i afatit të vdekjes sepse janë të bindur në atë që Allahu ka premtuar dhe në atë se Ai është me të dashurit e Tij. Ata janë të qetë me Allahun, i mbështeten vetëm Atij dhe besojnë në premtimin e Tij, andaj si shpërblim u zbret qetësia në zemrat e tyre (gjatë sprovave). Ata janë të qetë ndaj varfërisë sepse e dinë se Allahu është Furnizuesi, i Gjalli, i Përhershmi, mbajtësi i gjithçkaje, Ai i Cili nuk harron dhe Ai të Cilit nuk i ikën asgjë. Ata janë të qetë ndaj tiranisë dhe padrejtësisë së udhëheqësit sepse e dinë se Allahu është Ai i Cili rregullon çështjet e njerëzve, i jep pushtet kujt të dëshirojë dhe ia merr pushtetin kujt të dëshirojë, Ai jep dhe privon, Ai lartëson dikë dhe ulë dikë tjetër, Ai zgjeron furnizimin dhe e ngushton atë. Allahu thotë: “Thuaj: “Do të na godasë vetëm ajo që na ka caktuar Allahu; Ai është Mbrojtësi ynë dhe vetëm tek Allahu le të mbështeten besimtarët!” Teube 51.
Të tillët, kanë marrë për shembull dhe model të tyre Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem, i cili edhe në situatat më të vështira e më të rrezikshme ka qenë i qetë dhe i qëndrueshëm.
Nga situatat e vështira është dhe fatkeqësia e vdekjes së të dashurve. Kur zemrat e njerëzve të tjerë shqetësohen për humbjen e të dashurve të tyre, të tillët janë të qetë ngase e dinë se me vdekjen nuk përfundon çdo gjë, përkundrazi, Allahu ka bërë që shpirtrat e besimtarëve do të vendosen në zogj të cilët janë në Xhenet (dhe hanë prej një peme të Xhenetit), dhe ata e dinë se pas vdekjes vjen ringjallja dhe pastaj do të takohen me të dashurit e tyre.
Me rastin e vdekjes së Pejgamberit salallahu alejhi ue selem
Kur ai salAllahu aljehi ue selem ka vdekur, është errësuar Medina dhe janë trazuar shpirtrat e sahabëve. Ndokush prej tyre është hutuar, dikë e kanë lëshuar këmbët kur ka marrë lajmin e vdekjes, dikush nuk ka mundur as të flasë, e dikush as nuk e ka pranuar lajmin e vdekjes së tij. Kjo ka qenë gjendja e shumicës së sahabëve. Mirëpo, shoqëruesi i Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem ka ardhur prej shtëpisë së tij duke qenë i qetë dhe ka hyr në dhomën e Aishes radijallahu anha ku dhe ka qenë i shtrirë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem pasi ka dhënë shpirt, ndërkohë nuk i ka folur askujt. Pasi ka zbuluar fytyrën e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem dhe e ka puthur, ka thënë: “I bëfsha kurban për ty babanë dhe nënën time! Vërtet, Allahu nuk t’i bën bashkë dy vdekje.” Pastaj ka dalë të flasë para njerëzve dhe aty ka qenë Umeri duke iu thënë atyre se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem nuk ka vdekur dhe fjalë të tjera. Ebu Bekri nuk i ka folur Umerit në këtë rast, por ka filluar të mbajë një fjalim para njerëzve dhe ka thënë: “Çdokush që ka adhuruar Muhamedin, le ta dijë se ai ka vdekur. Ndërsa, çdokush që ka adhuruar Allahun, le ta dijë se Ai është i gjallë dhe nuk vdes kurrë. Allahu thotë: “Sigurisht që ti (o Muhamed) do të vdesësh një ditë e, sigurisht që edhe ata do të vdesin.” Zumer 30. Kjo ishte qetësia të cilën Allahu e ka zbritur te Ebu Bekri radijallahu anhu.
Ata të cilëve Allahu u ka dhuruar qetësi, kur zemrat e të tjerëve trazohen dhe shqetësohen për shkak të dyshimeve të kundërshtarëve të fesë dhe sunetit, ata janë të qetë me të vërtetën që ndjekin sepse besimi ka zënë vend thellë në zemrat e tyre, ngase është ai është një besim i bazuar mbi argumente.
Shkaqet kryesore të arritjes së qetësisë
◊ Teuhidi – Veçimi i Allahut me adhurim dhe besimi në kaderin e Allahut. Ky është shkaku kryesor dhe më i rëndësishmi. Allahu thotë: “Sa për ata që besojnë dhe nuk e molepsin besimin e tyre me padrejtësi (idhujtari), pikërisht atyre u takon siguria dhe ata janë të udhëzuar.” Enam 82. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka përmendur se prej shtyllave të besimit është edhe besimi në Kaderin e Allahut. Ata që nuk kanë teuhid, kur goditen nga frika apo nga diçka që i shqetëson, sheh se u luten krijesave (bëjnë shirk), disa bëjnë ndalesa (konsumojnë pije alkoolike, apo narkotike etj.), disa bëjnë vetëvrasje dhe të tjera, gjëra këto që shtojnë më shumë brengën dhe mjerimin, në këtë botë dhe tjetrën.
◊ Dija e dobishme (fetare) dhe shtimi i veprave të mira. Përmes këtyre të dyjave arrihet qetësia dhe stabiliteti i zemrës dhe prehja e shpirtit. Kështu ngase dija e dobishme udhëzon njeriun te mirësia, dobia dhe arritja e lumturisë në këtë botë dhe tjetrën, ndërsa veprat e mira e bëjnë të ketë një lidhje të fortë me Allahun (ta adhurojë Atë, t’i lutet). Ata që kanë dije fetare dhe vepra të mira janë të afërm të Allahut dhe Ai është afër tyre (me dijen, përkrahjen e ndihmën e Tij dhe me suksesin që ua jep). Ai thotë: “Vërtet, mëshira e Allahut është afër punëmirëve.” Araf 56. Dhe: “Vërtet, Allahu është me punëmirët!” Ankebut 69. Të tillët, konsiderohen që kanë ihsan – e përsosin adhurimin e tyre. Dhe kështu zemra do të arrijë qetësinë dhe shpirti do të arrijë prehjen. Ndërsa, ata që janë injorantë dhe veprojnë të këqija, janë larg Allahut. Ata janë njerëzit e së keqes. Andaj, nuk është e çuditshme që të goditen nga frika dhe që zemrat e tyre të mos kenë qetësi e stabilitet.
◊ Përkushtimi ndaj Kuranit. Ai është burim qetësie i cili kurrë nuk shteron. Kjo, nëse njeriu e lexon Kuranin me zemër të pranishme dhe me meditim. Në këtë mënyrë i ripërtërihet besimi dhe i zbret qetësia prej Allahut. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk ndodh që disa njerëz të tubohen në një prej shtëpive të Allahut (në xhami) ku e lexojnë Kuranin dhe e mësojnë atë, veçse mbi ta do të zbresë qetësia, do t’i mbulojë mëshira dhe engjëjt do t’i rrethojnë me krahët e tyre dhe Allahu do t’i përmendë tek engjëjt që janë afër Tij.” Muslimi
◊ Kthimi tek Allahu sinqerisht, sidomos gjatë vështirësive dhe sprovave. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem gjatë brengave e luste Allahun me këtë lutje:
لَا إِلَهَ إِلَّا اللَّهُ الْعَظِيمُ الْحَلِيمُ، لَا إِلَهَ إِلَّا اللَّهُ رَبُّ الْعَرْشِ الْعَظِيمِ، لَا إِلَهَ إِلَّا اللَّهُ رَبُّ السَّمَوَاتِ وَرَبُّ الْأَرْضِ وَرَبُّ الْعَرْشِ الْكَرِيمِ.
“Nuk ka të adhuruar tjetër meritor përveç Allahut, i Cili është madhështori dhe i Buti. Nuk ka të adhuruar tjetër meritor përveç Allahut, i Cili është Zoti i Arshit Madhështor. Nuk ka të adhuruar tjetër meritor përveç Allahut, i Cili është Zoti i qiejve, Zoti i tokës dhe Zoti i Arshit të nderuar.” Buhariu dhe Muslimi
◊ Përmendja e Allahut, gjatë ditës dhe natës, si: dhikri i mëngjesit dhe mbrëmjes, para dhe pas gjumit, para dhe pas ushqimit, para hyrjes dhe pas daljes nga tualeti, kur të hipë në mjetin e udhëzimit, gjatë namazit dhe pas tij etj. Sa më shumë të përmendësh Allahun, aq më shumë do të gjesh qetësi dhe prehje në zemrën tënde. Allahu thotë: “…ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!” Rad 28. Përmendja më e mirë e Allahut është kur bëhet me gjuhë dhe me zemër. Kjo mënyrë e dhikrit (kur bëhet bashkë gjuha dhe zemra) sjell qetësinë më të madhe.
◊ Bashkëshortja e devotshme. Allahu e ka bërë gruan të jetë qetësi për burrin e saj. Ai thotë: “Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre…” Rum 21. Dhe: “Është Ai që ju krijoi nga një njeri i vetëm (Ademit), prej të cilit krijoi edhe bashkëshorten e tij (Havanë), që të gjente qetësi tek ajo.” Araf 189. Ashtu siç njeriu qetësohet kur kthehet në shtëpinë e tij, pas një ditë të lodhshme, ashtu dhe gruaja është si një shtëpi apo strehë tek e cila kur burri të kthehet tek ajo, gjen qetësi dhe rehati prej dhimbjeve e lodhjeve të jetës. Allahu ka treguar se ndërmjet bashkëshortorëve ka vendosur: “dashuri dhe mëshirë”, Rum ajeti 21.
◊ Shoqëria e mirë besimtare. Shokët e mirë janë ata të cilët ta kujtojnë Allahun, botën tjetër dhe shpërblimet e Tij për durimin në sprova dhe për mirënjohjen ndaj Allahut në mirësi. Nga shkaqet pse njeriu përjeton ndëshkim të zemrës, brengë të shpirtit, shqetësim e trazim të jetës, është shoqëria e keqe, e cila e drejton kah gjërat që ia shkatërrojnë besimin dhe e orientojnë kah e keqja dhe kah gjërat që kanë pasoja në këtë botë dhe tjetrën. Andaj, pikërisht këtu na bëhet e qartë se sa e rëndësishme është të kesh shoqëri të mirë dhe sa e dobishme është për të në të dy botët, njëkohësisht dhe na sqarohet se sa e rrezikshme është shoqëria e keqe dhe sa të rënda do të jenë pasojat nga ajo.
◊ Ushqyerja nga pasuria e lejuar (hallall). Kjo ka shumë ndikim shumë të madh që zemra të gjejë qetësinë dhe prehjen. Realiteti është dëshmitari më i mirë për këtë. Arritja e qetësisë dhe lumturisë në këtë jetë nuk është fitimi i pasurisë së shumtë, por se sa e lejuar dhe e mirë është ajo pasuri. Ka njerëz të cilët janë shumë të pasur, dhe atë e kanë fituar me haram dhe e kanë përvetësuar në mënyrë të ndaluar, mirëpo nuk gjejnë qetësi në atë që posedojnë, përkundrazi, madje dhe shkojnë deri te vetëvrasja. Nga ana tjetër, ka nga njerëzit që kanë pasuri të paktë, të fituar në mënyra të lejuara, mirëpo janë njerëz që kanë kënaqësi, mendje të qetë dhe zemër të qëndrueshme.
Kur kjo jetë siç e dimë është duke vluar prej llojeve të fitneve të ndryshme, dhe njeriu ka nevojë të gjejë qetësinë e zemrës. Dhe ajo nuk mund të arrihet përveçse me këto shkaqe që sollëm më lartë. Prandaj, të tregohemi të kujdesshëm dhe të mundohemi të veprojmë këto shkaqe përmes të cilave me lejen e Allahut zgjerohet kraharori ynë, qetësohen zemrat tona, gjejnë prehje shpirtrat tanë dhe jemi të qëndrueshëm në rrugën e Allahut.
Hoxhë Lulzim Perçuku
🎙Transkriptim

