Ramazani 2025 – Thënie të transkriptuara
Thënie nga derset e hoxhë Lulzim Perçuku
Përgatitja e iftarit- Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush i jep iftar një agjëruesi, e ka shpërblimin e tij, pa iu pakësuar asgjë.” Gratë muslimane e kanë një mundësi të artë për të fituar shumë shpërblime. Gruaja e merr shpërblimin e plotë të të gjithë anëtarëve të familjes të cilët hanë prej iftarit që ajo e ka përgatitur.
Nëse do i ngritë duart e nëse do nuk i ngritë, gjatë lutjes së kunutit (kur falesh me imam). Por, më e mira është t’i ngritësh. Prej rregullave të lutjes është ngritja e duarve dhe kjo është prej shkaqeve për pranimin e lutjes. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Allahu është i turpshëm dhe bujar. Atij i vjen turp që kur njeriu i ngritë duart (kur i lutet) t’ia kthejë boshë (të mos ia përmbushë lutjen).” Hadith.
Istigfari në kohën e syfyrit ka një pozitë të veçantë tek Allahu. Vepra më e mirë që mund ta bësh në kohën e syfyrit, është kërkimi i faljes – istigfari. P.sh.:
-Sejjidul istigfari.
-Estagfirullahe we etubu ilejhi.
-Allahume gfirli we etubu ilejhi etj.
Kjo është më mirë (në kohën e syfyrit) se të lexosh Kuran.
Nuk është obligim e as sunet të ndalemi te numri tek i hurmave në syfyr apo iftar. Mund të hash aq sa dëshiron (edhe nëse janë në numër çift). Ajo që është transmetuar, është ngrënia e hurmave në numër tek vetëm në ditën e Fitër Bajramit.
***
Thënie nga derset e hoxhës Gazmend Mehmeti
Agjërimi i fëmijëve nën moshën madhore: Është mirë t’i mësojmë fëmijët të agjërojnë, sidomos prej atëherë kur fëmija arrinë të kuptojë, kur e di se çfarë bën dhe ka mundësi ta bëjë nijet, duke ia shtuar edhe mundësinë e anës fizike që e ndihmon të agjërojë, e jo të dobësohet apo të sëmuret duke agjëruar, sepse qëllimi është ta mësosh. Nëse i vjen shumë vështirë, atëherë ka mundësi t’ia neveritë këtë gjë (i bën efekt të kundërt).
Ramazani shans që njeriu të shpëtojë: prej robërimit të epsheve të tij. Njeriu në të shumtën e rasteve është i prangosur prej epsheve e tekave të tij dhe nuk e lënë të veprojë drejtë e ashtu siç duhet. Agjërimi e liron prej kësaj robërie.
Besimtarët të cilët besojnë Allahun dhe synojnë realizimin e devotshmërisë me agjërim, janë ata që kanë kombinuar në zemrat e tyre besimin tek Allahu, bindjen se janë nën mbikëqyrjen e Tij, dashurinë, frikën dhe shpresën tek Ai dhe besimin në Ditën e Gjykimit.
Ramazani- shans që njeriu të shpëtojë: prej mëkateve. Mëkatet janë plagë në zemër dhe shkak për largimin prej mëshirës së Allahut. Shumë probleme që na ndodhin kanë shkak mëkatimin. Ramazani është shans që njeriu t’i lërë gjynahet dhe të pendohet prej mëkateve e të kërkojë falje.
Ramazani- shans që njeriu të shpëtojë: prej peshores së lehtë në Ditën e Gjykimit. Dhe njëra prej shkaqeve që e rëndojnë më së shumti Peshoren në atë Ditë është agjërimi. Për agjërimin ka thënë Allahu: “Unë shpërblej për të.” Shpërblimin e agjërimit e di vetëm Allahu.
Familja është e para, prioriteti, sidomos në Ramazan kur njerëzit afrohen rreth tryezës së iftarit dhe syfyrit dhe kur i mësojnë fëmijët të agjërojnë e i marrin në xhami. Kjo ngrohtësi dhe lidhje familjare duhet të jetë e pranishme gjatë këtij muaji.
Ramazani është muaj në të cilin njeriu duhet të pastrojë zemrën e tij prej zilisë dhe përçarjeve të raporteve me të tjerët.
Ramazani është shans i mirë të tolerojmë e të falim njëri-tjetrin.
Janë pak minuta që na ndajnë nga Ramazani- ky musafir i ndershëm. Njeriu është mes emocioneve e mërzisë që po ndahet prej këtij musafiri, por nga ana tjetër është i gëzuar që Allahu ia mundësoi ta presë atë dhe të bëjë adhurime. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Agjëruesi ka dy gëzime: njëri kur të bëjë iftar dhe tjetri kur të takohet me Allahun dhe me shpërblimin e Tij.”
***
Thënie nga derset e hoxhës Bajram Sefedini
Ky muaj, është një mundësi e madhe që njeriu të ndryshojë pozitivisht. Ramazani ofron mundësi të shumta që njeriu të ndryshojë në shumë aspekte:
-nga besimi i dobët drejt besimit të fortë,
-nga veset e liga drejt moraleve të larta,
-nga raportet e ftohta drejt forcimit të tyre etj.
Ky muaj përmban çaste kthimi dhe pendimi tek Allahu për të gjithë mëkatarët. Ditët në të, janë ditë udhëzimi për sa e sa njerëz të humbur të devijuar. Sa e sa njeriu është i pakujdesshëm ndaj përmendjes së Allahut dhe pikërisht Ramazani, me mirësitë e tij, bën që ata t’i kthehen përmendjes së Tij.
Nuk është qëllimi final i agjërimit vetëm largimi nga ushqimi, pirja dhe marrëdhëniet intime. Por agjërimi synon largimin prej punëve të këqija, veprimin e veprave të mira dhe ngritjen në aspektin shpirtëror dhe moral.
Arsyet pse njeriu duhet t’i përkushtohet Kuranit në Ramazan:
-Në Ramazan ka zbritur Kurani dhe ai njihet si muaji i Kuranit.
– Pasimi i traditës së Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem.
– Shpërblimet e mëdha për leximin e Kuranit (shpërblimi shumëfishohet). Një faqe Kurani = 5000 sevape. Një xhuz = 100.000. Një hatme = 3.000.000.
-Ndërmjetësimi i Kuranit në Ditën e Gjykimit.
– Ngritja në shkallë të Xhenetit.
Devotshmëria – Si qëllim dhe objektiv i agjërimit nuk nënkupton vetëm përmirësimin e raportit të njeriut me Allahun, por edhe përmirësimin e raporteve të njeriut me njerëzit e tjerë. Pjesë e përmirësimit të raportit me Allahun është edhe përmirësimi i raporteve mes njëri-tjetrit. Ramazani është një mundësi e madhe edhe në këtë aspekt (për të rregulluar raportet familjare-farefisnore).
Bashkëshortja, e cila përgatit ushqimin, përveç që e ka obligim ndaj burrit dhe fëmijëve që ta përgatisë atë dhe që kjo është një lloj përkujdesje ndaj tyre, le t’ia kujtojë vetes se është duke përgatitur iftar e syfyr, dhe kjo gjë ia shton shpërblimin.
Sa më shumë që kujton qëllimet për një vepër, shpërblimi shtohet.
Edhe ai që ka financuar për ushqimin (kryefamiljari) dhe ajo që e ka përgatitur atë (gruaja), kanë shpërblime për të.
Në iftar: Të gjithë ta ndihmojnë zonjën e shtëpisë të shtrojnë iftarin, në këtë të angazhohen edhe fëmijët. Ramazani është një rast që familja të afrohen më shumë. Fëmijët të afrohen të ndihmojnë në pjesën e shtrimit të iftarit e të jenë pjesë e organizimit.
Sot ishte xhumaja e fundit e këtij Ramazani. Këto ditë të Ramazanit të cilat Allahu i quan “ditë të numëruara“, ikën shpejt dhe me vete po marrin edhe atmosferën e bukur që na dhanë.
Sonte janë teravitë e fundit, namaz ky i cili na bashkoi për një muaj rresht në shtëpitë e Allahut (xhami), duke na dhuruar kënaqësi.
Ramazani na mëson se jeta nuk jetohet pa Allahun e Lartësuar dhe se nuk ka lumturi përveçse në rrugën e Tij.
Kodi i jetës së besimtarit është i fshehur te fjala e Allahut: “Dëgjuam dhe përgjigjemi!” Këtë na mëson Ramazani. Përderisa frymojmë, kështu duhet të ecë jeta jonë.
Ditët e numëruara të Ramazanit ngjasojnë me ditët e kësaj jete të cilat gjithashtu janë të numëruara. Ramazani na tregon se pas ditëve të tij të numëruara, siç festohet Bajrami ashtu besimtari do të festojë dhe do t’i gëzohet agjërimit të tij kur ta takojë Zotin e tij.
Kërkoje ndihmën e Allahut për të qëndruar në rrugën e Tij, në bindje dhe adhurime ndaj Tij. Në Ramazan (të cilin e kaluam) nuk ke mundur asnjë adhurim ta kryesh pa ndihmën e Allahut.
***
Thënie nga derset e hoxhës Jeton Bozhlani
Ramazani – Muaji më i mirë i vitit, muaji më i dashur për besimtarët, muaji të cilin mezi e presin besimtarët sepse në të shtohet mëshira e bamirësia e tyre dhe se ata e shijojnë agjërimin dhe namazin e teravive.
“Ju erdhi muaji Ramazan i cili është muaj i bereqetshëm!”- Hadith. “i bereqetshëm” – d.m.th. muaj i mirësive të shumta të cilat janë të panumërta.
Agjërimi është vepër e besimtarëve të sinqertë dhe është prej veprave më të sinqerta. Agjërimi është një vepër e hershme. Atë e kanë praktikuar edhe Pejgamberët e tjerë dhe besimtarët para mijëra viteve.
Agjërimi tregon identitetin e besimtarëve, se pavarësisht kohës, rrethanave dhe sistemeve njerëzore që kalojnë në histori, ata mbesin stabil dhe qëndrojnë në parimet e tyre.
Agjërimi ka efekt jo vetëm në aspektin e sinqeritetit dhe të zemrës, por edhe në sjelljet e besimtarëve.
Gjatë agjërimit, besimtari duhet të llogarisë vazhdimisht në shpërblime, se Allahu do ta shpërblejë për lodhjen, për braktisjen e ushqimit dhe pirjes.
Disa lloje të bamirësisë në Ramazan
– Shpenzimi nga pasuria për ata që kanë nevojë.
-Sinqeriteti me të tjerët dhe këshillimi ndaj tyre ku kanë nevojë.
-Ndihma ndaj të tjerëve përmes autoritetit që ke (te dikush që të shkon fjala).
-Lutja për të tjerët.
-Dashamirësia ndaj të tjerëve.
Agjërimi plotësohet duke realizuar tre aspekte:
1.Forcimi i lidhjes me Kuranin gjatë Ramazanit. Këtë Libër Allahu e ka zbritur në këtë muaj. “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani…” Bekare 185. “Agjërimi dhe Kurani do të jenë ndërmjetësues për besimtarin në Ditën e Gjykimit.” Hadith
2.Shtimi i lutjeve. Allahu në përfundim të ajeteve që tregojnë për obligueshmërinë e agjërimit thotë: “Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua.” Bekare 186. Besimtari duhet të lutet gjatë agjërimit të tij, sepse janë momente kur Allahu nuk ia refuzon lutjen. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Agjëruesi e ka lutjen të pranuar.” Sekreti i kësaj: Devotshmëria, sinqeriteti (që ka gjatë agjërimit).
3.Kujdesi ndaj rregullave të syfyrit. Allahu thotë: “Dhe hani e pini derisa të dallohet fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës), pastaj plotësojeni agjërimin derisa të bjerë mbrëmja.” Bekare 187.
Ajetet e agjërimit – Fillojnë me devotshmëri: “Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.” Bekare 182. Mbarojnë me devotshmëri: “Allahu ua shpjegon njerëzve urdhëresat e veta, që ata të ruhen nga të këqijat.” Bekare 187.
Llogaritjen në shpërblimin e Allahut gjatë agjërimit, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem (në një hadith) nuk e ka bërë kusht të agjërimit, por e ka bërë kusht që ai agjërim të bëhet shkak për faljen e gjynaheve: “Kush e agjëron Ramazanin me besim dhe duke llogaritur në shpërblimin e Allahut, i falen gjynahet e kaluara.” Dikush agjëron e shpërblehet, mirëpo nëse nuk ka llogaritur (shpresuar) shumë në shpërblimin e Allahut, nuk i falen gjynahet, pra ai nuk ka arritur që me agjërim jo vetëm të shpërblehet por edhe t’i falen gjynahet.
🖊 Transkriptim.