Ramazani ndryshon veprat e njeriut
Ramazani ndryshon veprimet e njeriut, punët e tij, dhe këtë e vërejmë qartë. Ai para Ramazanit ndodh të bëjë mëkate, tregohet dembel, ngec prapa, e posa të hyjë Ramazani shpirti i ndryshon, ndërgjegjja i aktivizohet dhe ndjen se patjetër duhet të ndryshojë, të reformohet dhe të ripërtërijë imanin e ambiciet e tij.
Le të dijë se nga shkujdesja e mëhershme e mëkatet e bëra, duhet të marrë mësim, dhe se duhet të kthehet me pendim tek Allahu e t’i bashkëngjitet karvanit të njerëzve të mirë pendues të vazhdueshëm tek Allahu.
Ai që ka bërë keq, vërejmë se pendohet gjatë Ramazanit. Ai që ka qenë dembel, gjallërohet gjatë Ramazanit. Ai që ka qenë i shkujdesur, përmirësohen veten gjatë Ramazanit.
Edhe planet ditore të përditshmërisë ndryshojnë gjatë këtij muaji, kjo për shkak të agjërimit, urisë, etjes e lodhjes. Kështu, personi që deri dje ka shkuar në vende të kota, shkon drejt xhamisë gjatë Ramazanit (e për një hap që hedh Allahu e ngrit një gradë dhe për hapin tjetër ia fshin një mëkat). Ai që deri dje nuk ka falur namaz nate, fillon të falet gjatë Ramazanit, e ndjen ëmbëlsinë e tij, “Kush falet me imamin derisa ai të përfundojë (namazin e teravive) i shkruhet se është falur tërë natën”, “Kush falet gjatë Ramazanit me besim dhe me shpresë (në shpërblimin e Allahut), i falen mëkatet e kaluara.”
Ramazani bën ndryshim rrënjësor dhe qenësor, si në aspektin fizik dhe atë shpirtëror. Njeri i mençur është ai që bashkëvepron ashtu siç duhet me të. Ramazani ndryshon veprat e tua, mirëpo edhe ti duhet të marrësh iniciativë e të jesh i përgjegjshëm. Ramazani nuk do të të ndryshojë nëse ti nuk e do ndryshimin, si: nëse nuk e kap mushafin për ta lexuar, nëse nuk e përmend Allahun etj. Është e vërtetë se kur sheh të tjerët duke bërë vepra të mira, me këtë nxitesh edhe ti, mirëpo duhet të dish se ata nuk i kryejnë këto vepra për ty. Ty Allahu të ka dhënë mendjen, zemrën, sytë, duart, këmbët, andaj duhet t’i shfrytëzosh, duhet të lëvizësh e të braktisësh përtacinë dhe të ecësh para. Andaj, patjetër duhet të nxitosh për në punë të mira.
Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.