Rëndësia e të mësuarit të tri parimeve me argumente

Këto tri parime të cilat i sjellë autori e ndërtojnë themelin e fesë sonë, andaj çdo musliman e ka për obligim t’i dijë ato me argumente, ngase çdo pjesë tjetër e fesë sonë degëzohet prej këtyre tri parimeve. Për shkak të këtyre tri parimeve, autori, shejkh Muhamed ibn AbdulUehab rahimehullah e ka titulluar broshuren e tij “Tri parimet – ثلاثة الأصول”. Para se të sjellë tri parimet, përmend disa gjëra, kjo që të na bëjë më të lehtë t’i kuptojmë ato.

Së pari sjellë katër çështjet të cilat i ka obligim t’i dijë çdo musliman:

  1. Dija- e cila është: njohja e Allahut, njohja e të Dërguarit të Tij salAllahu alejhi ue selem dhe njohja e fesë së Tij, me argumente.
  2. Veprimi/punimi me këtë dije.
  3. Thirrja në këtë dije.
  4. Durimi gjatë kësaj thirrje.

Pas kësaj sjellë tri çështjet të cilat i ka obligim t’i dijë çdo musliman dhe muslimane:

  1. Allahu na ka krijuar, na furnizon, nuk na ka lënë të jetojmë pa kurrfarë qëllimi, por na ka dërguar një Pejgamber, të cilit kush i bindet do të hyjë në xhenet e kush nuk i bindet do të hyjë në zjarr.
  2. Allahu nuk është i kënaqur që t’ia shoqërojmë dikë në adhurim, qoftë engjëll i cili është afër Allahut, apo Pejgamber i dërguar.
  3. Atij që e njëson Allahun me adhurim dhe i bindet Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem nuk i lejohet t’i dojë (t’i bëjë shokë të ngushtë, miq, duke i dashur më shumë sesa besimtarët) ata të cilët e kundërshtojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij.

Pas kësaj përmend: الْحَنِيفِيَّةَ – El haniifijjeh – rruga (feja, mileti) e Ibrahimit, është të adhurosh Allahun të Vetëm e të mos i bësh shirk asgjë në adhurim. Allahu për këtë qëllim i ka dërguar Pejgamberët dhe për këtë na ka krijuar neve.

Kjo ka qenë si hyrje dhe parapërgatitje për tri parimet dhe pastaj fillon të sjellë ato, e të cilat do t’i sqarojmë në këto mësime.

Këto tri parime duhet të mësohen me argumente. Për këto tri gjëra njeriu do të pyetet në varr, andaj gjithsesi duhet ta ketë përgjigjen e ditur. Autori me tri parimet ka për qëllim tri pyetjet e varrit, të cilat i bëhen çdo njeriu. Ato janë: Cili është Zoti yt? Cila është feja jote? Cili është i Dërguari yt? Libri është i mbushur me argumente, autori për çdo pyetje sjellë argumente nga Kurani. Qoftë dhe një herë në jetë nëse e mëson argumentin e pastaj e ndërton besimin mbi të dhe vazhdon me këtë besim deri në vdekje, inshAllah do të vdesësh si besimtar dhe do të mund të përgjigjesh në tri pyetjet e varrit.

Ka prej dijes së fesë të cilën e kanë obligim ta mësojnë vetëm dijetarët e hoxhallarët, e ka dije të cilën e kanë obligim ta mësojnë të gjithë muslimanët, si: dija rreth akides në mënyrë të përgjithshme, se kush është Zoti yt, kush është i Dërguari yt dhe cila është feja jote. Këto janë tri parimet. Për to do të pyetesh menjëherë si të varrosesh (në natën e varrit) nga dy engjëj. Nuk mjafton vetëm mësimi i përgjigjeve të tyre përmendësh, pa e ditur kuptimin e domethënien e tyre. Patjetër duhet të mësohen përgjigjet e tyre me argumente. Qoftë dhe një herë gjatë jetës të mësohen me argumentet e tyre e pastaj vazhdon në këtë gjendje pa e ndryshuar këtë besim, deri në vdekje, atëherë ke për t’u përgjigjur saktë në natën e varrit.

Autori ka sjellë këtë broshurë, të cilën nëse njeriu e lexon dhe e mëson me argumente, do të jetë prej të shpëtuarve nëse vdes me atë besim. Borxhi që ia kemi këtij dijetari është shumë i madh. Ai ka qenë dijetar i madh. Ai ka lënë një pasuri të madhe të dijes. Ai ka shkruar libra që janë vetëm në dobi të njerëzve. Nuk është zgjeruar me fjalë e oratori, por vetëm çfarë bën dobi në ahiret. Ai e ka shkruar “Tri Parimet” për ta mësuar vetë ti dhe për t’ia mësuar fëmijës tënd (familjes e të afërmve), edhe nëse është para moshës madhore dhe i kupton me argumente. Çdokush që shpëton prej sprovës së varrit atëherë “…çdo gjë që vjen pas varrit është më e lehtë“, siç qëndron në një hadith.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset “Tri parimet” – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit