Rëndësia e veprave të zemrës në Ramazan

Rëndësia e veprave të zemrës në Ramazan

Prej pikave që tregojnë rëndësinë e adhurimeve të zemrës në muajin Ramazan janë:

» Nëse njeriu është i sinqertë në adhurimet e zemrës gjatë këtij muaji, atëherë kjo do ta ndihmojë me lejen e Allahut në disa gjëra, si: ta kryejë agjërimin në formën më të plotë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë:

مَن صامَ رَمَضانَ إيمانًا واحْتِسابًا غُفِرَ له ما تَقَدَّمَ مِن ذَنْبِهِ

“Kush e agjëron muajin e Ramazanit me besim dhe me shpresë tek Allahu, atij do t’i falen mëkatet e kaluara.”

Te pjesa “e agjëron”, kjo është vepër e gjymtyrëve, ndërsa pjesa “me besim dhe me shpresë”, kjo është vepër e zemrës. Dhe shpërblimi është: “do t’i falen mëkatet e kaluara”. Falja arrihet atëherë kur njeriu realizon veprën e jashtme dhe të brendshme në mënyrë të plotë apo përafërsisht.

» Nëse njeriu është i sinqertë në adhurimet e zemrës gjatë muajit të Ramazanit, atëherë kjo do ta ndihmojë t’i kushtojë rëndësi shtimit të adhurimeve, si: namazi, leximi i Kuranit me meditim, lëmosha, umra etj. Adhurimet e brendshme me suksesin e Allahut janë ndihmë për kryerjen e adhurimeve të jashtme. Ibën Tejmije rahimehullah ka thënë: “Kur njeriu i përmirëson veprat e zemrës, atëherë Allahu ia përmirëson veprat e jashtme, sepse “Allahu është me ata që e kanë frikë Atë dhe që janë punëmirë”.

» Nëse njeriu është i sinqertë në adhurimet e zemrës gjatë muajit të Ramazanit, atëherë kjo do ta ndihmojë t’i largohet gjërave të cilat e mangësojnë shpërblimin e agjërimit, siç janë mëkatet e ndryshme etj. Realiteti i plotësimit të agjërimit është kur largohet prej tyre. Kur njeriu kryen adhurimet, sidomos obligimet, dhe shton veprat vullnetare si dhe largohet prej gjërave që ia pakësojnë shpërblimin e agjërimit, apo ia turbullojnë pastërtinë e agjërimit, atëherë ka arritur ta përkryejë agjërimin e tij.

» Nëse njeriu është i sinqertë në adhurimet e zemrës gjatë muajit të Ramazanit, atëherë kjo do ta ndihmojë të përjetojë ëmbëlsinë e besimit dhe të gjejë prehje e gëzim në zemrën e tij gjatë kryerjes së adhurimeve. Njerëzit dallojnë shumë, në realizimin e këtyre gjërave. Për aq sa njeriu do të arrijë të realizojë veprat e zemrës, po aq do të gjejë ëmbëlsinë e besimit dhe prehjen, qetësinë dhe lumturinë në kryerjen e adhurimeve. Andaj, ai që nuk e gjen këtë në zemrën e tij, atëherë duhet të mundohet të përmirësojë veprat e zemrës, sepse aty e ka problemin, ngase ato janë shpirti i veprave të jashtme.

» Vërtetësia në adhurimin tonë ndaj Allahut përmes veprave të zemrës, është rrugë e cila me lejen e Tij e bën njeriun më të qëndrueshëm dhe më të fortë në fe (pas Ramazanit). Nëse njeriu ka qenë neglizhent para Ramazanit dhe është i sinqertë në këto adhurime të zemrës, atëherë përmes kësaj përmirëson dhe rregullon këtë neglizhencë. E nëse gjendja e tij para Ramazanit ka qenë e mirë, atëherë gjatë këtij muaji i shtohen dhe i hapen dyert e të mirave. Ai i cili gjatë muajit të Ramazanit jeton me Kuranin duke e lexuar me përulje, duke e dëgjuar dhe duke medituar, po ashtu agjëron, fal teravitë dhe fal namaz nate me besim dhe shpresë, del prej shkollës së Ramazanit me titullin e durimit (që është gjëja kryesore), arrin devotshmërinë përmes agjërimit dhe i falen mëkatet e kaluara, atëherë i tilli do të jetë më i qëndrueshëm në rrugën e Allahut derisa ta takojë Atë. Muslimani nuk duhet të jetë prej atyre të cilëve u kalojnë Ramazanet ndër vite dhe nuk u ndryshon gjendja e tyre (nuk përpiqen të rregullojnë gabimet dhe neglizhencën).

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Madhësia e tekstit