Rënia në besim

  • Rënia në besim

Besimtari duhet të bëjë kujdes që të mos e lejojë veten të bie në këtë gjendje. Nëse sheh se shejtani ka filluar ta tërheqë drejtë devijimit e mëkateve atëherë të kujtojë se ky është kurth i tij. Allahu ka thënë: “dhe mos ndiqni gjurmët e djallit. Ai është për ju armik i hapur” Enam 142. Shejtani nuk e dërgon besimtarin e mirë menjëherë në mëkate, por e dërgon gradualisht (së pari një mëkat më të lehtë, pastaj te një tjetër më i madh), derisa sheh se ka rënë në fund të pusit. Kur kupton se është intrigë e shejtanit atëherë le të kthehet tek Allahu, t’i mbështetet Atij dhe të mos lejojë veten ta ndjekë atë. Nëse sheh se e shtyn drejt mëkateve atëherë le t’ia kujtojë vetes Allahun, fuqinë e madhështinë e Tij, dënimin e Tij etj. Duhet t’ia kujtojë vetes se edhe pse mëkatet i duken në sytë e tij të vogla, mund të jenë shkak për të fituar zjarrin e xhehenemit. Dijetarët kanë thënë: “Sa herë që mëkati zvogëlohet në sytë e tu, rritet tek Allahu.” Kjo sepse ky zvogëlim në sytë e personit është mosrespektim e mosmadhërim ndaj Allahut. Kanë thënë: “Mos shiko madhësinë e mëkatit, por shiko madhështinë e Atij që po i bën mëkat.” Kujtoja vetes se Allahu është duke të parë dhe të ndjesh turp. Ai të ka dhënë të mira të shumta, të panumërta, e ti tregon mosbindje ndaj Tij. Ibn Kajjim përmend se prej gjërave që ndihmojnë në këtë është trajnimi i vetvetes për të mos rënë në mëkat dhe dikur do të forcohesh. Por, nëse dikush ka rënë në këtë gjendje atëherë prej shkaqeve kryesore për përmirësim, është bërja e veprave të mira dhe heqja dorë prej mëkateve. Prej veprave të mira, më e rëndësishmja është leximi i Kuranit, me meditim (me komentim). Kjo ndihmon shumë. Allahu thotë: “Ai është udhërrëfyes dhe shërim për besimtarët” Fussilet 44. Gjë tjetër që ndihmon është mosvazhdueshmëria e qëndrimit me ata persona që janë bërë shkak të biesh në mëkate. Zakonisht njeriu bie në mëkate për shkak të shoqërisë. E nëse mjetet janë ato që ia kanë shkaktuar këtë gjendje, atëherë t’i largojë prej jetës së tij. Shpirti i njeriut është i dobët, nëse i afrohet mëkatit sado që ka qenë i fortë para se t’i afrohet shkakut që e ka dërguar më herët në mëkat, e ka të lehtë të bie përsëri në të. Gjithashtu shtimi i dhikrit, kjo bën që të ruajë gjuhën (nga të folurit i keq).

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.

Madhësia e tekstit