Respektimi i Kuranit (disa aspekte)

Respektimi i Kuranit (disa aspekte)

   Umeti Islam, si umet i Kuran, që e beson dhe e ndjekë atë, ka për obligim që ta madhërojë Kuranin, të dijë mirë pozitën dhe vlerën e tij, si dhe zemrat t’i ngjallin me të duke e respektuar dhe madhëruar atë. Do të sjellim disa aspekte përmes të cilave sqarojmë se si besimtari e respekton Kuranin, Librin e Allahut:

-(Kjo bëhet) Duke ndier me zemër madhështinë dhe madhërinë e Allahut. Kurani është fjalë e Tij. Allahu thotë: “Shpallja e këtij Libri, pa asnjë dyshim, është nga Zoti i botëve.” Dhe: “Nuk ka dyshim se ky (Kuran) është Shpallja e Zotit të botëve. Atë e zbriti Shpirti i besueshëm (Xhibrili)…” Shuara 191-192.

Duke besuar se Kurani është të folurit më madhështor, më i vlefshmi. Nuk ka e nuk ka pasur fjalë më të mirë e më madhështore sesa Kurani, e as nuk do të ketë. Nuk ka fjalë sikurse Kurani, madje as nuk i përafrohet, sa i përket madhështisë e vlerës së tij. Ebu Abdurrahman es Sulemi ka thënë: “Vlera e Kuranit krahasuar me fjalët e tjera të krijesave, është sikurse dallimi mes Allahut dhe krijesave të Tij.” E siç dihet: “Asgjë nuk i shëmbëllen Atij. Ai i dëgjon të gjitha dhe i sheh të gjitha.” Shura 11. Pra, ashtu siç asnjë krijesë nuk i shëmbëllen dhe nuk i përngjason Allahut, po ashtu asnjë i folur i krijesave nuk i shëmbëllen e nuk i përafrohet të folurit të Tij.

Duke gjallëruar zemrat me dashurinë ndaj Allahut. Kur e duam Kuranin, kjo tregon se e duam Allahun i Cili ka folur me të. Abdullah ibn Mesudi ka thënë: “Kush dëshiron të dijë se a e do Allahun, le ta peshojë vetën në raport me Kuranin (se si është me të). Dhe, nëse e do Kuranin, e do Allahun.”

Duke besuar bindshëm në përkryerjen e Kuranit. Ai nuk ka të meta e mangësi. Kurani është larg çdo kundërshtie e kundërthënie në mes ajeteve të tij. Allahu thotë: “Ky është Libri në të cilin nuk ka dyshim…” Bekare 2. “A nuk përsiatin ata për Kuranin! Sikur ai të mos ishte prej Allahut, do të gjenin në të shumë kundërthënie.” Nisa 82. “Atij nuk mund t’i afrohet gënjeshtra nga asnjëra anë. Kjo është shpallje prej një të Urti që meriton të gjitha lavdet.” Fusilet 42.

Duke pranuar çdo gjë që është në Kuran, pa refuzuar asgjë, as dhe një shkronjë. Nuk na lejohet të refuzojmë asgjë prej Kuranit. Ai që refuzon diçka prej tij, qoftë dhe një shkronjë, kjo i bie se ai e kundërshton Atë, Allahun, i Cili ka folur me këtë Kuran. Abdullah ibn Mesudi ka thënë: “Kurani është Fjalë e Allahut. Ai që nuk e pranon dhe refuzon diçka prej Tij, realisht e ka refuzuar dhe kundërshtuar Allahun.”

Duke bërë kujdes të madh ndaj mospërqeshjes dhe mostalljes me ajetet e Kuranit, apo mosvlerësimit të kuptimit të tyre. Kjo është e rrezikshme për fenë e personit. Allahu thotë: “Thuaj: “A mos vallë me Allahun, shpalljet dhe të Dërguarin e Tij po talleni? Mos u shfajësoni! Ju e mohuat fenë, pasi patët besuar.” Teube 65-66.

Duke besuar bindshëm se Kurani është gjithëpërfshirës, përfshinë sqarimin e çdo gjëje që ka nevojë njerëzimi, prej dobive në këtë botë dhe tjetrën. Allahu thotë: “Ne ta zbritëm ty Librin, si shpjegim për çdo çështje…” Nahl 89. Në Kuran gjejmë sqarimet për çështjet e akides, në mënyrë të përsosur, po ashtu për moralet më madhështore, për adhurimet e ndryshme, në formën më të plotë.

Duke e ndihmuar Kuranin, në kuptimin: të mbrojmë dhe të ruajmë kufijtë e tij.

-Duke bërë kujdes ndaj mosbraktisjes së Kuranit. Allahu thotë: “Dhe i Dërguari do të thotë: “O Zoti im! Populli im e shpërfilli Kuranin, si (diçka) të duhet të braktiset”. Furkan 30. Prej braktisjes së tij është: mosleximi, mosleximi me meditim, mospraktikimi.

Duke e lexuar ashtu siç e meriton. Allahu thotë: “Ata që u kemi dhënë Librin dhe e lexojnë ashtu siç është shpallur, ata besojnë vërtet në të.” Bekare 121. Për leximin e Kuranit siç e meriton, dijetarët kanë shpjeguar se kjo është kur lexohet duke bashkuar mes leximit dhe meditimit në kuptimet e tij dhe pastaj të punohet me të.

Duke qenë i kënaqur dhe duke pranuar ligjet e vendimet e Kuranit, e të mos e kundërshtojë asnjë prej tyre për shkak të fjalëve e mendimeve të njerëzve, por duhet t’i nënshtrohet plotësisht. Allahu thotë: “Nuk i takon asnjë besimtari apo besimtareje të vërtetë që, kur Allahu dhe i Dërguari i Tij vendosin për një çështje, ata të kenë të drejtë të zgjedhin në atë çështje të tyren. Kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai me siguri ka humbur.” Ahzab 36.

Duke e bërë leximin, mësimin dhe memorizimin e Kuranit sinqerisht për hir të Allahut, e jo me syefaqësi, apo me qëllim të lëvdatave të njerëzve a famës, apo me qëllim përfitimi material.

Duke mos e ekspozuar Kuranin ndaj jobesimtarëve apo dyfytyrësheve, e këta pastaj të mos mund të arrijnë ta nënçmojnë e përdhosin atë. Transmetohet te Muslimi se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka ndaluar që muslimanët të udhëtojnë me Kuran për në tokën e armikut, nga frika se mos ata e fusin në dorë dhe e përdhosin dhe e nënçmojnë atë.

Duke e lexuar kur jemi të pastër, e jo xhunub. Është mirë që të mos preket Kurani duke qenë i papastër (xhunub). Kjo hyn në përgjithësimin e Fjalës së Allahut: “Atë (Kuranin) e prekin vetëm të pastërtit…” Vakia 79. Me këtë ajet është për qëllim Kurani që gjendet në Leuhi Mehfudh, të cilin e prekin vetëm engjëjt, megjithatë dijetarët thonë se këtu mund të bëjmë analogji për besimtarët në jetën e kësaj bote se nuk është mirë ta prekin duke qenë të papastër (xhunub). Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kuranin të mos e prekë askush përveç atij që është i pastër.”

Duke mos e përdhosur e nënçmuar Kuranin në asnjë formë, prej tyre përmendim: shtrimi i këmbëve në drejtim të tij, mbështetja në të, marrja si jastëk atë, hedhja e tij në tokë, hedhja e tij me forcë si nënvlerësim etj.

Para se ta lexojmë të pastrojmë gojën (leximi duke qenë me gojë të pastër). Aliu radijAllahu anhu ka thënë: “Gojët e juaja janë rrugë nëpër të cilat kalon Kurani, andaj pastrojini ato me miswak.”

 

Ligjërata: “Si ta respektojmë Kuranin?” – Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit