Ruaje Allahun që Ai të të ruajë ty- Hoxhë Jeton Bozhlani (ligjëratë e transkriptuar)

Ruaje Allahun që Ai të të ruajë ty!

Hoxhë Jeton Bozhlani

Do të flasim rreth një hadithi të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, hadith ky i cili është me peshë të madhe, edhe pse të gjithë hadithet janë të mëdhenj dhe madhështorë. Bëhet fjalë për hadithin që e transmeton ibën Abbasi radijAllahu anhu, djali i axhës së Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, i cili në atë kohë ka qenë djalosh në Medine. Iben Abbasi radijAllahu anhu thotë: “Isha mbrapa Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem kur më tha: “O djalosh! Do të t’i mësoj disa fjalë të shkurta.”

Fjala e tij: “Isha mbrapa Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem…”, mund të kuptohet se ka qenë hipur në deve, apo në gomar, apo në mushkë, apo qenë duke ecur mbrapa tij salAllahu alejhi ue selem. Megjithatë, më afër kuptimit është ajo që disa dijetarë kanë thënë, se ai ka qenë hipur së bashku me Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem mbi një kafshë, ndoshta deve ose gomar. Ai ishte i ri, para moshës së pubertetit, dhe Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem edhe pse ia dinte emrin, iu drejtua duke i thënë: O djalosh!” Nga kjo kuptojmë se prej edukatës është se mund ta quash dikë në këtë mënyrë “djalosh, djalë i ri”, edhe nëse e ke të afërm dhe ia di emrin. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i është drejtuar me këto fjalë që ai ta ketë vëmendjen se çfarë do t’i thotë. Dhe i thotë: Ruaje Allahun…”, që nënkupton: ruaji urdhrat dhe ndalesat e Allahut, “…dhe Allahu do të të ruajë ty!”

Po kuptojmë se ky hadith është i shkurtër, që përmban pak fjalë. E kjo gjë ka qenë prej mrekullive të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem që nuk e kanë pasur Pejgamberët e mëparshëm. Ai salAllahu alejhi ue selem ka përmendur se i janë dhënë gjashtë gjëra që nuk i kanë pasur Pejgamberët e mëhershëm, e prej tyre është: “Më është dhënë mundësia që me pak fjalë të përfshij shumë.” Kjo është mrekulli vetëm për Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem. Fjalët e tij janë të pakta, por janë gjithëpërfshirëse. Edhe ky hadith është i tillë, ku e vërejmë qysh në fillim, kur thotë: “O djalosh! Do t’i mësoj disa fjalë të pakta (të shkurta): Ruaje Allahun…” Allahu nuk ka nevojë që ta ruajë ndokush. Mirëpo, kjo nënkupton që të jesh i kujdesshëm në urdhëresat e Allahut, duke u bërë ruajtës i tyre (zbatues), ruaji ndalesat e Allahut duke u kujdesur të mos hysh aty ku ka ndaluar Allahu dhe Ai do të të ruajë ty. Allahu i Madhërishëm nuk ka nevojë që ta ruajë dikush. Ai është Krijues i qiejve dhe tokës, siç thotë Ai: “Kursi-u i Tij shtrihet mbi qiejt dhe Tokën dhe Ai nuk e ka të rëndë t’i ruajë ato.”[1] Por kuptimi i hadithit është: ruaji ato që Allahu i ka urdhëruar, si:

  • Namazin: në ajete të shumta gjejmë që të ruhet namazi, të jemi të kujdesshëm (ta plotësojmë), të mos na ikë.

 

  • Zekatin: kujdesu për zekatin tënd që ta japësh ashtu siç duhet; kështu ruhet zekati, duke e dhënë në kohën e duhur, në masën e duhur aq sa e ke obligim, por dhe ta ruash që mos të të humbet. E si humbet zekati? Nëse atë ia ke dhënë dikujt që Allahu ta ka bërë obligim t’ia japësh dhe ia përmend, i thua: “Eh, sa shumë të kam ndihmuar unë! Të kam dhënë kaq para, të kam dhënë kështu e ashtu!” Kjo gjë e humb zekatin. Ndaj ruaje atë, kujdesu për të! Allahu në suren Bekare thotë: “O besimtarë! Mos i çoni dëm lëmoshat tuaja duke ua kujtuar ato (atyre që ua keni dhënë)…”[2], pra duke ia përmendur fukarasë që ia ke dhënë atë, ndaj mos ia përmend sepse e shkatërrove sadakanë tënde, zekatin tënd. Nëse e ke dhënë zekatin, ke shpërblimin tek Allahu, e ke kryer obligimin e Allahut, andaj ruaje mos të të ikë kjo gjë, ngase edhe pse e ke kryer atë obligim, ajo mund të të shkatërrohet.
  • Gjuhën: Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ka kapur gjuhën dhe i ka thënë Muadhit radijAllahu anhu: “Ruaje këtë!”
  • Dispozitat në raporte me të tjerët: Ruaji dispozitat e Allahut në raporte me njerëzit, ruaje komshiun, vëllanë mysliman, e më tej. Gjithashtu dhe në raporte të tjera, si: në çështjet e nikahut, shitblerjes, në gjithçka që ka të bëjë me raportet e tua me krijesat, duke mos shkelur të drejtat e të tjerëve, por duke iu përmbajtur kufijve të Allahut.
  • Ndalesat: Po ashtu ruaju nga ndalesat, mos bjerë në hendeqe, figurativisht e sjellim me shembull: sikur je duke ecur rrugës, sheh hendek dhe ruhesh nga ai. Nëse në jetën tënde je duke ecur deri në fund, që është ahireti, ruaju mos bjer në hendeqe, pra në mëkate, sepse mëkatet janë hendeqe. Ashtu siç ruhesh fizikisht që mos të lëndohesh ndokund, ashtu ruaju të mos biesh në ndalesat e Allahut, sepse ato janë hendeqe. Por, nëse e ke bërë këtë, atëherë njeriu nuk është i pagabueshëm. Nëse ka ndodh që ke rënë në mëkat, atëherë pendohu. Pendimi dhe istigfari (kërkim falja Allahut) është kthim nga mëkati, që të largosh prej vetës tënde pluhurin dhe të këqijat e mëkatit. Pendimi i sinqertë e fshin mëkatin, çfarëdo qoftë ai.

Shpërblimi është sipas llojit të veprës, siç ka ardhur në hadith. Nëse ti i ke ruajtur urdhrat e Allahut, je ruajtur prej ndalesave të Tij, i ke ruajtur kufijtë e Tij në raporte me njerëzit, atëherë shpërblimi për këtë është se Allahu do të të ruajë ty nga çdo e keqe, nga e keqja e njerëzve dhe xhindëve. E më shumë se kaq, është se Allahu do të ta ruajë fenë, do të ruajë ty të mos devijosh, do të ndihmojë të qëndrosh gjithmonë në Rrugën e Drejtë (Siratal mustekim); kjo është ruajtja më e madhe për ty nga Allahu, si shpërblim i asaj se ti i ke ruajtur urdhrat dhe ndalesat e Tij.

Andaj, Allahu të ruan nga çdo e keqe, siç thotë: “Para dhe pas tyre Ai vë mbikqyrës (engjëj)…” Xhinn, 27. Engjëjt çdo mëngjes ndërrohen, shkojnë dy dhe vijnë dy të tjerë. Në këtë mënyrë e ruajnë besimtarin nga çdo e keqe, nga e keqja e njerëzve të cilët i sheh dhe e xhindëve të cilët nuk i sheh. Xhindët janë një ushtri të cilët nuk i shohim, e ata na shohin. Allahu është Ai i Cili na ruan prej tyre.

Vazhdon pjesa tjetër e hadithit, ku Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem thotë: “…ruaji urdhrat dhe ndalesat e Allahut, do ta gjesh Atë aty ku ke qëllim të shkosh”. Ke vendosur të nisesh për të studiuar fenë e Allahut, dije se Ai është me ty; ke vendosur të hapësh dyqan tregtie, nëse së pari i ke ruajtur urdhrat dhe ndalesat e Tij, dije se Ai është me ty, do të ruajë dhe do t’i hapë rrugët. Andaj, çdo çështje qoftë e fesë apo e dunjasë, me të cilën ke për qëllim të mirën, dije se Allahu është me ty nëse ti i ke ruajtur urdhrat dhe ndalesat e Tij. Këtë e nënkupton edhe hadithi tjetër: “Kush e ka frikë Allahun, ruhet nga mëkatet dhe i kryen urdhrat e Tij, Ai do t’ia hapë rrugët dhe do ta furnizojë nga nuk e mendon ai.”

Vazhdon hadithi: “Nëse kërkon diçka, kërko vetëm prej Allahut”. Lutjet dhe kërkesat që ka njeriu janë dy llojesh:

kërkim prej Allahut,

-dhe kërkim prej njerëzve, në ato gjëra që ata kanë mundësi për të t’i dhënë.

Nuk është e ndaluar lutja ndaj vëllait që ai të të ndihmojë rreth një çështje që është në dorën e tij, apo që të dhurojë diçka që ai mundet të ta dhurojë, p.sh.: t’i thuash “ma jep lapsin”, kjo është një gjë që ai ka mundësi ta bëjë. Këtu nuk ka ndalesë. Mirëpo kuptimi i hadithit “Nëse kërkon diçka, kërko vetëm prej Allahut” ka për qëllim: para se gjithash lute Allahun. Edhe nëse e ke lutur krijesën të të japë diçka që ka mundësi të ta dhurojë, këtë e ka bërë veçse me ndihmën dhe dhuntinë e Allahut, e jo sepse ai fillimisht është shkaktar të të ndihmojë.

Askush s’ka lindur me pasuri e as me dije. Allahu është Ai që i ka dhënë dije, Allahu i ka dhënë pasuri, qoftë përmes trashëgimtarëve të tij të pasur apo duke ia hapur rrugët për pasuri. Ndoshta Ai i ka dhënë pasuri me qëllim që ta sprovojë. Por ai gjithsesi nuk ka lindur me pasuri, nuk është pasuria meritë e tij. Ndaj, nuk ka mundësi që një pasanik të krenohet para njerëzve, i cili u bën padrejtësi atyre duke mos ua dhënë zekatin, e thotë: “Këtë e kam fituar me djersen time, andaj nuk e jap”. Por, kur ke lindur çfarë ke poseduar (asgjë)?! Në këtë mënyrë njeriu bëhet arrogantë ndaj dhuntive të Allahut. Nëse dikush të ka ndihmuar, dije se atë ndihmesë ta ka bërë me ndihmën dhe dhuntinë e Allahut, ngase Ai është i Cili ia ka mundësuar atë atij.

Dije se kënd je duke e lutur. Je duke e lutur Atë i Cili ka mundësi të të japë çdo gjë dhe i Cili të do ngaqë po e lut Atë. Ajo që e kërkon ti, nuk mangëson asgjë tek Allahu, ndaj mos u bëj dorështrënguar e i ndrojtur, duke menduar se ndoshta po kërkon tepër. Assesi. Ky është mendim i keq, është gabim. Por, sa të kesh mundësi kërko tek Allahu i Madhërishëm, sepse Ai e do këtë gjë.

Pjesa tjetër e hadithit thotë: “Nëse ndonjëherë kërkon ndihmë, kërko prej Allahut”. Kjo është e njëjta gjë sikurse tek lutja (që u përmend). Edhe lutja ndahet në dy lloje:

të kërkuarit e ndihmës prej Allahut

-dhe prej krijesave, në ato çështje që ato (krijesat) kanë mundësi të të ndihmojnë.

Nuk ka ndalesë t’i kërkosh vëllait tënd ndihmë për ndonjë çështje. Mirëpo para se të gjithave, kërko ndihmë prej Allahut sepse është Ai i Cili i çon shkaqet, Ai i posedon të gjitha, në Dorën e Tij është edhe njeriu prej të cilit po kërkon ndihmë, në Dorën e Tij është pasuria e njeriut prej të cilit ti po kërkon. Andaj së pari kërko nga Allahu dhe lute Atë, pastaj lutju (kërkoju) krijesave në ato gjëra që ato kanë mundësi.

Nëse i ke lutur në ato gjëra që krijesat nuk kanë mundësi (të t’i japin), p.sh. nëse ke kërkuar shërim prej mjekut, atëherë kjo është fatkeqësia e madhe, sepse shërimi nuk është në dorën e mjekut, por është në Dorën e Allahut. Mjeku, vetëm sipas asaj që e ka studiuar (mësuar) dhe asaj që e sheh me sytë e tij, mund të t’i përshkruajë barërat të cilat me lejen e Allahut mund të të ndihmojnë e të kenë sukses, ose mund të mos kenë sukses duke pasur ndikim negativ dhe duke t’u keqësuar gjendjen. Pra kjo është fatkeqësia: t’i kërkosh krijesës duke gabuar në aspektin e akides (besimit) dhe ta ngatërrosh çështjen duke i kërkuar diçka ose një ndihmë që nuk është nën kompetencat dhe në dorën e saj, siç është në këtë rast të kërkuarit e shërimit prej njeriut, në të cilën shumë njerëz gabojnë. Mund të kërkosh ndihmë, vetëm mjekim. Shërimi është në Dorën e Allahut, është tek Allahu, siç ka përmend Allahu fjalët e Ibrahimit i cili ka thënë: “Nëse unë sëmurëm, Allahu është Ai i Cili më shëron.”

Kërkimi i shërimit është gjë e obligueshme, duhet ta kërkosh. Shërimi lypet prej Allahut, e mjekimi është shkak që mund të të çojë deri te shërimi me lejen e Allahut, e mund të të mos çojë te shërimi. Allahu thotë: “Prandaj, kur t’u vijë ai (afati i vdekjes), ata nuk mund ta shtyjnë për asnjë çast e as ta shpejtojnë.” (Surja Junus, ajeti 49).

Këtë gjë duhet ta dimë: mos të kërkosh prej krijesës, duke u bërë i dobët dhe duke e dëmtuar besimin tënd, e ndoshta ta humbasësh krejt besimin, siç ndodh në disa raste duke kërkuar ndihmë prej krijesës e ndërsa ajo ndihmë është vetëm në Dorën e Allahut. E nëse është ndonjë gjë që krijesa ka mundësi ta bëjë, atëherë nuk ka të keqe ta kërkosh, por fillimisht kërko prej Allahut të Madhërishëm.

Vazhdon Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem duke i thënë: “Dije o djalosh,  se sikur tërë njerëzit të mblidhen për të të ndihmuar diçka, nuk mund të të ndihmojnë përveçse me atë që ta ka shkruar Allahu. Sikur tërë njerëzit të mblidhen me qellim që të të bëjnë dëm diçka, nuk do munden ta bëjnë atë përveçse me atë që Allahu ka shkruar për ty.”

Qetësohu, largoji shqetësimet e brengat, mbështetu në Allahun dhe besoji me bindje të thellë Caktimit të Allahut se atë që Ai ta ka caktuar, nuk ka mundësi që dikush të ta largojë dhe atë të mirë që Ai ta ka shkruar, nuk ka mundësi që dikush të ta largojë, si dhe nuk ka mundësi të të bëjë dikush dobi përveçse me atë që Allahu ta ka shkruar. Qetësoje zemrën tënde e mos të ndodhë, o besimtar, që të jesh sot (në këtë kohë) sikurse shumë njerëz të cilëve u mungon besimi, ku disave u mungon pjesërisht e disave tërësisht, e këta të fundit nuk kanë shenja të besimit në asnjë aspekt, as besim në Ditën e Gjykimit e as besim në Caktimin e Allahut të Madhërishëm.

Janë bërë njerëzit sikur të dehur, e mos të them edhe më keq sesa të dehur, duke mos pasur vlerë tek ta as njeriu e as diçka tjetër, sepse së pari kanë mungesë besimi në Allahun, e pastaj mungesë besimi në degët e tjera (të besimit), siç është besimi në Caktimin e Allahut.

Përqendrohu në këtë fjalë dhe beso me bindje të thellë se nëse të gjithë njerëzit grumbullohen për të të bërë dobi, nuk mund ta bëjnë këtë përveçse me atë që Allahu ta ka Caktuar. Shumë njerëz nuk e dinë këtë, andaj shqetësohen, s’ka rëndësi për ta familja, asgjë. U mungon kjo gjë, e disave u mungon besimi tërësisht, nuk kanë shenja të tij. Tek ta besim është paraja e jo diçka tjetër. Allahu na ruajttë nga kjo sprovë!

Vazhdon pjesa tjetër e hadithit: “Janë ngritur lapsat (nuk shkruajnë më, ka përfunduar) dhe janë tharë fletët.” Kështu Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e përfundon hadithin me këto fjalë. Allahu e di më së miri se si është qëllimi se çfarë lapsa janë. E dimë hadithin ku thuhet se Allahu së pari e ka krijuar lapsin dhe i ka thënë “Shkruaj!” Këtu janë përmend lapsat dhe fletët, e neve nuk na takon të pyesim se çfarë janë, çfarë forme kanë, a kanë ngjyrë apo jo. Ashtu e ka përmendur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem, kurse neve na takon ta pranojmë dhe të dorëzohemi para kësaj. Nuk pyesim sepse ajo nuk është nën dijeninë tonë. Më tepër se aq nuk na është sqaruar prej fesë së Allahut, as prej Allahut dhe as prej Pejgamberit të Tij nuk ka zbritur sqarim. Përkufizohemi me këtë: besojmë se është laps, janë fletë, se si janë vetëm Allahu e di. Neve nuk na takon të merremi me këto çështje.

Ky hadith na udhëzon, na hap dhe ndriçon rrugën se si duhet të jemi të lidhur me Allahun.

E rreth rëndësisë së madhe të të kërkuarit të ndihmës prej Allahut të Madhërishëm, gjejmë në suren Fatiha, të cilën e këndojmë në çdo rekat të namazit: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë”. Në çdo rekat kërkojmë ndihmë prej Allahut dhe kjo tregon rëndësinë e madhe që e ka ky lloj adhurimi. Kërkimi i ndihmës prej Allahut është adhurim.

[1] Ajetul Kursij, Bekare 255.

[2] Bekare, 264.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit