Ruaje besimin tënd

Ruaje besimin tënd

Allahu e nderoi dhe e ngriti njeriun mbi krijesat e tjera të Tij, e nderoi duke i dhënë mendje e dije dhe e bëri kompetent të pranojë urdhrat e ndalesat fetare. Ai e ka krijuar njeriun në formën më të përkryer. Për të nënshtroi (ia la në shërbim) çdo gjë që gjendet në tokë e qiell. Allahu e krijoi njeriun për një urtësi të dukshme e të qartë dhe ia tregoi rrugën e vërtetë (udhëzimit) dhe rrugën e kotë (devijimit), pastaj ia shtjelloi këtë në detajet më të vogla, “Natyrisht që Ne i treguam atij rrugën e drejtë, që ai të jetë ose mirënjohës, ose mosmirënjohës.” Insan 3.

Allahu e krijoi njeriun që të realizojë ubudijen – të qenit rob adhurues i Allahut, të Vetmit. Andaj, dërgoi Pejgamberë dhe zbriti Libra. Mirëpo, njerëzit në këtë u ndanë në dy grupe: 1. Të bindurit, të lumturit, 2. Të pabindurit, të mjerët. Allahu thotë: “Disa Ai i ka udhëzuar në rrugë të drejtë, kurse disa të tjerë e kanë merituar humbjen. Ata kanë zgjedhur djajtë për mbrojtës në vend të Allahut dhe mendojnë se janë në rrugë të drejtë.” Araf 30.

Udhëzimi është mirësia më e madhe që na ka dhënë Allahu dhe nderi më fisnik me të cilin na ka nderuar, ngase udhëzimi është jetë dhe dritë, ndërsa devijimi është vdekje dhe errësirë, “A barazohet i vdekuri që Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë me të cilën ecën midis njerëzve, me atë që është në errësirë e nuk mund të dalë prej saj?!” Enam 122.

Këtë besim e udhëzim nuk e kemi arritur për shkak të prejardhjes së ngritur, apo për shkak të mendjemprehtësisë, mençurisë e inteligjencës, apo hulumtimeve të shumta etj. Por, besimi është mirësi e pastër prej Allahut, “Allahu ju ka dhuruar mirësi dhe ju ka udhëzuar në besim” Huxhurat 17. Andaj, duhet ta falënderojmë Allahun i Cili na udhëzoi me mirësinë e Tij.

Allahu na ka dhënë një premtim fisnik nëse qëndrojmë në rrugën e besimit deri në fund të jetës sonë, “Allahu u ka premtuar besimtarëve dhe besimtareve kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të banojnë përgjithmonë, si dhe pallate të mrekullueshme në Xhenetin e Adnit. Por kënaqësia prej Allahut është shpërblimi më i madh. Kjo është fitorja madhështore” Teube 72.

Besimtari e ka për detyrë ta ruajë besimin e tij nga dobësimi e grisja e tij, e në gjithë këtë të kërkojë ndihmën dhe mbrojtjen e Allahut, ngase Ai do ta ruajë. Kthesa e parë për te lajthitja janë dilemat e luhatjet. Allahu thotë: “Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata që besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe pastaj nuk dyshojnë”. Huxhurat 15. Iblisi dhe ushtarët e tij (prej xhindëve dhe njerëzve) vazhdimisht përhapin pyetje që kanë të bëjnë me dyshimet në besim, në mënyrë që mendjet e besimtarëve të devijojnë e të largohen prej të vërtetës. Besimtari duhet të ikë prej këtyre vesveseve dhe të qëndrojë larg dyshimeve që sjellin mohuesit.

Ne jemi përgjegjës për ruajtjen e fesë tonë dhe për ruajtjen e fesë së atyre ndaj të cilëve Allahu na ka bërë përgjegjës (familjarëve, fëmijëve). Ne duhet t’i mbajmë larg dyshimeve të pasuesve të së kotës. Te fëmijët tanë duhet të mbjellim madhërimin ndaj Allahut, kuptimin e emrave dhe cilësive të Tij dhe duhet të punojmë që ata të ndjekin rrugën e besimtarëve.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Madhësia e tekstit