Ruajtja që Allahu ua bën robërve të Tij është dy llojesh

Ruajtja që Allahu ua bën robërve të Tij është dy llojesh:

1.E përgjithshme: Kjo është kur i ruan duke ua lehtësuar atyre ushqimin, pirjen, thithjen e ajrit, po ashtu kur i udhëzon në gjëra të dobishme, të nevojshme e domosdoshme, të cilat i ka caktuar dhe vendosur për ta. Ai i udhëzon robërit e Tij drejt këtyre dhe njëkohësisht i ruan në këto dobi e interesa për ta, “Ai që çdo gjëje i ka dhënë trajtën e vet e pastaj e ka udhëzuar” Ta he 50. Po ashtu Allahu i ruan robërit e Tij duke larguar prej tyre llojet e ndryshme të gjërave të urryera, të këqija e të dëmshme për ta. Në këtë lloj të ruajtjes përfshihen të gjitha krijesat (i devotshmi e mëkatari, besimtari e jobesimtari, gjithashtu kafshët dhe insektet).

 

2. E veçantë: Kjo është ruajtja që ua bën të dashurve të Tij (besimtarët e mirë e të devotshëm), në besimin e tyre, prej dyshimeve, fitneve dëmtuese, epsheve shkatërruese etj. Kjo është shtesë mbi atë që thamë te lloji i parë. Allahu i ruan dhe i shpëton prej këtyre gjërave. Gjithashtu i ruan prej armiqve, largon prej tyre kurthet e intrigat e tyre, “Allahu, në të vërtetë, i mbron besimtarët” Haxh 38. E gjithë kjo në varësi të besimit të njeriut. Sa më i madh besimi i tij, aq më e madhe është ruajtja dhe mbrojtja e Allahut ndaj tij. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ka porositur ibn Abbasin: “Ruaje Allahun, Ai të ruan ty!” Ahmedi, Tirmidhiu. Pra, ruaji urdhrat e Allahut duke i zbatuar ato, ruaji ndalesat e Tij duke u larguar prej tyre dhe ruaji kufijtë e Tij duke mos i shkelur ata, e atëherë Ai do të të ruajë në vetën tënde, në fenë tënde, në shëndetin e pasurinë tënde, në fëmijët e familjen tënde, në të gjitha që Ai t’i ka dhuruar. E më kryesorja është se Ai ta ruan fenë dhe besimin në momentet e vdekjes.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset për Emrat e Allahut – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit