Shkaku i shtatë: Dijetari e jep një vendim në bazë të një hadithi të dobët, ose argumentimi dhe përfundimi që ai nxjerr janë të dobët

Marrë nga:

Mospajtimet në mesin e dijetarëve – Shkaqet e tyre dhe qëndrimi ynë ndaj tyre.

Shejh Muhamed Ibën Salih El Uthejmin

Kjo gjithashtu është shumë e zakonshme. Shembull i përdorimin të hadithit të dobët si evidencë, është rekomandimi i dhënë nga disa dijetarë për namazin e tesbihëve[1].

Ai përbëhet nga dy rekate, në të cilat recitohet surja El-Fatiha, tesbihu përmendet pesëmbëdhjetë herë, njëjtë në ruku dhe sexhde e kështu me radhë. Për detajet e tij nuk jam plotësisht në dijeni, meqë nuk e besoj se është i lejuar. Të tjerë, e shohin këtë si një bidat të urryer, dhe hadithin për të si jo të saktë, si Imam Ahmedi, i cili ka thënë:

“Hadithi i tij nuk është saktësuar si thënie e të Dërguarit (salAllahu alejhi ue selem).”

Shejhul Islam Ibën Tejmije ka thënë:

“Hadithi rreth tij është një gënjeshtër mbi Pejgamberin (salAllahu alejhi ue selem).”

Kush e shikon, në realitet do të gjejë karakteristika të çuditshme madje edhe nga pikëpamja e legjislacionit. Meqë adhurimi është ose i dobishëm për zemrën, dhe është kusht që zemra të jetë e aftë të arrijë devotshmërinë prej tij, atëherë ai është i ligjësuar për të gjitha kohët dhe vendet, ose nuk është i dobishëm dhe rrjedhimisht nuk është i lejuar / miratuar. Sa i përket këtij lloji të namazit, hadithi që flet për të e përmend se personi e fal atë, ose çdo ditë, ose çdo javë, ose çdo muaj, ose njëherë në jetën e tij. Nuk ka formë të këtillë adhurimi në sheriat, kështu që është shumë i parregullt dhe i dyshimtë si nga vetë teksti, ashtu edhe nga zinxhiri i transmetimit, dhe kush e ka shpallur si gënjeshtër, siç është Shejhul Islami, e ka thënë të vërtetën. Me këtë, ai gjithashtu e ka përmendur se asnjë nga imamët nuk e ka rekomanduar.

Unë e parashtroj pikërisht këtë çështje si shembull për shkak të pyetjeve të shumta që më bëhen rreth saj. Kam frikë se ky bidat është bërë formë e pranuar e ibadetit (adhurimit), dhe e theksoj atë si bidat, edhe pse ky rregull mund të jetë shumë i vështirë të përballohet nga disa njerëz, mirëpo, ne besojmë se çdokush që e adhuron Allahun me diçka që nuk gjendet në Librin e Allahut e as në Sunetin e të Dërguarit të Tij (salAllahu alejhi ue selem), atëherë ajo është bidat (risi).

Një shembull për nxjerrjen e një përfundimi të dobët, kur evidenca është e fortë, mirëpo përdorimi i saj për ta argumentuar një gjë të caktuar nuk është e fortë, është pozicioni që kanë disa dijetarë ndaj hadithit që përcillet nga Esuedi:

“Therja e fetusit është në therjen e nënës së tij.” [2]

Është gjë e njohur tek dijetarët se domethënia e këtij hadithi është që nëse theret kafsha me barrë, atëherë kjo është edhe therje e fetusit që gjendet brenda, që nënkuptohet se nuk duhet të merret fetusi e të theret pasi të largohet nga kafsha, sepse është e vdekur dhe nuk ka kuptim ose dobi të theret pasi të ketë vdekur.

Ndërsa, disa dijetarë tjerë e kanë kuptuar këtë hadith se therja e fetusit bëhet në të njëjtën mënyrë si therja e nënës[3], duke i prerë dy vena të qafës dhe duke e lënë gjakun jashtë. Mirëpo, kjo është e panatyrshme, sepse nga i vdekuri nuk del gjak.

I Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:

Nga kafsha nga e cila rrjedh gjak dhe mbi të cilën përmendet emri i Allahut (në kohën e therjes), hani!”,dhe është një fakt i mirënjohur që nga i vdekuri nuk del gjak.

Këto ishin shkaqet e mospajtimeve në mesin e dijetarëve të cilat doja t’i përmendja, edhe pse ka shumë tjera, ato janë sikur një oqean pa breg.

Vazhdon inshaAllah…

Kontrolloi: Lulzim Perçuku


[1] Pyetja për saktësinë e këtij namazi është gjë e vjetër, ndërsa shejh Uthejmini e ka mendimin se nuk është namaz i ligjshëm. Ndërsa, ka dijetarë tjerë që e kanë mendimin se ky namaz është i ligjësuar.

[2] Transmetuar nga Ahmedi (3/39), Tirmidhiu, Ibën Maxhe, ed-Darimi dhe të tjerë.

 

[3] Ata e lexojnë hadithin kështu: “Therja e fetusit është (e ngjashme) me therjen e nënës së tij”.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit