Shpenzimi për kërkuesit e dijes

Transmetohet nga Enesi se ka thënë: “Ishin dy vëllezër në kohën e Pejgamberit saAallahu alejhi ue selem. Njëri prej tyre vinte (të mësonte) te ai salallahu alejhi ue selem, kurse tjetri punonte dhe fitonte (furnizimin). Ai që punonte, u ankua për vëllain e tij (që nuk punonte). Atëherë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i tha: “Ndoshta ti je duke u furnizuar për shkak të tij.” Shënon Tirmidhiu.

Në këtë hadith ka nxitje për të pasurit që të shpenzojnë për kërkuesit e dijes së fesë. Nëse ata i ndihmojnë kërkuesit e dijes me pasurinë e tyre, Allahu do t’iu japë bereqet në atë pasuri.

Në hadith kemi dhe një përgëzim: Ai që shpenzon për kërkuesin e dijes atëherë çdo dije që ai e përfiton dhe e shpërndan, do të jetë ortak me të në shpërblim – dija dhe daveti i tij do të jetë edhe në peshoren e veprave të mira të atij që ka shpenzuar për të (nëse ka shpenzuar për të me nijetin e shpërblimit tek Allahu).

Ai që shpenzon për kërkuesin e dijes është në mirësi të madhe, edhe nëse vetë nuk ka dije.

Kur njerëzit shpenzojnë nga pasuria e tyre (japin), nuk u shkon ndërmend të shpenzojnë për kërkuesit e dijes. Të tillët janë të paktë. Ndërsa, nga veprat më madhështore është kërkimi i dijes dhe shpërndarja e saj te njerëzit. Kështu, nëse dikush shpenzon për kërkuesin e dijes në këtë vepër madhështore e të rëndësishme, ai do të jetë bashkëpjesëmarrës me të në shpërblim gjatë dijes dhe davetit që bën.

Shpërblimi është më i madh nëse jep nga pasuria për kërkuesin e dijes.

Hadithi na tregon se kushdo që i përkushtohet kërkimit të dijes, mësimit dhe të kuptuarit të saj, me qëllim që të ruajë fenë e Allahut (pra e ka qëllimin për hir të Tij), atëherë Ai do t’ia dërgojë dikë i cili do të kujdeset për të dhe do t’ia plotësojë nevojat që ka.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku

🖊Transkriptim

Madhësia e tekstit