Si duhet të jetë qëndrimi i besimtarit ndaj prindërve dhe gruas së tij kur ka probleme mes tyre?

Si duhet të jetë qëndrimi i besimtarit ndaj prindërve dhe gruas së tij kur ka probleme mes tyre?

Besimtari duhet ta dijë se hakun më të madh ndaj tij e kanë prindërit. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë se njeriu që e meriton më së shumti respektin tënd është nëna, duke e thënë këtë tri herë, pastaj thotë babai.  Prindërit kanë aq të drejtë të madhe ndaj fëmijës saqë Allahu e ka radhitur këtë menjëherë pas së drejtës së Tij. Allahu thotë: “Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); silluni mirë me prindërit…” Nisa 36, ku menjëherë pas së drejtës së Tij e sjell bamirësinë ndaj prindërve. Këtu bën përjashtim vetëm gruaja. Kur femra martohet, burri ka hak më të madh ndaj saj sesa prindërit e saj, siç e tregojnë këtë argumentet e tjera. Nëse prindërit e urdhërojnë për diçka dhe po ashtu e urdhëron edhe burri, atëherë ajo duhet t’i bindet burrit (përderisa ajo gjë nuk është haram apo mëkat). Nga kjo që thamë, kuptojmë se besimtari duhet të mundohet të jetë i drejtë dhe i hapur me të dy palët (me prindërit dhe me gruan), duke mos mbajtur fshehtë ndonjë gjë, të bëjë biseda të lira me ta për t’ua treguar problemet. Kështu t’i këshillojë ata sepse të dy palët kanë nevojë për këshillim (t’u thotë se nuk duhet pasur probleme besimtarët mes tyre sidomos kur lidhja është kaq e afërt). Kjo është këshilla në përgjithësi ndaj kësaj gjëje. Mirëpo, problemet në këto raste janë të ndryshme, e po ashtu dhe arsyet pse kanë ardhur deri te problemet janë të ndryshme. Sidoqoftë, besimtari duhet gjithashtu ta lusë Allahun për t’i përmirësuar këto raporte. Nëse njeriu ka mendim të mirë për Allahun, i mbështetet Atij dhe i lutet Atij (për përmirësimin e raporteve mes tyre), atëherë Allahu bën çudira dhe nuk e zhgënjen besimtarin, i përgjigjet lutjes së tij. Gjithashtu, duhet ditur se shkaku kryesor i problemeve familjare dhe mes të afërmve është veprimi i mëkateve, dhe kështu Allahu i sprovon pastaj si dënim për ta me mosmarrëveshje mes tyre. Nëse njeriu do që Allahu t’ia rregullojë raportet mes tij dhe të tjerëve, atëherë ai duhet të rregullojë raportin mes tij dhe Allahut. Kjo është një fjalë nga selefi e cila duhet të shkruhet me ar.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit