Kurani është i mbushur me ajete që na tregojnë se si Pejgamberët dhe njerëzit e mirë kanë qenë të përgatitur për përballimin ndaj sprovave siç është më së miri. Allahu thotë: “Sigurisht që Ne do t’ju provojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave! Prandaj, përgëzoji të duruarit, të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!” Ata do të shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti i tyre; ata janë në rrugën e drejtë! Surja Bekare 155-156. Allahu me këto ajete, shohim se si e përgatit njeriun për çdo gjë të mundshme në jetën e kësaj bote; e jeta e kësaj bote nuk është siç dëshiron ai. Allahu gjithashtu na ka sjell shembuj praktik në Kuran se si i kanë tejkaluar sprovat njerëzit e zgjedhur të Tij, shembull: ngjarja e Merjemes, bijës së Imranit. Ajo ka arritur të menaxhojë siç duhet sprovën e madhe që i ka ndodhur. Disa dijetarë thonë: “Ajo ka qenë sprovë aq e madhe saqë edhe malit do t’i vinte rëndë ta bartte atë.” Nuk njihet grua tjetër që ka qenë më e sprovuar sesa ajo.
Merjemja ka qenë e angazhuar me adhurimin ndaj Allahut, e izoluar prej njerëzve, e kthyer kah Allahu, është marrë vetëm me adhurim, ajo ka qenë tepër askete, megjithatë është sprovuar. Duke qenë në adhurim ndaj Allahut, befas i është paraqitur engjëlli Xhibril, në formë njeriu. Kur e ka parë (nuk është mësuar të shohë burra të huaj) ka thënë: “Unë kërkoj që të më mbrojë i Gjithëmëshirshmi prej teje, nëse i frikësohesh Allahut.” Merjem 18. Në atë moment, Xhibrili i ka treguar se është i dërguar prej Zotit që t’i dhurojë një fëmijë të pastër, i cili në të ardhmen do të jetë Pejgamber, me pozitë të madhe te njerëzit. Asaj kjo i është dukur e çuditshme. Si ka mundësi të mbetet me barrë pa kontakt me burrë? Kjo është diçka e jashtëzakonshme, e pa dëgjuar më parë. Si të ketë fëmijë kur ajo nuk ka pasur kurrë kontakt me burra dhe ka qenë e njohur në shoqëri për dëlirësi, moral e devotshmëri? Megjithatë, kur ka dëgjuar këtë fjalë të engjëllit, i është ndezur në zemër në lloj shprese. Merjemja rrjedh nga një familje në të cilën ka pasur Profetë. Ajo veçse e ka ditur çështjen e Shpalljes prej Allahut dhe mrekullitë e Tij. Ajo e ka ditur se karshi të gjitha këtyre gjërave, Allahu nuk zhgënjen miqtë e Tij, por u gjen rrugëdalje. Edhe pse e ka ndje qetësi në zemër, nuk i është larguar pikëllimi, brenga e frika (për pasojat me të cilat do të përballej).
Dhe më vonë kur e kapën dhimbjet e lindjes: “Dhembjet e lindjes e detyruan atë që të shkonte te trungu i një hurme. Ajo tha: “Ah, sikur të kisha vdekur para kësaj (ngjarjeje) dhe të isha harruar krejt!” Merjem 23. Dikush mund të thotë: “Si këto fjalë të saj kur dihet se Allahu ka ndaluar njerëzit të kërkojnë vdekjen për shkak të sprovave?” Dijetarët thonë se ka mundësi të jetë për shkak se ka qenë në sheriatet e mëhershme dëshirimi i vdekjes, apo nuk ka qenë fjala se e ka dëshiruar vdekjen pas sprovës, por ka thënë: “para kësaj (ngjarjeje)”, andaj nuk ka kontradiktë.
Ajo është pikëlluar e brengosur shumë se si do t’i besojnë njerëzit e si do ta gjykojnë. Pas lindjes së Isait alejhi ue selem, ka ndodhur ajo së cilës i frikësohej, mirëpo pastaj gradualisht frika ka filluar t’i largohet, dhe ligj i Allahut për krijesat është se kur frika, pikëllimi e brenga arrijnë kulmin atëherë fillojnë të largohen. Ibn Hazmi rahimehullah thotë: “Kur te njeriu bëhen bashkë krejt brengat e pikëllimet, atëherë përnjëherë largohen e bien.” Kjo është shenjë se është afruar ndihma e Allahut. Merjemja e ka lënë çështjen e saj në dorën e Allahut, ngase e ka ditur pikërisht se Allahu është Ai i Cili kujdesej për të deri më tani. Ajo e ka dashur shumë Allahun, ka qenë e angazhuar shumë me adhurimin ndaj Tij, e ka ditur se Ai nuk do ta lërë në mëshirën e njerëzve, por do ta mbrojë, ka pasur mendim të mirë ngase ka qenë e nënshtruar ndaj Tij. Kjo ka qenë fillesë për trajtimin e mirë të sprovës së saj.
Pas lindjes nuk ka menduar ta heqë qafe foshnjën, ta hedhë e të lirohet prej tij, mirëpo e ka ditur se përderisa shtatzënia ka ndodhur në mënyrë të jashtëzakonshme atëherë Allahu do të dërgojë mrekulli përmes të cilave do të tregohet pastërtia e pafajësia e saj para bijve të Izraelit. Allahu e ka qetësuar Merjemin: “Një zë e thirri nga poshtë: “Mos u pikëllo, se Zoti yt të ka bërë një burim uji poshtë teje! Shkunde trungun e palmës, që të bien mbi ty hurma të freskëta. Ha, pi dhe qetësohu.” Merjem 24.
“Mos u pikëllo”: fjala e parë që i është thënë, merre me të qetë, qetësohu, gëzoju fëmijës tënd siç gëzohen nënat për lindjen e fëmijëve. E ka ndaluar nga pikëllimi, brengosja e frikat e ndryshme. Pastaj: “shkunde trungun e palmës”, Allahu ka pasur mundësi t’ia mundësojë hurmat pa marrë asnjë shkak ajo, por duhet patjetër që njeriu të veprojë shkaqet. Gruaja lehonë s’mund të shkundë trungun e hurmës, por kjo është një mësim për neve që të ndërmarrim shkaqet. Pastaj “Ha, pi” që të forcohet, sepse njeriu që është në pikëllim e shqetësim të madh as nuk ha e as nuk pi, si rezultat i çrregullohet ana e brendshme dhe i shtohet mërzia. Pastaj e urdhëron me diçka që i sjellë më edhe më shumë lumturi: “dhe qetësohu”, ndjeje lumturinë në veten tënde, dije se do të jesh e lumtur pas kësaj gjendje, braktise brengën e pikëllimin. Pastaj e mëson se si të mbrohet nga akuzat e popullit të saj: “Nëse vëren ndonjë njeri, i thuaj: “Unë jam betuar në të Gjithëmëshirshmin se do të heshti, prandaj sot nuk do të flas me askënd.” Merjem 26.
Pastaj Merjemja e ka marrë Isën dhe e ka dërguar te njerëzit, me mirëbesim tek Allahu. Ata kanë nxituar menjëherë ta qortojnë (janë tronditur ngase e kanë ditur se ajo është grua e moralshme, e dëlirë). “Dhe u kthye te populli i vet, duke mbajtur fëmijën. Ata i thanë: “O Merjeme, ke bërë diçka të turpshme! O motra e Harunit! Babai yt nuk ka qenë njeri i keq, as nëna jote nuk ka qenë grua e shthurur.” Merjem 27-28. Kjo (akuza në moral) ishte një sprovë tjetër për të. Mirëpo, edhe në këtë gjë ka ditur të menaxhojë situatën, është treguar e përmbajtur, ka pasur shpirt të qetë dhe ka ecur siç e ka urdhëruar Allahu. “Ajo bëri me shenjë nga i biri. Ata thanë: “Si t’i flasim ne fëmijës që është në djep?” Nga këto fjalë ende u është shtuar acarimi e zemërimi. Ke ardhur me një fëmijë kur nuk ke pasur bashkëshort (sipas tyre ka bërë imoralitet) dhe tash tallesh me neve duke na thënë t’i flasim fëmijës që është në djep e ai të na kthejë përgjigjet! Në këtë çast vjen ndihma e Allahut: “Ai (Isai në djep) tha: “Unë jam rob i Allahut. Ai më ka dhënë Librin (Ungjillin), më ka bërë profet dhe më ka bërë të bekuar kudo që të jem. Ai më ka porositur që të falem e të jap zeqat sa të jem gjallë dhe që të jem i mirë ndaj nënës sime dhe nuk më ka bërë të ashpër dhe të padëgjueshëm. Le të jetë paqja e shpëtimi mbi mua, në ditën që kam lindur, në ditën që do të vdes dhe në ditën që do të ringjallem!” Merjem 30-33. Isa i doli në mbrojtje nënës së tij.
Pra, nga kjo ngjarje duhet të marrim mësim të madh në përballimin e brengave dhe pikëllimeve, së pari duke u treguar të qetë, të vetëpërmbajtur, pastaj të marrim shkaqet që largojnë brengën e pikëllimin, përndryshe ato shtohen. Nëse je person që i zmadhon pasojat e një situate apo vazhdimisht pret se do të goditesh nga e keqja, apo je person që nëse goditesh bëhesh pesimist, atëherë do të kesh jetë jo të qetë e të palumtur. Marrja e shkaqeve (siç i ka ndërmarr Merjemja) largon brengat e pikëllimin dhe largon rreziqet, apo së paku i pakëson. Por, nëse nuk ke asnjë aftësi për të ndërmarrë diçka, atëherë të mbetet t’i dorëzohesh Allahut, ta lësh çështjen tënde në Dorën e Tij.
Përktheu: Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.