Sprovimi – Disa këshilla

Ai që sprovohet me një sëmundje të rëndë, së pari duhet t’ia kujtojë vetes se ky është Caktim i Allahut. Përderisa ka qenë e shkruar, patjetër do të ndodhte. Besimtari e di se prej shtyllave të besimit është besimi në Kader (qoftë nëse na pëlqen apo nuk na pëlqen). Dhe Allahu e cakton një gjë me dëshirën dhe dijen e Tij. Nuk ka mundësi të ndodhë diçka pa dashur Allahu dhe nuk ka mundësi të dëshirojë diçka përveçse në bazë të urtësisë së Tij. Allahu është i Urtë, në çdo gjë që cakton ka urtësi. Ai e di (më mirë) se ku fshehët urtësia e një gjëje. Kjo na tregon se njeriu për t’u ballafaquar me sprovat që e godasin duhet të pajiset me dituri rreth Emrave dhe Cilësive të Allahut. Sa më shumë që e njeh Allahun dhe Emrat e Cilësitë e Tij, aq më të lehta do të jenë sprovat për ty dhe aq më lehtë do t’i tejkalosh.

Kur e dimë se kjo gjë (sprovë) është caktim i Allahut atëherë duhet ta presim me durim. Kjo është obligim për muslimanin. Nëse nuk duron, bën mëkat. Durim me zemër (të mos zemërohesh me Caktimin, të mos e akuzosh Allahun, të mos kesh mendim të keq për Atë etj.), me gjuhë (të mos thuash se kjo është padrejtësi ndaj meje, pse më ndodhi mua etj.) dhe me gjymtyrë (të mos veprosh ndonjë gjë të kundërt me durimin, si: thyerja e gjërave, shkulja e flokëve, shqyerja e rrobave etj.).

Përveç durimit, duhet të veprosh edhe shkaqet me të cilat me lejen e Allahut largohet kjo sëmundje. Dhe më kryesorja është bërja e lutjeve tek Allahu për të të shëruar. Edhe nëse mjekët thonë se është sëmundje e pashërueshme, për Allahun është shumë e lehtë të të shërojë – Ai është Shëruesi, i Plotfuqishmi. Jemi dëshmitarë se shumë njerëz janë shëruar, edhe pse mjekët kanë thënë se sëmundja e tyre është e pashërueshme. Andaj, e rëndësishme është të kesh mendim të mirë ndaj Allahut, t’i mbështetesh Atij dhe ta lusësh të të shërojë. Dijetarët thonë: “Përderisa Allahu do të të ringjallë në botën tjetër pasi je bërë hi e pluhur duke të të bërë siç ke qenë, atëherë për Atë është e lehtë të ta kthejë shëndetin që ke pasur para se të sëmuresh.” Nga shkaqet tjera siç thamë është mbështetja tek Allahu, t’ia dorëzosh çështjen Atij dhe të dish se vetëm Ai të ndihmon e të shëron.

Pastaj, këtë sprovë ta konsiderosh si një alarm prej Allahut për të të zgjuar nga shkujdesja. Shumë njerëz janë të shkujdesur dhe pak u bie ndërmend për botën tjetër. Andaj, Allahu u dërgon sprova t’ua kujtojë botën tjetër dhe kthimin tek Ai. Besimtari duhet t’i konsiderojë sprovat si mesazhe prej Allahut për t’u kthyer tek Ai, të përmirësohet, të zbatojë obligimet dhe të largohet prej mëkateve, dhe kështu pastaj Allahu do ta ndihmojë atë.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur Allahu e do dikë, e sprovon.” Për këtë arsye, selefi dëshironte të sprovoheshin ngase sprovimi ka qenë një shenjë se Allahu i do ata. Selefi i ka dashur sprovat ndërsa ne i urrejmë ato. Ata e kanë ditur se sa i dobishëm është sprovimi për besimtarin. Vetë sprova shlyen gjynahet. Ndoshta sprova me të cilën është goditur një person, bëhet shkak të hyjë në Xhenet. Nëse përmes sprovës e fiton Xhenetin e përjetshëm, atëherë ia vlen të sprovohet. Njeriu ka shumë gjynahe dhe ato nuk shlyhen veçse me vepra të mira ose me sprova. Dhe veprat që bën kanë mangësi të shumta, andaj vijnë sprovat dhe i shlyejnë ato.

Besimtari i mirë i gëzohet sprovës ngase e di se përmes saj do t’i shlyhen gjynahet dhe do t’i ngritën shkallët në Xhenet. Disa qëndrojnë edhe më lartë (përveç durimit që bëjnë): Tregohen të kënaqur me sprovën. E disa edhe më lartë: Tregohen falënderues ndaj Allahut për sprovën.

Hoxhë Lulzim Perçuku
🎙Transkriptim

Madhësia e tekstit