Surja Ez Zelzeleh – Komentim

Surja Ez Zelzeleh – Komentim

بِسْمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحْمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ

إِذَا زُلْزِلَتِ الْأَرْضُ زِلْزَالَهَا ۝  وَأَخْرَجَتِ الْأَرْضُ أَثْقَالَهَا۝ وَقَالَ الْإِنْسَانُ مَا لَهَا۝ يَوْمَئِذٍ تُحَدِّثُ أَخْبَارَهَا۝ بِأَنَّ رَبَّكَ أَوْحَىٰ لَهَا۝ يَوْمَئِذٍ يَصْدُرُ النَّاسُ أَشْتَاتًا لِيُرَوْا أَعْمَالَهُمْ۝ فَمَنْ يَعْمَلْ مِثْقَالَ ذَرَّةٍ خَيْرًا يَرَهُ۝ وَمَنْ يَعْمَلْ مِثْقَالَ ذَرَّةٍ شَرًّا يَرَهُ۝

 

  1. Kur të dridhet Toka me tronditjen e saj (të fundit),
  2. kur të nxjerrë barrët nga brendia e saj
  3. e njeriu të thotë: “Ç’po i ndodh asaj?!”
  4. Atë Ditë ajo do të tregojë lajmet e saj,
  5. sepse Zoti yt e ka frymëzuar atë.
  6. Atë Ditë njerëzit do të paraqiten grupe-grupe, që t’u tregohen veprat e tyre:
  7. kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë,
  8. e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë.

Komentim

إِذَا زُلْزِلَتِ الْأَرْضُ زِلْزَالَهَا – Kur të dridhet Toka me tronditjen e saj (të fundit)”- qëllimi me të është dridhja që do të ndodhë në Ditën e Kiametit. Allahu në suren Haxh e përshkruan këtë dridhje: “Ditën, që do të shihni atë, çdo grua me fëmijë në gji do ta harrojë fëmijën e saj dhe çdo grua shtatzënë do ta hedhë barrën e vet. Njerëzit do t’i shihni si të dehur, ndonëse ata nuk do të jenë të dehur, por dënimi i Allahut është i ashpër.” Haxh 2. Toka nuk përjeton dridhje më të madhe sesa kjo dridhje (zelzeleh) në Ditën e Kiametit. Për shkak të frikës së madhe njerëzit do të duken sikur janë të dehur (nuk dinë si të sillen, si të veprojnë). Tmerri i asaj dite është i madh.

وَأَخْرَجَتِ الْأَرْضُ أَثْقَالَهَا – kur të nxjerrë barrët nga brendia e saj”- do t’i nxjerrë të vdekurit e varrosur. Kur fryhet Suri (për herën e dytë) njerëzit ngjallen prej varreve dhe dalin para Allahut.

وَقَالَ الْإِنْسَانُ مَا لَهَا – e njeriu të thotë: “Ç’po i ndodh asaj?!”- çdo njeri do ta thotë këtë, kur ta përjetojnë këtë dridhje të madhe.

يَوْمَئِذٍ تُحَدِّثُ أَخْبَارَهَا – Atë Ditë ajo do të tregojë lajmet e saj” – do të tregojë se çfarë kanë vepruar njerëzit prej të mirave e të këqijave. Qëllimi i kësaj dëshmie është se Allahu do të tregojë drejtësinë e Tij absolute. Ai nuk i ndëshkon njerëzit përveçse për atë që kanë vepruar. Allahu ka përfshirë çdo gjë me dijen e Tij. Mjafton si drejtësi t’i thotë robit të Tij: “Ke bërë këtë të mirë e këtë të keqe”, mirëpo Ai do ta ngritë drejtësinë e Tij në mënyrë që ai i cili ka bërë të këqija të mos ketë mundësi të mohojë apo refuzojë atë që Allahu i thotë, dhe kështu e inspiron tokën që të tregojë lajmet e saj. Jobesimtarët në Ditën e Gjykimit do të mohojnë se i kanë bërë shirk Allahut (me shpresën që të shpëtojnë), mirëpo atë Ditë përveç që Allahu do ta inspirojë tokën të dëshmojë, po ashtu ua mbyll gojët dhe u flasin duart, këmbët, lëkura, duke dëshmuar kundër tyre. Andaj, nuk u mbetet justifikim për mohim, mirëpo e pranojnë dhe pastaj vjen gjykimi i Allahut.

بِأَنَّ رَبَّكَ أَوْحَىٰ لَهَا – sepse Zoti yt e ka frymëzuar atë” – Kjo është arsyeja pse toka flet dhe tregon lajmet e saj. Kur Allahu urdhëron një gjë, patjetër do të ndodhë, edhe nëse është një gjë e ngurtë, pa shpirt, nëse Allahu e urdhëron të flasë, atëherë do të flasë gjithsesi, sepse urdhri i Allahut patjetër do të ekzekutohet. Fuqia e Allahut është shumë e madhe, Ai kur iu flet gjërave të ngurta, i përgjigjen Atij.

 يَوْمَئِذٍ يَصْدُرُ النَّاسُ أَشْتَاتًا لِيُرَوْا أَعْمَالَهُمْ – Atë Ditë njerëzit do të paraqiten grupe-grupe, që t’iu tregohen veprat e tyre” – secili drejtohet kah vendstrehimi i tij, përfundimi i tij. Pra banorët e xheneti drejtohen për në xhenet, ndërsa banorët e xhehenemit shtyhen me forcë për në xhehenem. Njerëzit do të vijnë grupe-grupe në Ditën e Gjykimit, dhe janë lloje të ndryshme të njerëzve, secili dallon nga tjetri, në bazë të besimit e veprave.

Do të vijnë grupe-grupe “që t’iu tregohen veprat e tyre” që t’i shohin ato. Allahu ua mundëson t’i shohin veprat e tyre. Nëse kanë bërë mirë, do të gjejnë shpërblime. Nëse kanë bërë keq, do të gjejnë dënim. Kjo përmes llogarisë dhe Librit ku janë regjistruar veprat e secilit. Njeriut do t’i jepet Libri i tij ose në anën e djathtë ose në të majtë. Pastaj do të merret në llogari në bazë të asaj që është shënuar aty. Atë Ditë, njerëzve do t’iu tregohen të gjitha veprat, të shumtat e të paktat, të mëdhatë e të voglat, përveç atyre veprave që u janë falë përmes veprave të mira që kanë bërë apo kërkimfaljes.

Besimtarin e trajton Allahu në një mënyrë të mirë, siç ka ardhur në hadithe të sakta. Allahu do të vetmohet me secilin prej besimtarëve dhe i thotë: “Ke bërë këtë, këtë, këtë.” dhe pastaj i thotë: “T’i kam mbuluar në dunja, do t’i fali sot.” Ndërsa, sa i përket jobesimtarëve, Allahu do t’i thërrasë para të gjitha krijesave (i ekspozon), dhe: “Ata do të sillen para Zotit të tyre e dëshmitarët do të thonë: “Këta janë ata që kanë gënjyer kundër Zotit të tyre. Mallkimi i Allahut qoftë mbi të padrejtët…” Hud 18.

Njeriu do të shohë veprat e tij derisa t’i bëhet e qartë çdo gjë, pastaj i jepet Libri, “Lexoje librin tënd! Ti mjafton sot si llogaritar kundër vetvetes!” Isra 14. Besimtari e ka për obligim të mos veprojë vepra të cilat e zemërojnë Allahun, por të veprojë vepra të cilat e kënaqin Allahun, ngase çdo vepër shkruhet dhe në ahiret do të llogaritet për të.

فَمَنْ يَعْمَلْ مِثْقَالَ ذَرَّةٍ خَيْرًا يَرَهُ وَمَنْ يَعْمَلْ مِثْقَالَ ذَرَّةٍ شَرًّا يَرَهُ  – kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë” – në këtë përfshihet çdokush, i cili ka vepruar vepra qoftë sa thërrmija. Dherr ka kuptimin: milingonë e vogël, me peshë shumë të lehtë.

Kjo sure është paralajmërim, tërheqje e vërejtjes dhe frikësim për ne, ndaj Ditës kur do të dridhet toka. Po ashtu Allahu na nxit përmes saj për veprimin e veprave të mira, dhe se sado të pakta të jenë nuk do të humbasin, por do t’i gjejmë tek Allahu dhe do të shpërblehemi për to, edhe nëse janë sa thërrmija e më pak.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim – Derset e tefsirit.

Madhësia e tekstit