Tash e kam kuptuar që njetin për namaz duhet ta bëjmë vetëm me zemër, por para se të marrim tekbir a duhet të themi “E’udhu bil-lahi minesh-shejtanirr-rraxhim, bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim, apo vetëm me zemër. Dhe a duhet të themi vetëm Allahu Ekber dhe ta fillojmë namazin?

✏️Përgjigjja: ✏️

Kjo është e vërtetë. Nijeti vendin e ka në zemër. I Dërguari, salallahu alejhi we selem, ka thënë:

?“Vërtetë, veprat janë vetëm sipas qëllimit (nijetit) dhe çdokujt i takon ajo që ka pas për qëllim.” E transmetojnë Buhariu dhe Muslimi. Pra, prej kësaj po e kuptojmë se nijeti është qëllim dhe qëllimi bëhet me zemër dhe mendje.

Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, në “Rawdatut-talibin” (1/224), thotë:

? “Nijeti është qëllimi, pra namazliu e paraqet / shfaq në mendjen e tij namazin të cilin është duke e falur, si dhe i ekspozon (në mendje) atributet / cilësitë obligative të atij namazi, siç është rasti kur namazi është namazi i drekës, farz etj. Pastaj, këto informata i synon (bën nijet) me qëllimin që e shoqëron fillimin e tekbirit fillestar.”

Po ashtu, prej hadithit kuptohet se nijeti duhet të bëhet sinqerisht vetëm për Allahun e Lartësuar. Pra, ai namaz duhet t’i kushtohet vetëm Allahut të Vetmit. Kurse, nuk lejohet që nijeti të bëhet me gjuhë, për
më tepër kjo është prej bidateve (risive) në fenë e Allahut, dhe çdo bidat në adhurime është humbje / devijim.

I Dërguari, salallahu alejhi alejhi we selem, ka thënë:

✖️“Çdo bidat është humbje, dhe çdo humbje është në Zjarr (Xhehenem).”

Prandaj, muslimani /a duhet të ketë kujdes të madh që mos ta adhurojë Allahun me bidate, sepse rreziku i bidateve është shumë i madh. Këtu nuk na e lejon vendi që të zgjerohemi në këtë temë (rrezikun e bidateve). Gjithashtu, Muslimi dhe Ibën Maxheh e transmetojnë hadithin se i Dërguari salallahu alejhi we selem e fillonte / hapte namazin me fjalën Allahu Ekber (me tekbir). Këtu ka argument se i Dërguari, salallahu alejhi we selem, nuk thoshte gjë para namazit, as nuk thoshte: “E bëra nijet me fal këtë apo atë namaz…” dhe as nuk thoshte: “Eudhu bil-lahi minesh-shejtanirr-rraxhim”, as: “Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim”, as: “Estagfirullah”, dhe as gjë tjetër, thjeshtë e thoshte tekbirin dhe
hynte në namaz.

⛔️ Këtu desha ta tërheqë vërejtjen për një gjë, e që është se gjatë pyetjes u përdor fjala Allahu “Egber” me “G”. Ky është gabim i madh për nga aspekti fetar. Ngase fjala “egber” në këtë kontekst ka kuptim shumë te keq. Pra, muslimanit /es nuk i lejohet ta bëjë këtë gabim dhe ta shqiptojë këtë fjalë në këtë mënyrë. Madje, nëse i ka arritur dija se kjo nuk lejohet dhe vazhdon ta thotë në të njëjtën mënyrë, atëherë ai bën mëkat të madh dhe ka mundësi që ai namaz të mos i pranohet. Pra, fjala e saktë është: Allahu Ekber me “K”: Allahu e di më mirë ❗️

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit