Tri këshilla të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem
- “Kur të ngritesh për të falur namazin, falu sikur të jetë namazi i fundit për ty!” Me këtë fjalë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka dashur të nxisë për përkushtim ndaj namazit. Nëse besimtari do ta dinte se ky është namazi i fundit i falur, atëherë si do të falet, sa do të jetë i përulur etj.?! E namazi është prej veprave shpëtuese për besimtarin, është shtyllë e Islamit, është vepra që e mban të lidhur besimtarin me Allahun. Allahu thotë në Kuran: “وَأَقِیمُوا۟ ٱلصَّلَوٰةَ!” Bekare 110. Që do të thotë: plotësojeni namazin, faleni në mënyrën e plotë ashtu siç Allahu është i kënaqur, përsoseni atë.
- “Mos flit një fjalë për të cilën do të kesh nevojë të jesh pishman!” Kjo porosi na nxit të kemi kujdes se çfarë flasim, sepse edhe fjalët janë prej veprave, madje kanë thënë dijetarët: “Shumë prej njerëzve nëse do ta çonin në mendje se edhe fjala është vepër, atëherë do të mbanin kujdes shumë.” Kanë ardhur shumë hadithe profetike të cilat na tërheqin vërejtjen në lidhje me fjalët. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush beson Allahun dhe Ditën e Gjykimit, le të flasë mirë ose le të heshtë!” Çdo gjë llogaritet, “dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë)”. Kaf 18. Fjala është shumë lehtë të thuhet, por pasojat mund t’i ketë të rënda.
- “Mos lakmo në atë që kanë njerëzit!” E ka thënë këtë porosi që zemra e besimtarit të jetë e lidhur me Allahun, se furnizimi është prej Tij. Të gjithë Allahu i furnizon, edhe ata që kanë e ata që s’kanë. Por, dikujt ia kufizon furnizimin e dikujt i jep më shumë. Prandaj, nuk duhet të habitesh kur dikush të ka ndihmuar duke të të mbetur zemra tek ai person, sepse rrizku është prej Allahut, e ai person ka qenë vetëm shkak. Në një hadith Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Mos u intereso për pasurinë e njerëzve, do të të duan njerëzit!” Ai që zemrën e ka drejtuar kah Allahu, kërkon prej Tij, pret dhe shpreson prej Tij, ai është besimtar i ndershëm dhe do ta duan njerëzit.
Hoxhë Jeton Bozhlani – Transkriptim.