Tri porosi madhështore profetike
Allahu i ka dhuruar Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem fjalët më të bukura e më të mrekullueshme. Prej dhuntive të tjera dalluese që ia ka dhënë, është se Ai ia ka mundësuar atij që porositë e tij t’i japë në mënyrën më të përmbledhur, më të plotë e më të përkryer, ato edhe nëse kanë qenë të shkurta kanë qenë kuptimplotë apo me kuptime të shumta.
Do të flasim për një porosi të Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e cila është e shkurt e përmbledhëse dhe këshillë e fuqishme dhe mbresëlënëse. Ajo ka tubuar të gjithë mirësinë që i duhet njeriut. Është transmetuar nga Ebu Ejub el Ensariu radijAllahu anhu se ka thënë se një njeri erdhi te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe i tha: “Më këshillo, përmbledhtas!” Në një transmetim thotë: “Më mëso diçka prej fesë, me pak fjalë!” Atëherë i thotë: “Kur të falesh, falu si ai që është duke ia dhënë lamtumirën kësaj bote, mos fol fjalë për të cilën duhet të shfajësohesh nesër dhe shkëputi shpresat prej aj (pasurie) që është në duart e njerëzve!” Imam Ahmedi dhe ibn Maxheh.
- Porosia e parë: Kujdesi ndaj namazit duke e falur në mënyrën më të mirë, “Kur të falesh, falu, falu si ai që është duke ia dhënë lamtumirën kësaj bote”. I tilli, do të mundohet që në fjalët e veprat e tij të japë maksimumin e tij, e gjendja e këtij nuk është e njëjtë sikur e atij që nuk është duke u ndarë nga të tjerët. Kur të falemi, ta paramendojmë e t’ia kujtojmë vetes se ka mundësi që ai namaz të jetë i fundit, atëherë kështu do të përpiqemi në maksimum që ta falim atë në formën e plotë e të përkryer. Muslimani duhet gjithmonë, para se të hyjë në namaz, t’ia kujtojë vetes këtë gjë, qoftë namaz farz apo nafile. Ka mundësi që namazi që fal të jetë i fundit për të. E ai që e përmirëson namazin e tij, atëherë ky namaz do ta dërgojë drejt çdo mirësie dhe do ta ndalojë prej çdo të keqe, do ta gjallërojë zemrën e tij dhe do t’ia mbushë me besim, do t’i bëhet prehje shpirtërore e lumturi.
- Porosia e dytë: Ruajtja e gjuhës. Gjuha është gjëja më e rrezikshme për njeriun. Ai duhet të dijë se përderisa nuk e ka nxjerrë fjalën nga goja, realisht ende e zotëron atë, mirëpo në momentin kur e nxjerrë atëherë ajo do ta zotërojë atë dhe ai do të përballohet me pasojat e saj. “…mos fol fjalë për të cilën duhet të shfajësohesh nesër…” , pra mundohu, përpiqu, në ndaljen e gjuhës prej çdo fjale prej të cilës nesër, në të ardhmen, do të të duhet të justifikohesh apo shfajësohesh apo të kërkosh falje për të. Në këtë porosi Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem po na fton ta marrim në llogari vetveten tonë dhe ta mendojmë mirë atë që do ta flasim. Kështu, nëse sheh se fjala që do ta nxjerrësh është e mirë, fole, por nëse sheh se është e dëmshme atëherë ndale gjuhën, e nëse ke dyshim se a është e mirë apo e dëmshme atëherë edhe këtu duhet ta ndalësh gjuhën. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ai që beson në Allahun dhe Ditën e Fundit le të flasë fjalë të mira ose le të heshtë!” Shumë njerëz e vënë veten në situata të rënda për shkak të fjalëve që kanë nxjerrë nga gojët e tyre.
- Porosia e tretë: Në këtë porosi Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem na fton që të jemi të kënaqur me atë që Allahu ka caktuar për neve, që zemrën tonë ta lidhim me Allahun dhe t’i shkëpusim shpresat plotësisht prej asaj pasurie që është në duart e njerëzve. “…shkëputi shpresat prej asaj (pasurie) që është në duart e njerëzve!”, pra qëllimi është që me zemër të jesh i vendosur e i paluhatshëm në shkëputjen e shpresës ndaj asaj pasurie e cila është në duart e njerëzve, e të mos dëshirosh e shpresosh që pasuria e pozita të të vijë prej duarve të tyre, por që shpresat ndaj këtyre gjërave t’i mbash vetëm tek Allahu i Vetmi. Ashtu siç jemi urdhëruar që të mos e lusim askënd tjetër përveç Allahut, po ashtu duhet që edhe me gjendjen e zemrën tonë të mos shpresojmë tek askush tjetër përveçse tek Allahu. Kush arrin këtë gjendje, do të jetojë si njeri i madh, krenar, ndërsa ai që në zemër ka lidhje me atë që është në duart e krijesave, ai gjithmonë do të jetojë si njeri i përulur, i përbuzur.
Kush mban lidhje të fortë me sunetin profetik dhe me udhëzimet e tij, gjithmonë do të fitojë në këtë botë dhe botën tjetër.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.