Udhëzimet e Kuranit për gruan muslimane

Udhëzimet e Kuranit për gruan muslimane

Kurani është Libër i Allahut i zbritur si udhëzim e mëshirë për njerëzimin, është libër i lumturisë së vërtetë, përmes të cilit arrihet lumturia në këtë botë dhe tjetrën. Kurani është udhërrëfyes për të gjitha krijesat. Kush kërkon të arrijë lumturinë përmes ndonjë rruge tjetër përveç Kuranit, do të ketë jetë të mjeruar.

Nga udhëzimet e Kuranit për gruan muslimane përmendim:

  1. Veshja e mbulesës islame. Allahu thotë: “O Profet, thuaju grave dhe vajzave të tua, si dhe grave të besimtarëve, që të lëshojnë mbulesën e tyre (të kokës) përreth trupit. Kjo është mënyra më e përshtatshme që ato të njihen (ai të ndershme) e të mos ngacmohen nga të tjerët. Me të vërtetë, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” Ahzab 59.
  2. Mos shfaqja e stolive. Allahu thotë: “…e mos i zbuloni stolitë tuaja, ashtu siç zbuloheshin në kohën e padijes!” Ahzab 33. Ka gra të cilat vënë hixhabin, megjithatë i zbulojnë disa prej stolive të tyre, gjë të cilën Allahu e ndalon në këtë ajet.
  3. Mospërzierja (mos ulja) me burra të huaj brenda një ndeje. Allahu thotë: “Kur të kërkoni prej grave të Profetit diçka, kërkojeni prapa perdes! Kjo është më e pastër për zemrat tuaja dhe të atyre.” Ahzab 53. Kjo dispozitë i përfshinë të gjitha gratë.
  4. Të mos flasë me përkëdheli. Nëse gruaja ka nevojë apo detyrohet të flasë me një burrë të huaj (për ndonjë gjë), atëherë nuk i lejohet të flasë me përkëdheli, ngase nëse flet me fjalë përkëdhelëse atëherë kjo bëhet shkak që ai i cili ka zemër epshore ta dëshirojë atë e të anojë kah ajo. Allahu thotë: “Nëse i frikësoheni Allahut, mos flisni me përkëdheli, që të mos ju dëshirojë ai që ka zemër epshore, por flisni drejt dhe në mënyrë të ndershme!” Ahzab 32.
  5. Qëndrimi në shtëpi, dhe të mos dalë prej saj përveçse kur kjo është e nevojshme apo e domosdoshme. Allahu thotë: “Qëndroni në shtëpitë tuaja…” Ahzab 33. Sa më shumë që gruaja i përmbahet këtij udhëzimi, është më afër arritjes së mëshirës së Allahut.
  6. Ulja e shikimit dhe ruajtja e nderit të saj. Në këtë mënyrë e ruan fisnikërinë dhe pozitën e lartë të cilën Allahu ia ka dhënë asaj. Allahu thotë: “Thuaju besimtareve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara), ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme)…” Nur 31.
  7. Të mos tërheqë shikimet e meshkujve kah bukuritë e saj. Allahu thotë: “Dhe të mos i rrahin këmbët (për tokë), në mënyrë që të mos duken stolitë e tyre të fshehta (që janë nën mbulesë).” Nur 31.
  8. Të mos lakmojë veçoritë e burrave (por të jetë e kënaqur që Allahu e ka krijuar femër). Allahu thotë: “Mos i lakmoni ato gjëra, me anë të të cilave Allahu i ka bërë disa nga ju të dallohen mbi të tjerët: meshkujt do të kenë pjesë prej asaj që kanë punuar e po ashtu edhe femrat do të kenë pjesë prej asaj që kanë punuar. Kërkoni prej Allahut nga mirësitë e Tij. Vërtet, Allahu është i Dijshëm për çdo gjë.” Nisa 32. Dhe: “Meshkujt kanë autoritet mbi gratë, meqë Allahu u ka dhënë disa cilësi mbi ato dhe, meqë ata shpenzojnë për mbajtjen e tyre.” Nisa 34.
  9. Të ketë turp. Allahu kur tregon në Kuran një prej ngjarjeve që i ka ndodhur Musës alejhi ue selem, në të përmend dy vajzat e Shuajbit alejhi ue selem: “Ne nuk u japim ujë, pa u larguar barinjtë” dhe: “…njëra nga ato dyja, erdhi me ndrojtje…” Surja Kasas. Me ndrojtje- me turp. Sa më shumë që gruaja të cilësohet me turp, kjo do t’ia plotësojë më shumë moralet e saj dhe do ta zbukurojë më shumë.

Gruaja muslimane duhet të dijë se nëse u përmbahet këtyre udhëzimeve, do të arrijë lumturinë e shpëtimin në të dy botët, e nëse i braktisë dhe heqë dorë prej tyre do të shkatërrohet vetë dhe do t’i shkatërrojë të tjerët.

Këto udhëzime janë edukatë madhështore drejtuar gruas. E në to nuk ka vend për mëdyshje e diskutim për pranimin e tyre apo përmospranimin.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit