Umeri radijAllahu anhu

Biografia e Umerit radijAllahu anhu

Umerin radijAllahu anhu është më i miri i besimtarëve pas Ebu Bekër es Siddikut.

Atë e ka quajtur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem “El Faruk – Dalluesi”. Allahu përmes Umerit e ka dalluar të vërtetën prej të pavërtetës, ngase kur Umeri e ka pranuar Islamin atëherë sahabët e kanë adhuruar Allahun haptazi te Qabja (deri në atë kohë e kanë adhuruar fshehtas).

Ai është Umer ibn Khatabi ibn Nufeil ibn Abduluzze. Kunja e tij: Ebu Hafs. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem kështu e ka quajtur në betejën e Bedrit, për shkak të trimërisë së tij. Hafs do të thotë: Këlyshi i luanit.

Ai e ka pranuar Islamin në vitin e gjashtë pasi ka zbritur Shpallja, në moshën 27 vjeçare. Muslimanët janë gëzuar shumë me hyrjen e tij në Islam dhe kjo fe është bërë më e fuqishme në Meke. Madje, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ka lutur Allahun ta ndihmojë Islamin me njërën prej këtyre dy personave: Umerin ose Ebu Xhehlin, dhe Allahu ka caktuar që Umeri të jetë ai.

Transmetohet se Abdullah ibën Mesudi ka thënë: “Prej që Umeri ka hyr në Islam, ne kemi vazhduar të jemi të ngritur e krenarë.” Buhariu. Dhe: “Islami i Umerit ka qenë çlirim. Hixhreti i tij ka qenë fitore. Udhëheqja e tij ka qenë mëshirë. Para se të hynte në Islam, ne nuk kemi guxuar të shkojmë te Qabja. E kur ka hyr ai në Islam, është rrahur dhe kapur me idhujtarët derisa na kanë lënë të qetë dhe kështu e kemi adhuruar Allahun lirshëm te Qabja.”

Umeri radijAllahu anhu ka udhëhequr në mënyrën më të mirë. Gjatë udhëheqësisë së tij muslimanët kanë çliruar shumë vende.

Në vitin 23 hixhri, në ditën e mërkurë, skllavi i Mugire iben Shubes e ka goditur Umerin tri herë me thikë (me dy koka), kur Umeri ka dal të zgjojë njerëzit për namazin e sabahut.

Ai (para vdekjes) ka thënë: “Pasha Allahun! Dëshiroj të dal prej kësaj dunjaje zero-zero (as me të mira e as me të këqija) dhe që shoqërimi që ia kam bërë Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem të më pranohet tek Allahu.”

Ai është varrosur në dhomën e Aishes (ku ka qenë i varrosur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe Ebu Bekri), me porosi prej tij, dhe për këtë ka marr leje prej Aishes radijallahu anha. Namazin e xhenazes ia ka falur Suhejbi.

Argumentet që flasin për vlerën e tij

— Transmetohet prej Sad ibn Vekasit se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirt im, o biri i Khatabit, sa herë që shejtani të ka takuar në një rrugë veçse e ka ndërruar e ka shkuar në një tjetër rrugë.” Buhariu dhe Muslimi. D.m.th. nuk ka pasur guxim të takohet me të, për shkak të besimit të lartë të Umerit dhe mbështetjes së tij së madhe tek Allahu.

— Transmetohet prej Ebu Hurejres se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Vërtet, në popujt e mëhershëm ka pasur njerëz të inspiruar.[1] Nëse ndokush është i këtillë nga umeti im, atëherë ai është Umeri.” Buhariu.

— Transmetohet se Ebu Bekri ka thënë: “Nuk ka dikush i cili është më i dashur tek unë në fytyrën e tokës sesa Umeri.”Ai e ka lënë me porosi (në ditën e vdekjes së tij) që Umeri të jetë zëvendësi i tij (udhëheqës pas tij). Dhe kur e kanë pyetur se çfarë do t’i thuash Zotit tënd, ai është përgjigjur: “Do t’i them Zotit tim se ua kam lënë si udhëheq më të mirin prej tyre.” Umeri ka qenë më i miri pas Ebu Bekrit.

Transmetohet se Aliu ka thënë: “Kur të përmenden besimtarët e devotshëm, i pari prej tyre (të cilin e përmendim) është Umeri.”

Transmetohet se Abdullah ibën Mesudi ka thënë: “Nëse dija e Umerit do të vendosej në njërën anë të peshores dhe dija e të gjithë njerëzve në anën tjetër, atëherë ana ku është vendosur dija e tij do të peshonte më rendë.”

— Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë për Ebu Bekrin dhe Umerin: “Ata janë zotërinjtë e banorëve të Xhenetit, prej të parëve dhe të fundmëve, përveç Pejgamberëve dhe të Dërguarve.” Sahih.

— Transmetohet se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Sikur të kishte Pejgamber pas meje, ai do të ishte Umer ibn Khatabi.” Ahmedi, Tirmidhiu etj. Dhe: “Allahu e ka vendosur të vërtetën në gjuhën dhe në zemrën e Umerit.”

[1] Njerëz të sinqertë e të vërtetë në mendimet e tyre, janë të inspiruar prej engjëjve, apo njerëz që flasin të vërtetën e të saktën pa qëllim (pa dashje). Dhe Umeri shpeshherë ka dhënë mendime, e pastaj ka zbritur ajeti i cili ka vërtetuar se mendimi i tij ka qenë i sakti.

Madhësia e tekstit