Shkaqet për arritjen e ëmbëlsisë së besimit
Shkaku i tretë: Urrejtja ndaj kthimit në mosbesim
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush ka tri tipare do të shijojë ëmbëlsinë e besimit: të jetë Allahu dhe i Dërguari i Tij më të dashur për të sesa çdokush tjetër, mos ta dojë tjetrin për asgjë tjetër veçse për hir të Allahut dhe të urrejë të largohet prej Islamit (të hyjë në mohim) ashtu siç urren të hedhet në zjarr.” Muslimi.
Kur besimi lëshon rrënjët e tij në thellësinë e zemrës së njeriut atëherë ajo nuk mund të lëkundet e shkundet, sado që erërat e fitneve të epsheve dhe dëshirave të ndaluara fryjnë fort. Madje, edhe nëse fryjnë uraganet e dyshimeve, nuk luhatet. Slogani i muslimanit është “Qëndro i fortë në fenë e Allahut!” Andaj, kur besimi futet në zemër dhe njeriu e shijon ëmbëlsinë e tij, do ta dijë se jobesimtari do ta ketë përfundimin në zjarr përherë. Ai e urren mosbesimin, ngase urren qëndrimin në zjarr.
Mirësia e Islamit dhe e besimit, është mirësia më madhështore me të cilën na ka begatuar Allahu, është dhurata më me vlerë që na ka dhënë. Ai që e shijon ëmbëlsinë e besimit dhe sheh rezultatet e saj në jetën e tij (ka qetësi shpirtërore e rehati të mendjes), pastaj vendos para vetes jetën e kësaj bote me kënaqësitë e saj dhe se për t’i arritur ato duhet të braktisë Islamin e të kalojë në mosbesim, ai nuk ka mundësi ta braktisë Islamin e besimin pasi që e ka shijuar atë. Allahu thotë: “Cilido që e ndërron besimin me mohim, pa dyshim që e ka humbur rrugën e drejtë.” Bekare 108.
Prej lutjeve të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem ka qenë: “O Allah, ma ruaj Islamin tim kur jam në këmbë, kur jam ulur, kur jam i shtrirë!” Qëllimi është: Ma ruaj Islamin në çdo gjendje.
Kush e shijon ëmbëlsinë e besimit dhe ëmbëlsinë e qëndrimit stabil në fenë e Allahut, urren të kthehet mbrapa (si ka qenë). Ai ka ndjenjën e thellë të besimit përmes së cilës dallon besimin dhe mobesimin.
Disa shembuj:
─ Sa më shumë që mosbesimtarët shtonin torturat ndaj Bilalit (skllav) ai shtonte fjalët: “Ehadun ehadun – Allahu është Një, nuk ka shok, Ai është i Vetmi i Cili meriton adhurimin”. Këtë e thoshte për shkak të ëmbëlsisë së besimit të cilën e përjetonte. Ai ka thënë: ““Kam përzier ëmbëlsinë e besimit me hidhësinë e torturës (që ma kanë bërë), dhe ëmbëlsia e besimit ka triumfuar mbi hidhësinë e saj.”
─ Kur është zënë rob nga romakët Abdullah ibn Hudhafe dhe mbreti ia ka ofruar krishterimin duke i thënë: “Bëhu i krishterë dhe unë të dhuroj gjysmën e mbretërisë sime!”, ai ka thënë: “Edhe nëse më dhuron tërë mbretërinë tënde dhe tërë mbretëritë e arabëve, unë nuk kthehem nga feja e Muhamedit salAllahu alejhi ue selem qoftë dhe sa një lëvizje e syrit!” I kanë ofruar prapë krishterimin, duke e torturuar, por prapë ka refuzuar. Pastaj ka qarë dhe për këtë e kanë lajmëruar mbretin, i cili ka menduar se Abdullah ibn Hudhejfe tashmë e humbi durimin dhe do të pranojë ofertën. Kur e ka pyetur se pse po qan, ka thënë: “Unë kam vetëm një shpirt… por do të doja të kisha shpirtra sa kam qime në trup që t’i jepja për Allahun.” Në këtë moment, mbreti zullumqar i bën ofertë tjetër: “Nëse ma puth kokën, atëherë të lë të lirë.” Dhe ai i ka thënë: “Po, ta puthi kokën nëse më lë të lirë mua dhe tërë muslimanët e zënë robër.” Pastaj është kthyer bashkë me ta tek Umeri radijAllahu anhu (udhëheqësi), i cili pasi i ka treguar çfarë i ka ndodhur ka thënë: “Është detyrë për çdo musliman që t’ia puthë kokën Abdullah ibn Hudhafes, dhe unë po filloj i pari.”
Dalja prej fesë sot, ka forma dhe ngjyra të ndryshme. Muslimani që ka zemër të zbrazët prej besimit apo ka besim të dobët apo nuk ka dije, shumë lehtë mund të ndikohet nga ideologjitë (e devijuara e të gabuara). Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Në kohën para Kiametit do të ketë sprova të mëdha, të cilat do të jenë sikur pjesët e errëta të natës. Njeriu zgjohet besimtar dhe mbrëmja e zë mosbesimtar, ose e kundërta, mbrëmja e zë besimtar dhe zgjohet jobesimtar. E shet fenë e tij për një interes të paktë të kësaj bote.” Sot dalja prej fesë nuk është siç mendojnë disa, vetëm kur e lë Islamin dhe përqafon një fe tjetër (kjo ndodhë më pak), por format e daljes prej saj janë të llojllojshme. Për disa prej muslimanëve realiteti i atyre ideologjive mund të jetë i fshehtë dhe i paditur dhe ata mund ta rrezikojnë fenë e tyre pa vetëdije. Muslimani duhet të bëjë kujdes ndaj armiqve të Islamit të cilët nuk lodhen kurrë të shpërndajnë ndër njerëz mendimet e gjërat të cilat kush i përqafon mund të bie në mosbesim. Ai duhet të mbajë kujdes për çdo çështje të besimit, apo çdo fjalë e veprim që mund ta hedhë në devijim e humbje. (Në ballafaqim me ato ideologji të devijuara) Duhet të nxitojë në kryerjen e veprave të mira e adhurimeve dhe t’i kthehet njerëzve (të besueshëm) të dijes për çdo dyshim e cytje që ka të bëjë me besimin islam.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim – Seria “Ëmbëlsia e besimit”.