Vazhdimi i punëve të mira pas Ramazanit

Vazhdimi i punëve të mira pas Ramazanit

Allahu thotë në Kuran: “O njerëz! Adhuroni Zotin Tuaj, i Cili ju ka krijuar ju dhe ata që ishin para jush, që të mund të ruheni (nga të këqijat)…” Bekare 21. Ky është urdhri i parë në Kuran. Ky ajet na kujton qëllimin e ardhjes sonë në këtë botë, që është: adhurimi ndaj Allahut, po ashtu na përmend një prej arsyeve më të mëdha pse të adhurohet Allahu: sepse Ai është Zoti ynë dhe i çdo gjëje dhe na mëson një prej synimeve të adhurimit: ngritja në shkallë të devotshmërisë.

Para pak ditë ia dhamë lamtumirën muajit të Ramazanit, i cili erdhi pikërisht për ta përforcuar dhe rikujtuar rëndësinë e besimit dhe lidhjes me Allahun, gjithashtu për të na edukuar të jemi të jemi të vetëpërmbajtur dhe të durueshëm dhe për të na rikujtuar mirësitë e Allahut.

Besimtarët u përpoqën në vepra të mira e adhurime të llojllojshme, e një prej tyre agjërimi, që të arrijnë devotshmërinë, dikush më shumë e dikush më pak (e arriti këtë vlerë).

Dhe ramazani u largua me atmosferën e tij të bukur edhe freskinë shpirtërore që na dhuroi, por pas tij një ndër sfidat më të mëdha është se si do të vazhdojë më tej jeta, si do të jetë gjendja. Devotshmëria është synimi i besimtarit gatë gjithë jetës së tij. Besimtari duhet të vazhdojë në adhurime ndaj Allahut përherë. Nëse jo me intensitetin dhe përkushtimin e njëjtë si në Ramazan (kjo është e pamundur), atëherë të mos i neglizhojë adhurimet që janë obligime dhe të mos i shkelë ndalesat, e pastaj dhe të shtojë prej adhurimeve vullnetare.

Disa prej gjërave që ndihmojnë të vazhdosh në punë të mira pas Ramazanit:

» Qëllimi i mirë-sinqeriteti dhe vendosmëria për të vazhduar në vepra të mira edhe më tej. Është një gjë shumë e keqe kur njeriu mendon se pas Ramazanit do t’i kthehet gjërave që ka lënë. 

» Kërkimi i ndihmës së Allahut që të jesh i qëndrueshëm në bindje e adhurime. Në Ramazanin që kalove, nuk ke mundur të kryesh asnjë adhurim pa ndihmën e Allahut. Ai është i Cili të ka ndihmuar. Nëse ke qenë i rregullt me namazin, je ruajtur prej ndalesave dhe ke vepruar vepra të mira, të dish se shumë njerëzit të tjerë, ndoshta dhe familjarët e tu e shoqëria jote, nuk kanë vepruar si ti, andaj ky udhëzim në vepra të mira është mirësi e Allahut, sepse edhe ti ke mundur të jesh sikur të tjerët. Nëse Allahu të ka përzgjedhur të agjërosh, të falësh namazin, të lexosh Kuranin, gjatë Ramazanit, dhe adhurime të tjera, kjo është mirësi e Allahut për ty. Ai të ka ndihmuar. Andaj ti ke nevojë për Allahun dhe të kërkosh ndihmën e Tij dhe ke nevojë ta adhurosh Atë jo vetëm në Ramazan, por përherë.

» Përpjekja, angazhimi. Pasi njeriu të jetë i vendosur për të bërë vepra të mira, të jetë i sinqertë dhe të kërkojë ndihmën e Allahut, përpjekja është prej shkaqeve të mëdha për sukses. Falja e pesë kohëve të namazit nuk duhet as të kontestohet, edhe pas Ramazanit, sepse ato janë obligim, porse përpiqu t’i kryesh në formën më të mirë. Nëse je treguar i kujdesshëm në Ramazan në faljen e pesë kohëve të namazit, kjo tregon se ti mundesh t’i falësh edhe më pas. Nëse ke shtuar edhe namaz vullnetar, apo ke lexuar Kuran, apo ke bërë dhikër, apo ke bërë lutje, mundesh edhe pas Ramazanit t’i bësh ato. Le të përpiqet njeriu e të mundohet. Secili do ta gjejë vetën në një adhurim më shumë sesa në një tjetër (prej adhurimeve vullnetare).

» Shoqërimi me njerëz të mirë. Një nga shkaqet më të mëdha që na ka nxitur në adhurime gjatë Ramazanit është masa e madhe e njerëzve (duke agjëruar e duke u falur bashkë). Duhet t’i largohesh shoqërisë që bëjnë ndalesa dhe janë larg veprave të mira. Këtu nuk duhet të harrojmë prezantimin në ligjëratat fetare ku mësohet feja dhe përkujtohet Allahu.

***

Pas përfundimit të Ramazanit, është prej edukatës që besimtari të kërkojë pranim të veprave të mira dhe kërkim falje për lëshimet e gabimet. Një ndër shenjat që tregon se vepra të është pranuar tek Allahu, është vazhdimësia e saj edhe pas Ramazanit. Allahu sjell qortime në Kuran për ata të cilët veprat e mira i pasojnë me të këqija, si: “Mos u bëni si ajo gruaja që e shprish dhe e bën fije-fije atë që e ka tjerrë fort…” Nahl 92. A ka vepër më të shëmtuar se ajo që vjen pas veprës së mirë?! Sa mirë është kur vepra e mirë vazhdohet dhe pasohet me vepra të mira.

 

Hoxhe Bajram Sefedini.

Transkriptim.

Madhësia e tekstit