Vlera dhe dispozitat e dhjetë netëve të fundit të muajit të ramazanit

Bismilahi Rrahmani Rrahim

Falënderimi dhe lavdërimi i takon Allahut, i Cili ua mundësoi robërve të Tij t’i arrijnë çastet e mirësive dhe ibadeteve në mënyrë që ata të pajisen me vepra të mira dhe të pendohen tek Zoti i tyre nga veprat e këqija, t’ua shumfishojë shpërblimet, t’ua shfaqë gjerësinë e bujarisë së Tij dhe t’ua zbret mëshirën dhe mirësitë e Tij. Atë e lavdërojmë për begatitë dhe mirësitë e Tij të plota.

Dëshmoj se nuk meriton të adhurohet me të drejtë askush pos Allahut, i Cili nuk ka ortak. Ai është ligjëvënës dhe ligjet e Tij i bëri të lehta sepse është mëshirues dhe falës i mëkateve. Dëshmoj se Muhammedi (salallahu alejhi ve selem) është rob dhe i dërguar i Tij, i cili i shfrytëzonte çastet e begative dhe nxiste të tjerët të jenë të përkushtuar, si dhe tërhiqte vërejtjen që ato të mos humben, duke këshilluar ummetin dhe duke u përpjekur që atij t’i sjellë të mira dhe t’ia largojë të këqijat, salavatet e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij të cilët iu kapën udhëzimit të tij dhe ecën sipas sunnetit të tij.

O ju muslimanë! Keni frikë Allahun dhe ta dini se jeni në pritje të dhjetë netëve të bekuara, dhjetë netët e fundit të muajit të madh të ramazanit. Ato janë dhjetë netë të cilat Allahu i ka veçuar me mirësi dhe shpërblime të shumta.

Ndër veçoritë e këtyre netëve është se: Pejgamberi (sal-Allahu alejhu ve sel-lem) i përkushtohej ibadetit më shumë se në netët tjera. Muslimi transmeton nga Aisheja (radij Allahu anha) të ketë thënë: “Pejgamberi përkushtohej në dhjetë netët e fundit të muajit të ramazanit më shumë se në netët tjera”. Po ashtu Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Aisheja të ketë thënë: “Kur vinin dhjetë netët e fundit të ramazanit, Pejgamberi largohej nga marrdhënjet intime me bashkëshortet, e kalonte tërë natën me falje të namazit dhe e zgjonte edhe familjen e tij”. Kjo përfshinë përpjekjet në të gjitha llojet e ibadeteve gjatë këtyre netëve, si faljen e namazit, leximin e Kur’anit, dhikrin, tesbihët, istigfarin (kërkimin e faljes), sadakanë e të tjera. Pra, në këto dy hadithe dhe të tjera që janë në këtë kuptim, tregohet se gjatë këtyre netëve Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) ishte i përkushtuar vetëm në ibadet, andaj duhet që edhe ti o musliman të lirohesh nga punët e dunjasë apo t’i pakësosh ato dhe t’i përkushtohesh më tepër ibadetit duke e pasuar Pejgamberin tënd dhe duke kërkuar shpërblimin dhe faljen e mëkateve.

Ndër veçoritë e këtyre netëve të bekuara është përkushtimi në faljen e namazit të natës, duke qëndruar gjatë me zgjatjen rukusë dhe sexhdes. Pastaj të zgjohet edhe familja, në mënyrë që edhe ata të marrin pjesë së bashku me muslimanët në përjetimin e këtij ibadeti, e po ashtu që të marrin pjesë në shpërblimin dhe të edukohen në kryerjen e ibadeteve dhe respektimin e këtij rasti fetar.

Ndaj kësaj çështjeje janë të shkujdesur shumë njerëz, të cilët i lënë fëmijët e tyre të lozin nëpër rrugë tërë natën duke u marrë me disa çështje që u bëjnë dëm në jetën dhe në fenë e tyre. Me të vërtetë është privim nga e mira dhe humbje e madhe për një numër muslimanësh kur i sheh ata t’u kalojnë pranë këto netë të mëdha, kurse ata së bashku me familjet e tyre qëndrojnë plotësisht të shkujdesur dhe larg tyre.

Ata i kalojnë këto çaste të vlefshme në gjëra të padobishme, duke kaluar natën me dëfrime të kota dhe, kur të vie koha e namazit të natës ata bien të flenë duke ia humbur vetvetes shumë të mira që ndoshta vitin tjetër nuk do t’i arrijnë! Ata kanë ngarkuar mbi supet e veta dhe të familjes së tyre mëkate të rënda që nuk kanë menduar fare në pasojat e tyre. Me të vërtetë kjo është lojë e shejtanit i cili i ka mashtruar ata dhe i ka penguar nga rruga e Allahut …

Ndoshta dikush thotë: Namazi i natës është nafile dhe mua më mjafton të kujdesem për farzet. Përgjigjja ndaj kësaj është të themi se: Në përkujdesjen ndaj farzeve ka shumë të mira, dhe sigurisht që ditën e gjykimit do të pyetesh vetëm për farzet, por ku e di ti se i ke kryer farzet ashtu si duhet? Pra, ti ke nevojë për nafile që në Ditën e Gjykimit me to të plotësohen mangësitë e bëra në farze. Tirmidhiu dhe të tjerë transmetojnë se Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) ka thënë: “Zoti thotë: “shikoni se a ka robi Im ndonjë nafile që me to t’i plotësohen mangësitë që i ka bërë në farze…”.

Pra, Allahu i Madhërishëm i ka caktuar farzet dhe Ai e ka ditur se robërit e Tij do të jenë neglizhentë në kryerjen e tyre, andaj i ka ligjësuar nafilet që me to të kompsensohen gjërat që janë neglizhuar (si mëshirë për ta). Ai i ka ligjësuar nafilet sipas llojeve të farzeve, prandaj një pjesë të namazeve e ka bërë farz kurse pjesën tjetër nafile, po ashtu një pjesë të zekatit e ka bërë farz dhe një pjesë tjetër nafile (sadakanë), ashtu edhe agjërimi është farz një pjesë kurse pjesa tjetër nafile, e po ashtu edhe haxhi. Pra gati sa s’mund të gjeshë ndonjë ibadet farz përveç se nga lloji i tij do të ketë edhe nafile.

Andaj, edhe nëse pohojmë se ti i ke kryer farzet si duhet, prapë ti je i urdhëruar që ta pasosh Pejgamberin tënd (sal-Allahu alejhi ve sel-lem), i cili vazhdimisht ka bërë ibadet gjatë natës, sidomos gjatë këtyre netëve. Aisheja, nëna e besimtarëve i pat thënë një njeriu: “Mos e le pa e falë namazin e natës, sepse i dërguari i Allahut nuk e lente pa e falë, ndërsa kur ai ishte i sëmurë falej ulur”.

O ju muslimanë! Ndër veçoritë e këtyre dhjetë netëve është se shpresohet që në mesin e tyre është nata e kadrit, për të cilën Allahu ka thënë: “Nata e kadrit është më e mirë se njëmijë muaj”. Nehaiu thotë: “Veprat në këtë natë janë më të vlefshme se njëmijë muaj tjerë” – kurse një mijë muaj, o rob i Allahut! bëjnë tetëdhjetë e tri vite e katër muaj!. Kurse Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Ebu Hurejre se Pejgamberi (sal-Allahu alejhi ve sel-lem) ka thënë: “Kush qëndron duke u falur në natën e kadrit duke besuar Allahun dhe duke shpresuar në shpërblimin e Tij, do t’i falen mëkatet e mëparshme”.

Kjo natë është në mesin e dhjetë netëve të fundit të ramazanit, duke u bazuar në hadithin muttefekun alejhi të Pejgamberit, ku thotë: “Kërkojeni natën e kadrit në mesin e dhjetë netëve të fundit të ramazanit”. Andaj, nuk do të përfitosh nga kjo natë përveç nëse ngritesh për të bërë ibadet përgjatë gjithë këtyre dhjetë netëve. Allahu e ka fshehur këtë natë nga robërit e Tij si mëshirë për ta, që të shtohen veprat e tyre në kërkim të saj, me falje të namazit, dhikër, dua, në mënyrë që këto t’ua shtojnë shpërblimin dhe afrimin tek Allahu. Po ashtu, Allahu e ka fshehur këtë natë që t’i provojë robërit e Tij, që me këtë të dallohet ai i cili ka dhënë mund dhe ka qenë i përkushtuar për ta kërkuar atë, ndaj atij i cili ka qenë përtac dhe i painteresuar. Sepse, ai i cli është i ineresuar domosdo bën përpjekje në kërkimin e saj…

Vëni re! Sikur të publikohej lajmi se pjesmarrja në aksione në një kompani është me shpresë se do të jetë fitimprurëse, a do të grumbulloheshin njerëzit për pjesëmarrje dhe do ta përballonin edhe lodhjen edhe shpenzimin e pasurisë? Kurse atyre që u humbet rasti nga kjo u vie shumë keq! E si qëndron çështja me ata të cilët ikin qëllimisht nga pjesmarrja në aksione për xhennet tek i Gjithmëshirshmi, tek i Cili fitojnë shumëfishin pa llogari ata të cilët bëjnë vepra të mira?! Kjo është një braktisje e së mirës dhe privim nga ajo! Ndërsa, Allahu thotë: “Por ju, përkundrazi, më shumë po e parapëlqeni jetën e kësaj bote, ndonëse jeta tjetër është më e mirë dhe e përjetshme.” (El-A’la:16-17).

O ju muslimanë! Ndër veçoritë e këtyre netëve të bekuara është edhe I’tikafi (qëndrimi) në xhami. Ky është një ibadet i konfirmuar në Librin e Allahut dhe sunnetit e Pejgamberit. Allahu thotë: “Mos iu afroni atyre (bashkëshorteve) gjatë kohës kur jeni duke bërë I’tikaf në xhamia.” (El-Bekareh: 187). Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Aisheja të ketë thënë: “Pejgamberi bënte I’tikaf në dhjetë netët e fundit të ramazanit deri në kohën kur vdiq.”

Qëllimi me I’tikafin është: Të qëndruarit i tërhequr nga njerëzit duke ndejur në xhami për t’iu përkushtuar ibadetit të Allahut, për të kërkuar mirësitë dhe shpërblimet e Tij dhe arritjen e natës së kadrit.

Me këtë rast, ai i cili bën I’tikafin obligohet që t’i përkushtohet dhikrit, leximit të Kur’anit, faljes së namazit dhe ibadeteve tjera, dhe të largohet nga bisedat e padobishme të dunjasë. Nuk prishë punë nëse bisedohet deri në një masë dhe me fjalë të lejuara dhe të dobishme me familjen e tij dhe të tjerët, duke u bazuar në hadithin që e transmeton nëna e besimtarëve, Safija (radij Allahu anha), ku thotë: “Pejgamberi ishte në I’tikaf, dhe unë shkova ta vizitoj natën. Bisedova me të pastaj u ngrita për të shkuar në shtëpi dhe Pejgamberi u ngrit me mua”. Muttefekun alejhi.

Për atë që bën I’tikaf janë të ndaluara mërrdhënjet intime me bashkëshorten dhe gjërat që shpien deri te ajo, duke u bazuar në fjalën e Allahut: “Mos iu afroni atyre (bashkëshorteve) gjatë kohës kur jeni duke bërë I’tikaf në xhamia”.

Kurse sa i përket daljes nga xhamia me një pjesë të trupit s’prish punë, duke u bazuar në hadithin që e transmeton Aisheja (radij Allahu anha), ku thotë: “Pejgamberi e nxirrte kokën e tij nga xhamia duke qenë në I’tikaf, kurse unë ia laja kokën duke qenë në kohën e menstruacioneve”. Transmeton Buhariu.

Kurse sa i përket daljes së tërësishme nga xhamia, janë tri raste:

1 – Të dilet për një çështje të domosdoshme fiziologjike apo sheriatike, sikurse dalja për kryerjen e nevojës, për abdes, gusël, ushqim. Kjo është e lejuar, sepse nuk ka mundësi të bëhet në xhami, dhe nëse disa nga këto mund të bëhen në xhami, atëherë nuk lejohet dalja për të, si psh nëse dikush ia sjell ushqimin në xhami, atij nuk lejohet që të dal jashtë xhamisë për shkak të ushqimit.

2 – Të dilet për një ibadet që nuk është obligim për të, sikurse vizita e të sëmurit, prezentimi për xhenaze etj, këto ai nuk duhet t’i bëjë përveç nëse këtë e ka kushtëzuar në fillim të I’tikafit të tij, si psh ka ndonjë të sëmurë që dëshiron ta vizitojë apo ka frikë se ai të vdes, atëherë këtë dalje duhet ta kushtëzojë në fillim të I’tikaftit të tij dhe s’prishë punë nëse del pastaj.

3 – Dalja për një çështje që bie ndesh me I’tikafin, sikurse dalja për shitblerje, për mardhënie intime me bashkëshorten etj, këto nuk duhet t’i veprojë edhe nëse i ka kushtëzuar, sepse kjo vie ndesh me qëllimin e I’tikafit.

Lusim Allahun e Madhërishëm të na jap shëndet, sabër dhe sukses në kryerjen e ibadeteve gjatë këtyre netëve kaq të vlefshme dhe të jemi prej atyre që kanë vjelur shpërblime nga shpërblimet e shumta të Allahut gjatë këtyre netëve.

Salavatet dhe selamet qofshin mbi të dërguarin tonë Muhammedin, mbi familjen dhe shokët e tij. Lutja jonë e fundit është Elhamdu lilahi Rabbil alemin.

Shkëputur nga librat: “Mexhalisu Shehri Ramadan” – Shejh Muhammed bin Salih el-Uthejmin – Allahu e mëshiroftë, dhe “El-Hutab el-Minberijje” – Shejh Salih el-Fevzan – Allahu e ruajtë!

Mblodhi dhe përktheu: Jeton Bozhlani

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit