Vlera e zbukurimit të zërit gjatë këndimit të Kuranit

Vlera e zbukurimit të zërit gjatë këndimit të Kuranit

زَيِّنُوا الْقُرْآنَ بِأَصْوَاتِكُمْ

Transmetohet se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Zbukurojeni Kuranin me zërat tuaj!” D.m.th.: Zbukurojini zërat tuaj gjatë leximit të Kuranit.

Ai të cilit Allahu i ka dhuruar zë të bukur, duhet të dijë se me çfarë mirësie të madhe e ka veçuar Allahu. Le t’ia di vlerën kësaj begatia duke e lexuar Kuranin për hir të Allahut. Ai le të ketë kujdes që me leximin e Kuranit të mos tërheqë dëgjimin e njerëzve (duke bërë vend dhe pozitë tek ta), në shenjë lakmie ndaj kësaj bote, lëvdatave të të tjerëve dhe pozitave të ithtarëve të dunjasë etj. Nëse shpirti anon kah këto gjëra, atëherë zëri i tij do të jetë sprovë për të. Zëri i bukur i sjellë dobi njeriut kur ai e ka frikë Allahun në vetmi dhe në publik[1] dhe kur e lexon Kuranin me zë të bukur në mënyrë që ata të dëgjojnë Fjalën e Allahut dhe të përfitojnë (të zbatojnë obligimet e të largohen prej ndalesave). Të mos e bëjë këtë gjë (hifzin dhe zërin e bukur) si profesion për të fituar gjëra materiale të jetës së kësaj bote.

***

إِنَّ مِنْ أَحْسَنِ النَّاسِ صَوْتًاً بِالْقُرْآنِ مَنْ إِذَا سَمِعْتَهُ يَقْرَأُ ، أُرِيتَ أَنَّهُ يَخْشَى اللهَ

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Vërtet, prej njerëzve me zërin më të bukur gjatë leximit të Kuranit, është ai të cilin kur e dëgjon, të duket se ai i frikësohet Allahut gjatë leximit (Kurani i ka depërtuar në zemër).”  

Ajo që kërkohet fetarisht është zbukurimi i zërit gjatë këndimit të Kuranit, mirëpo të jetë i atillë që nxitë në meditim rreth Fjalës së Allahut dhe në përulje e bindje ndaj Tij. Ndërsa, sa u përket zërave dhe tingujve të shpikur të cilët bëhen sipas rregullave muzikore, Kurani duhet të qëndrojë larg prej tyre dhe të madhërohet.

Kur njeriu lexon Kuran, duhet të sjellë ndërmend madhështinë e Allahut dhe të dijë se është duke e lexuar Fjalën e Tij. Kjo pastaj do të shfaqet në gjymtyrët e tij – do të ketë përulje dhe frikë ndaj Allahut (do të ndikohet).[2]

***

Personi që lexon Kuran duhet ta lexojë atë ngadalë, qartë dhe pa nxituar. Kështu do të përfitojë ai dhe të tjerët që dëgjojnë. Një lexim i paktë nga Kurani, por duke medituar, është më mirë sesa leximi i shumtë pa e ditur se çfarë lexon. Në këtë aludon Kurani, suneti dhe fjalët e dijetarëve. Allahu thotë: “Ky (Kuran) është një libër i bekuar, që Ne ta kemi zbritur ty (Muhamed), për të përsiatur mbi vargjet e tij dhe për t’u këshilluar me të mendarët.” Sad 29.  Kur njeriu lexon duke medituar në atë që lexon prej Kuranit,[3] atëherë kjo ia shton besimin e bindjen dhe bën të shtojë veprat e mira e të largohet prej mëkateve. Ky lexim do t’i shfaqet në zemër, në gjuhë dhe në gjymtyrë.

Me moralet e larta e të mira, të përmendura në këtë libër, duhet të edukohen e të cilësohen bartësit e Kuranit, dhe të zmbrapsen nga moralet e ulëta e jo të mira të përmendura në të.

[1] Nëse Allahu e begaton dikë me zë të bukur apo me pamje të bukur dhe del shfaqet në internet duke kënduar Kuranin, pa e pasur zemrën të mbushur me frikë ndaj Allahut dhe pa pasur dije të bollshme që ia mban nën kontroll nijetin e tij, atëherë është shumë me rrezik të ndikohet prej lëvdatave dhe t’i prishet nijeti.

[2] Të qarët gjatë këndimit të Kuranit: Kënduesi i Kuranit të shfaqë pikëllim gjatë leximit të Kuranit dhe të nxisë veten të qajë. Mirëpo, rasti i përshtatshëm ta bëjë këtë është kur ai është vetëm, ndërsa në praninë e të tjerëve nuk është prej edukatës së mirëfilltë të bëjë sikur po qan apo ta nxisë veten të qajë. Shtirja e tillë para njerëzve nuk është prej sunetit, përkundrazi në këtë rast duhet ta ndalë atë. Kështu kanë vepruar sahabët. Ata kur kanë lexuar para njerëzve nuk kanë qarë, përveç nëse e qara i ka mundur. Nëse njeriu gjatë këndimit të Kuranit para njerëzve e bën zërin kinse është duke qarë (edhe pse nuk i vije të qajë), në mënyrë që ata pas tij (në namaz) të nxiten të qajë, kjo është aktrim dhe nuk është në rregull.

[3] Ka pasur prej dijetarëve të cilët kanë bërë disa hatme paralelisht, si: një hatme e ka kryer për çdo javë duke lexuar më shpejt, një hatme e ka kryer për një muaj, një hatme e ka kryer për çdo vit duke medituar thellë në ajete etj.

Hoxhë Petrit Perçuku.
🖊Transkriptim.

Madhësia e tekstit