Zbritja e Allahut në qiellin e kësaj bote

Zbritja e Allahut në qiellin e kësaj bote

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Zoti ynë zbret në qiellin e dunjasë çdo natë, kur mbetet pjesa e tretë (e fundit) e saj, dhe thotë: “Kush më lutet Mua që t’i përgjigjem? Kush kërkon prej Meje që t’i jap? Kush kërkon falje prej Meje që t’ia fal mëkatet?” Buhariu dhe Muslimi.

Përmes këtij hadithi kuptojmë se sa e madhe është Mëshira e Allahut, sa e gjerë është bujaria e Tij dhe sa shumë kujdeset për robërit e Tij, saqë ka caktuar një pjesë të kohës që të zbresë dhe t’iu afrohet atyre në mënyrë që ata t’ia shfaqin Atij nevojat që kanë, qoftë nëse ato lidhen me fenë apo me dunjanë e tyre.

Qëllimi me zbritjen në këtë hadith është zbritja e vetë Allahut (e jo siç kanë thënë disa keqinterpretues të hadithit se zbret Urdhri i Allahut, apo çështjet e Tij, apo Mëshira e Tij, ndërsa disa të tjerë e kanë mohuar zbritjen e Allahut dhe kanë thënë se zbret një engjëll e i thotë ato fjalë).

Allahu zbret dhe është larg krijesave të Tij. Me zbritjen e Allahut nuk nënkuptohet se qielli e mban Atë, apo se qiejt e tjerë e rrethojnë apo qëndrojnë mbi Atë. Asgjë nuk e rrethon Allahut. Por, Ai i ka përfshirë të gjitha krijesat e Tij. Allahu zbret në të vërtetë dhe mbetet në lartësimin e Tij në të vërtetë, mbi Arshin e Tij, i lartësuar mbi krijesat e Tij.

Forma dhe mënyra se si zbret Allahu, është një gjë e panjohur për ne. Kjo thuhet për të gjitha Cilësitë e Allahut.

Ndërsa, lidhur me çështjen se a mbetet bosh Arshi i Allahut pasi Ai të zbresë, duhet të heshtim siç kanë heshtur edhe sahabët.

Zoti ynë zbret në qiellin e dunjasë” – Kjo është zbritje e vërtetë (e nuk ka kuptim metaforik apo alegorik). Allahu zbret me zbritje e cila i takon madhërisë së Tij. Muslimanit nuk i lejohet ta mohojë apo ta refuzojë këtë Cilësi të Allahut e as nuk i lejohet ta përngjasojë apo shëmbëllejë me cilësitë e krijesave (me zbritjen e tyre). Zbritja e Allahut nuk është sikur zbritja e krijesave. Siç e dimë, asgjë dhe askush nuk i shëmbëllen Allahut. Muslimani e ka për obligim të besojë këtë Cilësi të Allahut, ta pranojë për të vërtetë dhe të thotë se Zoti ynë zbret në qiellin e dunjasë ashtu siç ka thënë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem.

Allahu zgjedh me vullnetin dhe dëshirën e Tij të zbresë në pjesën e tretë të natës, dhe me këtë pohohen Cilësitë veprore të Tij.

në qiellin e dunjasë” – Allahu ka krijuar shtatë qiej, dhe ky qiell qëndron më afër me tokën. Ai zbret në këtë qiell në pjesën e tretë të natës që t’iu afrohet robërve të Tij, ashtu siç zbret edhe në mbrëmjen e ditës së Arafatit që t’ua pranojë lutjet dhe mburret para engjëjve me ata që qëndrojnë në Arafat. Formën se si është kjo Cilësi e Allahut, ne nuk e dimë.

çdo natë” – gjatë tërë vitit.

 “kur mbetet pjesa e tretë (e fundit) e saj” – Nata (me të cilën ndërlidhen dispozitat fetare) fillon me perëndimin e diellit dhe përfundon me agimin e mëngjesit. Për ta llogaritur pjesën e tretë të natës, atëherë e ndan natën në tri pjesë. Besimtarët e përzgjedhur i kushtojnë rëndësi kësaj pjese të natës duke u zgjuar dhe duke e adhuruar Allahun me namaz e lutje. Ata falen me përulje dhe luten me përgjërim duke shpresuar në arritjen e asaj që Allahu ka premtuar përmes gjuhës së Pejgamberit salallahu alehi ue selem që ka ardhur në këtë hadith, megjithëkëtë i frikësohen Allahut për refuzimin e lutjeve të tyre shkaku i mëkateve që kanë bërë. Besimtarët e lusin Allahun duke qenë mes frikës dhe shpresës, dhe njëkohësisht njohin përsosmërinë dhe madhështinë e Allahut. Kur e lusin Allahun në këtë mënyrë, zemrat e tyre mbushen me besim, madhërim, respektim dhe bindje ndaj Tij. Ai që zgjohet në pjesën e tretë të natës dhe fal namaz, lutet e kërkon falje tek Allahu, ai do të shijojë ëmbëlsinë e besimit.

“…dhe thotëKush më lutet Mua që t’i përgjigjem?” – Vjen në formë të pyetjes që të nxisë dhe inkurajojë besimtarët që të zgjohen e ta lusin Allahun. Pra, Allahu zbret për ta dhe i thërret ata. Kush është ai që i lutet Allahut duke iu drejtuar me fjalët: “O Zot…”

Kush kërkon prej Meje që t’i jap?” – Kush është ai që i kërkon Allahut, si: “Kërkoj të më japësh Xhenetin!” Dhe të tjera.

“Kush kërkon falje prej Meje që t’ia fal mëkatet?” – Kush është ai që thotë: “O Allah, më fal!”, apo “Kërkoj faljen Tënde!”

Dobitë e përfituara nga hadithi: Kemi nxitje dhe inkurajim për shtimin e lutjeve dhe istigfarit gjatë pjesës së tretë të natës. Në hadith ka argument që tregon për vlerën e madhe të lutjes. Lutja i sjell dobi atij që lutet. Këtu kemi kundërpërgjigje ndaj injorantëve prej sufive të cilët thonë se lutja nuk bën dobi tek Allahu. Pa dyshim ky është mendim i refuzuar të cilin e kundërshton Kurani e suneti dhe logjika e shëndoshë. Lutja është prej adhurimeve më të vlefshme. Andaj, nuk lejohet t’i kushtohet dikujt tjetër përveç Allahut. Kushdo që lut dikë tjetër përveç Allahut, ka vepruar shirk dhe është jobesimtar. Dhe koha më e mirë dhe më e vlefshme për të bërë lutje dhe istigfar është pjesa e fundit e natës, e cila është një kohë kur lutjet marrin përgjigje prej Allahut. Në hadith pohohet mëshira, mirësia, nderi dhe butësia e Allahut ndaj robërve të Tij. Pohohen gjithashtu këto Cilësi të Allahut: Dhënia, përgjigja ndaj lutjes dhe falja e mëkateve. Muslimani duhet ta shfrytëzojë këtë kohë që të lutet dhe t’i kërkojë falje Allahut. Prej jetës sonë, si jetë e vërtetë, llogaritet vetëm ajo kohë e kaluar në adhurime.

Hoxhë Lulzim Perçuku
🎙Transkriptim

Madhësia e tekstit