20. Këshilla të dobishme

  • Rezultati i kërkimit të dijes tek selefët

Imam Hasen El-Basriu (Allahu e mëshiroftë) tregon: “Në kohën tonë, kur njeriu kërkonte dije fetare, nuk vononte shumë dhe kjo menjëherë vërehej në modestinë, shikimin, fjalët, duart, namazin dhe asketizmin e tij.” (Imam ibn El-Mubareku në Ez-Zuhd, 1/156).

 

  • Imam ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Muslimanët në mesin e njerëzve tjerë janë të huaj; besimtarët (e vërtetë) në mesin e muslimanëve janë të huaj; dijetarët në mesin e besimtarëve janë të huaj. Ehlu Suneti, të cilët bëjnë që ai (suneti) të dallohet nga tekat e njerëzve dhe bidatet (shpikjet në fe) janë të huaj; pastaj ata që thërrasin drejt Sunetit dhe që durojnë ndaj lëndimeve të kundërshtarëve janë më të huajt nga të gjithë këta. Mirëpo ata janë ithtarët e vërtetë të Allahut. Në të vërtetë, ata nuk ndihen të huaj, por kjo gjendje e tyre është në raport me njerëzit e tjerë, për të cilët Allahu thotë: “Nëse i bindesh shumicës së njerëzve që gjenden në tokë, ata do të të shmangin nga rruga e Allahut. Ata ndjekin vetëm hamendjet. Ata vetëm gënjejnë.” (El-En’am, 128). Pikërisht këta njerëz janë të huajt, ngaqë janë larg Allahut dhe të Dërguarit të Tij. E, kjo është vetmia e egër.” (Medarixh Es-Salikin, 3/195-196).

 

  • Hatim El-Esam (Allahu e mëshiroftë) thoshte: “Unë i kam tri cilësi, me të cilat e mposhti kundërshtarin tim.” “Na i trego ato” – thanë të pranishmit. “Gëzohem kur kundërshtari im ia qëllon dhe pikëllohem kur gabon, si dhe e përmbaj veten që të mos i bëj padrejtësi atij.” Kur i treguan imam Ahmedit për këto fjalë, tha: “SubhanAllah! Sa njeri i mençur që ishte.” (El-Muntedham, i ibn Xheuzit, 1/220).

 

*”El-Esam” në gjuhën arabe do të thotë i shurdhët. Tregohet se shkak për emërtimin e tij me këtë nofkë ishte ngjarja kur një grua i erdhi për ta pyetur për një mesele të fesë, mirëpo poshtë saj u dëgjua një zë (gaz i barkut). Ajo u turpërua shumë, por ai për ta qetësuar atë i tha: “Ngrite zërin!” dhe u paraqit kinse ishte i shurdhër. Kështu, prej kësaj dite te njerëzit u bë i njohur me këtë nofkë.

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Shikimi në haram ndikon në zemër ashtu siç ndikon shtiza që e godet cakun; nëse nuk e vret, e plagos atë.” (Raudatu El-Muhibbine, 97).

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Sikur të bënit mëkate derisa ato të arrijnë qiellin, pastaj të pendoheshit, Allahu do t’ua pranonte pendimin.” (Es-Sahiha, 902).

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kush e pason të Dërguarin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), Allahu kujdeset për të, i ndihmon dhe e furnizon.” (El-Ka’idetu El-Xhelile, 221).

 

  • “Nëse jetën tënde materiale e krahason me atë të të pasurve, atëherë krahasoje edhe adhurimin tënd me atë të të devotshmëve.”

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “A mos mendon ai që ia kthen shpinën Kuranit dhe Sunetit se do të shpëtojë nga Zoti i vet përmes opinioneve të njerëzve?!” (El-Beda’iu fi Ulumi El-Kuran, 400).

 

  • Dijetari AbduRrahman Al Esh-Shejh (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Përkushtohu në përhapjen e teuhidit përmes argumenteve të tij të veçanta e të përgjithshme, sepse shumica e njerëzve e kanë hedhur prapa shpine këtë dije.” (El-Matleb El-Hamid, 273).

 

  • Imam ibn Baz (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Libri më i mirë, më madhështor e më i vërtetë që duhet të lexohet për të mësuar besimin, dispozitat fetare dhe sjelljet, është libri i Allahut (Kurani).” (Mexhmu’u El-Fetaua, 7/70).

 

  • Ibn Mes’udi (radijAllahu anhu) thotë: “Nëse e shihni dikë duke bërë mëkat, mos u lutni kundër tij dhe mos e fyeni, por luteni Allahun që ta shpëtojë prej atij mëkati.” (Et-Teube, ibn Ebi Ed-Dunja, 99).

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë duke shpjeguar hadithin: “Thëniet subhanAllah (i pastër nga çdo e metë është Allahu) dhe elhamdulil-lah (çdo lavdërim i përket Allahut) e mbushin hapësirën mes qiejve dhe tokës”, thotë: “Kjo sepse këto dy thënie përmbajnë pastrimin e Allahut nga çdo e metë, siç është thënia subhanAllah, dhe cilësimin e Tij me çdo përsosmëri, siç është thënia elhamdulil-lah.” (Sherh Rijad Es-Salihin, 1/189).

 

  • Imam ibn Baz (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Njeriu ka nevojë për dije, largpamësi e udhëzim, dhe kjo arrihet vetëm përmes devotshmërisë.” (Mexhmu’u El-Fetaua, 2/285).

 

  • Alij ibn Hashram (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kurrë nuk kam parë libër në dorën e Uekiut; ai çdo gjë e dinte përmendsh. Andaj e pyeta për ilaçin e nxënies përmendsh dhe më tha: “Nëse të tregoj për ilaçin, a do ta përdorësh atë?”  “Po, pasha Allahun” – ia ktheva. Ai tha: “Lëri gjynahet, sepse s’kam provuar diçka më të dobishme për nxënie përmendsh sesa kjo!” (Sijer A’lam En-Nibela’, 9/151).

 

  • Imam Ahmedi (Allahu e mëshiroftë) u pyet: “Çfarë kuptimi ka vënia e dorës së djathtë mbi dorën e majtë në namaz?” Ai u përgjigj: “Është shprehje e përuljes para të Gjithëfuqishmit (Allahut).” (Tabekat El-Hanabile, 1/81).

 

  • Disa njerëz të urtë thoshin: “Ruaj katër gjëra, do të shpëtosh nga çdo e keqe: syrin, gjuhën, zemrën dhe epshin.” (Ez-Zehru El-Fatih, 71).

 

  • Allahu i Lartësuar thotë: “Për ata që i frikësohen paraqitjes para Zotit të vet, do të ketë dy kopshte (xhenete)!” (Er-Rahman, 46). Imam Es-Si’idij (Allahu e mëshiroftë) shpjegon: “Do të thotë, për atë që i frikësohet Zotit të vet dhe qëndrimit para Tij (për llogaridhënie), dhe si rezultat i kësaj frike i braktis haramet dhe i kryen obligimet, do të ketë (si shpërblim) dy xhenete, ku enët, stolitë, pallatet dhe çdo gjë tjetër në to është nga ari. Pra, një xhenet si shpërblim për lënien e harameve dhe tjetri si shpërblim për kryerjen e veprave të mira.” (Tefsir Es-Si’idij, 831).

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nevoja për krijesa është përulje dhe nënçmim, ndërsa nevoja për Allahun e Lartësuar është krenari dhe adhurim.” (Sherh Rijad Es-Salihin, 1/529).

 

  • Hyri një njeri tek imam Ahmedi për ta vizituar ngaqë ishte i sëmurë dhe i tha: “Më këshillo!” Imam Ahmedi bëri me shenjë drejt gjuhës. (Domethënë ruaje gjuhën). Tabekat El-Hanabile, 1/390.

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Kush e njeh Allahun, përmallohet për Të. E, pasi që njohja e Tij s’ka fund, po ashtu edhe përmallimi i atij që e njeh Atë është i pafund.” (Tarik El-Hixhratejn, 2/763).

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Janë gjashtë të drejta që muslimani i gëzon ndaj muslimanit tjetër.” Të pranishmit i thanë: “Cilat janë ato?” Ai i tha:
  1. 1. Kur ta takosh, përshëndete me selam.
  2. Nëse të thërret, përgjigju thirrjes së tij.
  3. Nëse të kërkon këshillë, këshilloje.
  4. Nëse teshtin dhe thotë “elhamdulil-lah”, thuaj “jerhamukAllah” (Allahu të mëshiroftë).
  5. Nëse sëmuret, vizitoje.
  6. Nëse vdes, përcillja xhenazen.” (Muslimi).

 

  • Imam ibn Baz (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nëse njeriut i përmirësohet besimi dhe bëhet i qëndrueshëm në fe, i plotësohen të gjitha shkaqet e lumturisë.” (Mexhmu’u El-Fetaua, 20/323).

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Nëse zemra është e sëmurë, atë e dëmton dhe e shqetëson dyshimi apo epshi më i vogël që i shfaqet.” (Igathetu El-Lehfan, 1/18).

 

  • Ahmed ibn Asim (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nëse je duke e kërkuar përmirësimin e zemrës, atëherë ndihmohu përmes ruajtjes së gjuhës.” (Tarih Dimeshk, ibn Asakir, 71/222).

 

  • Imam ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Adhurimi qëndron mbi tri themele:
  1. Frikën (ndaj Allahut)
  2. Shpresën (në Të)
  3. Dashurinë (ndaj Tij).

Secili nga ta është obligim, e po ashtu edhe bashkimi mes tyre.” (Mexhmu’u Er-Resail, 3/292).

 

Përktheu: hoxhë Petrit Perçuku.

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva