Nuk barazohet e keqja me të mirën
Allahu thotë: “Nuk barazohet e keqja me të mirën…” Maide 100. Për këtë parim njeriu ka nevojë të madhe në jetën e tij të përditshme, në aspektin e krahasimit të gjërave (fjalëve, veprave, sjelljeve, shkrimeve etj.), se cila gjë është në pajtim me mësimet e fesë e cila jo. Allahu pas këtij ajeti vazhdon të thotë: “…edhe sikur të të habisë bollëku i së keqes. Prandaj kijeni frikë Allahun, o njerëz me intelekt, me qëllim që të shpëtoni.” Maide 100.
El khabith – e keqja, e ulëta, e ndyra, është çdo gjë që urrehet për shkak të së keqes që është brenda saj, qoftë konkrete apo abstrakte, pra çdo gjë që nuk e do Allahu dhe nuk është i kënaqur me të dhe përfundimi i së cilës është në Xhehenem. Njeriu në natyrshmërinë e tij urren të keqen.
Et tajjib – e mira, është obligimi, e pëlqyera, e lejuara, qoftë besim, fjalë, vepër, sjellje, pra çdo gjë të cilën e do Allahu dhe është i kënaqur me të. Nuk mund të krahasohet besimi me mosbesimin, as bindja me mosbindjen ndaj Allahut, as banorët e xhenetit me banorët e xhehenemit, as veprat e mira me veprat e këqija, as pasuria e ndaluar me pasurinë e lejuar etj.
Dikush mund të pyesë: “Pse Allahu ka thënë kështu kur dihet se kjo është e rrënjosur në natyrën e njerëzve?” Atëherë themi se, nuk është qëllimi vetëm që të na bëjë me dije se nuk mund të krahasohet e mira dhe e keqja, por qëllimi është që të na nxisë të jemi në anën e së mirës, qoftë besim, fjalë, vepër, sjellje, fitim etj., dhe të na paralajmërojë nga e keqja, qoftë besim i keq, fjalë, vepër, sjellje, fitim i keq etj. Pastaj, Allahu e di se shumë njerëz anojnë kah e keqja dhe i japin përparësi jetës së kësaj bote ndaj tjetrës, jetës së përkohshme ndaj jetës së përjetshme. Për këtë ka paralajmëruar që të ruhemi nga e keqja duke përdorur një metodë të mahnitshme e cila ia ndërpret arsyetimet secilit që anon kah ajo dhe që dëshiron ta kryejë atë me arsyen se shumica e veprojnë, “edhe sikur të të habisë bollëku i së keqes”.
Por, pse e keqja i mahnit (habit) disa prej njerëzve? Sepse edhe pse është e keqe në të ka kënaqësi, qoftë kënaqësi fizike apo kuptimore, që janë të përkohshme, dhe këto e joshin personin dhe anon kah to nëse ka besim të dobët, aq më tepër kur janë të shumta. E megjithatë, ato bëhen shkak për privimin e lumturisë së përjetshme në botën tjetër. Andaj, njeriu i logjikshëm nuk mashtrohet dhe e këshillon vetveten. Allahu thotë: “Por veprat e mira që mbeten përherë, janë më të mira te Zoti yt sa i përket shpërblimit dhe, janë më të mira sa i përket shpresës (për shpëtim).” Kehf 46.
Duke qenë kështu, e keqja edhe nëse të mahnit, të josh, me numrin e madh të saj, nuk mund të barazohet me të mirën. Kur njeriu kryen të mirën, atëherë gjen kënaqësi të shumtë, i bindet Allahut dhe është i sigurt nga dënimi i Tij në të dy botët.
Sa herë që vetja e josh ndaj një gjëje të keqe, le t’ia kujtojë vetes se mund ta arrijë atë, por që nuk mund t’i shpëtojë pasojave të saj. Ai që çlirohet nga epshi i tij, që e mbush zemrën me frikë ndaj Allahut dhe e di se është nën mbikëqyrjen e Tij, atëherë si rezultat do të zgjedhë veçse të mirën dhe vëren se do të irritohet nga e keqja e nuk do t’i afrohet asaj edhe nëse kjo gjë ia shkakton disa vështirësi. Ai e di se përfundimi është shpëtimi.
Kulmi i së mirës është kur e njeh Allahun, kur ke besim, kur e do dhe i bindesh Atij. Ky është xheneti i përshpejtuar në këtë botë, para botës tjetër. Njëri prej selefit ka thënë: “Sa të ngratë janë ithtarët e kësaj bote! Kanë dalë nga ajo pa shijuar gjënë më të mirë.” E kanë pyetur se cila është ajo gjë dhe ka thënë: “Njohja e Allahut, dashuria ndaj Tij, bindja ndaj Tij dhe prehja tek adhurimi ndaj Tij.” Kjo është jeta e mirë e premtuar nga Allahu për secilin që qëndron i palëkundur në rrugën e Tij. Ai do të ketë jetë të mirë shpirtërore, në dunja, në varr dhe në ahiret.
Allahu thotë: “Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë”. Nahl 97. Do t’iu japë jetë të mirë e të qetë shpirtërore. Këta janë pikërisht ata njerëz që janë të pastër në fjalë, në zemra, në vepra, në morale, andaj si rezultat edhe vdekjen do ta kenë të mirë, në besim, pastaj do ta kenë të mirë edhe daljen para Allahut në ahiret.
Ky parim konfirmohet shumë herë në Kuran në mënyrë që ne të punojmë me të. Përmendim disa raste:
─ Pasuria e lejuar (hallall), duke e bërë Allahu urdhër për të gjithë, “O të dërguar! Hani nga të lejuarat dhe bëni vepra të mira!” Muminun 51. “O besimtarë! Hani nga ushqimet e lejuara që ju kemi dhënë dhe”. Bekare 172. “Hani nga ato që ua ka dhuruar Allahu dhe mos ndiqni gjurmët e djallit. Ai është për ju armik i hapur”. Enam 142. Këto ajete na konfirmojnë se duhet t’i kushtojmë rëndësi të madhe këtij aspekti, duke shikuar se si po e fitojmë pasurinë dhe se çfarë po fusim në barqet tona. Sufjan eth Theuri (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Kërkimi i fitimit të lejuar (hallall) është punë e heronjve.” Selefi i ka kushtuar rëndësi të madhe kësaj çështjeje. Arsyeja sepse “Allahu është i Mirë dhe nuk pranon veçse të mirën”, siç ka ardhur në hadith. Ata nuk kanë dashur që trupi i tyre të ushqehet me të ndaluara apo me përfitim të ndaluar. Nëse do që Allahu të ta pranojë lutjen, duhet të ushqehesh me fitim të lejuar. Nëse do që Allahu të ta pranojë zekatin e lëmoshën, duhet ta kesh fitimin e lejuar.
Dijetarët kanë këshilluar që kur njeriu ka pasuri të madhe, le të japë lëmoshë sa më shumë, aq më tepër kur ka dyshime për fitimin e saj. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i është drejtuar tregtarëve në Medine: “O ju tregtarë! Shejtani dhe gjynahu janë prezent në shitblerjet tuaja. Andaj, përziejeni atë (tregtinë) me lëmoshë!” Lëmosha shlyen gjynahet e gjërat e kota që bëhen gjatë shitblerjes. Njeriu duhet të përpiqet që fitimin e tij ta ketë të lejuar dhe të ketë kujdes nga çdo gjë e cila mund t’ia njollosë atë, sidomos kur sot janë zgjeruar me të madhe llojet e tregtive të ndaluara, e lëre më ato që janë të dyshimta.
Nuk është në rregull e as e saktë të përdoret shumica si peshore. Nuk mund të argumentosh se diçka është e mirë, e pastër, pa gjynah, shkaku se veprohet nga shumica e njerëzve. Kjo nuk është peshore saktë. Abdullah ibn Mesudi radijAllahu ka thënë: “Mos u bëj pasues i verbër.” E kanë pyetur se çfarë është kjo dhe ka thënë: “Pasimi verbazi: nëse njerëzit bëjnë mirë, edhe ti bën mirë e nëse ata bëjnë keq, edhe ti bën keq.” Nëse do të dish se një gjë është ashtu siç kërkon Allahu, pa pasur të keqe në të, atëherë shiko se sa përputhet me ajetet e Kuranit dhe fjalët e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. Pra, kjo është peshorja me të cilën duhet të peshojmë gjërat, e jo numri (i shumtë i vepruesve) dhe sasia.
─ Thirrësi nuk duhet t’i ndahet metodologjisë së saktë në thirrjen e njerëzve në rrugën e Allahut, edhe nëse ata që përfitojnë prej tij janë të paktë në numër; të mos ndërrojë në mënyrë që të fitojë masën e shumicën. Nuk është qëllimi numri, por përfitimi dhe bartja e asaj dije te masa e gjerë.
Hoxhë Petrit Perçuku
🎙 Transkriptim


