Fundi i lumtur u takon atyre që i frikësohen Allahut
Allahu thotë: “Fundi i lumtur u takon atyre që i frikësohen Allahut”. Araf 128. Ky parim ngjall shpresë në zemrat e muslimanëve dhe i mbush ato me mirëbesim tek Allahu dhe me bindje ndaj Tij. Ky parim është përmendur te ngjarja e Musait kur e ka përgëzuar popullin e tij të cilët i kanë besuar, se për ta do të jetë përfundimi i mirë në këtë botë dhe tjetrën. Allahu thotë: “Musai i tha popullit të vet: “Kërkoni ndihmë nga Allahu dhe duroni, sepse toka është e Allahut. Ai ia jep atë trashëgim cilit të dojë prej robërve të Vet. Fundi i lumtur u takon atyre që i frikësohen Allahut.” Araf 128.
Ky parim ka ardhur me shprehje të përafërta në ajetin: “Përfundimi i lumtur qëndron në frikën ndaj Allahut.” Ta he 132. Po ashtu ka ardhur në fund të sures Kasas: “Përfundimi (i mirë) është për ata që ruhen nga të këqijat.” Ajeti 83. Përfundimi i mirë nuk kufizohet vetëm në ahiret, por përfshin edhe përfundimin e mirë në këtë botë.
Ku aplikohet ky parim?
─Muslimanët kanë nevojë të madhe për praktikimin e këtij parimi. Në nivelin shoqëror umeti islam po kalon një gjendje dobësie, dhe kur muslimani sheh këtë gjendje ndodh që të kërkojë vend diku tjetër dhe parime e pikëpamje të tjera që nuk kanë lidhje me Islamin, për shkak të thyerjes që ndjen. Në anën tjetër mahnitet me avancimin e përparimin që sheh në botën perëndimore etj. Është për keqardhje kur kulturat e huaja i shohin vetëm me syrin pozitiv, e jo me kritikë. Këto kultura i kushtojnë vëmendje anës materiale dhe fizike dhe kanë anashkaluar jetën shpirtërore; ata kanë rregulluar jetët e tyre, mirëpo kanë rrënuar ahiretin e tyre. Allahu thotë: “Ata dinë vetëm anën e dukshme të kësaj jete, ndërsa për jetën tjetër janë të pakujdesshëm.” Rum 7. Andaj, sheh shoqëri të avancuara, por që besojnë ende në statuja e idhuj. Pastaj, këto kultura, të mirat materiale i përdorin që të vënë nën kontroll popujt e dobët duke ua imponuar kulturën e tyre.
Muslimanët, kudo që janë, duhen të kenë parasysh këtë parim dhe të mendohen thellë për pasojat nëse i largohen devotshmërisë. Ata duhet të jenë të bindur se premtimi i Allahut kurrë nuk kthehet mbrapsht, Ai nuk e thyen atë, mirëpo kushti është që njerëzit t’i përmbahen fesë së Tij. Allahu thotë: “(Allahu i ndihmon edhe) ata, të cilëve, nëse u japim pushtet në tokë, kryejnë faljet, japin zeqatin, urdhërojnë kryerjen e veprave të mira dhe pengojnë atë që është e mbrapshtë. Tek Allahu është fundi i të gjitha çështjeve.” Haxh 40-41.
─Në nivelin individual, po japim vetëm një shenjë përkujtuese se sa i rëndësishëm është ky parim në jetën tonë të përditshme. Allahu në suren Kasas përmend ajetin “Përfundimi (i mirë) është për ata që ruhen nga të këqijat”, pas ngjarjes së Karunit i cili ka pasur lakmi ndaj pasurisë së tij. Me këtë sikur Allahu do të na japë shenjë që të meditojmë rreth kësaj, aq më tepër sot kur po jetojmë në rrethana joshëse, në fitne të shumta, që e largojnë dhe e shpërqendrojnë njeriun nga feja e Allahut.
Sa herë të thërret vetja në kundërshtim të devotshmërisë, kujtoja vetes këtë ajet, këtë parim.
─Personi që thërret drejt Allahut duhet ta kujtojë këtë parim dhe po ashtu kushdo që i këshillon njerëzit.
Ajo të cilën mund ta kuptojmë nga ky parim është se personi i cili nuk e ka frikë Allahun në të gjitha gjendjet, veprat e fjalët e tij, atëherë përfundimi i tij nuk do të jetë i mirë.
Hoxhë Petrit Perçuku
🎙 Transkriptim


