Vëllazëria e sinqertë

Vëllazëria e sinqertë

Kur besimi është i saktë, atëherë edhe vëllazëria mes muslimanëve do të jetë e sinqertë. Ai që ka besim të saktë, përmes vëllazërisë që tregon ndaj muslimanëve, afrohet tek Allahu, duke iu bërë dobi atyre, duke qenë në shërbim të tyre, duke mbrojtur nderet e tyre, duke mbuluar të metat e tyre, duke iu ndihmuar, duke u interesuar për gjendjet e tyre, duke u treguar i dhembshur ndaj tyre e përkrahës etj.

Vëllazëria në Islam nuk është vetëm një slogan që përsëritet, apo pretendim që thuhet, apo një ideal bosh. Mirëpo, duhet të jetë një realitet që preket dhe duhet të japë rezultate, si: detyrim i nefsit për të shpenzuar ndaj të tjerëve, për të duruar ndaj tyre, për të mbrojtur nderin, pasurinë dhe jetën e tyre. Vëllazëria nuk duhet të jetë vetëm një afërsi e shoqëri gjatë kohës së mirëqenies (kur punët janë mirë), ndërsa kur ndodhin këndvështrime të ndryshme e mospajtime, atëherë të kthehet në armiqësi e urrejtje (në këtë rast sikur harrohen të drejtat vëllazërore në Islam).

Nëse vëllazëria për hir të Allahut është e sinqertë, ajo do të mbetet e fortë dhe e paluhatshme, edhe nëse njëri sillet keq dhe shkel të drejtat e tjetrit. Dijetarët e mëhershëm kanë thënë: “Realiteti i vëllazërisë në Islam është se ajo nuk do të shtohet për shkak të mirësjelljes dhe nuk do të pakësohet për shkak të sjelljes së keqe (ngase është për Allahun).”

Andaj, duhet të pyesim veten se sa po i përmbahemi metodologjisë së fesë në raport me vëllezërit muslimanë? Duhet të pyesim veten se ku jemi ne në raport me Fjalën e Allahut: “Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër, andaj pajtojini vëllezërit tuaj midis tyre dhe kijeni frikë Allahun, në mënyrë që ju të mëshiroheni.” Huxhurat 10. Apo me fjalën e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem: “Çdo musliman në raport me muslimanin tjetër e ka të ndaluar jetën e tij, pasurinë e tij dhe nderin e tij.”

Atëherë, pse ne zgjasim mospajtimin dhe kundërshtimin, pse bartim fjalë dhe bëjmë mëkate shkatërruese? Arsyeja e kësaj është bindja ndaj epsheve, pasioneve të nefsit, shejtanit dhe fanatizmit të verbër. A ka përfitim prej përçarjes së muslimanëve? Njerëzit kur shohin përçarjen e muslimanëve ndërmjet njëri-tjetrit mund të thonë: “Pajtohuni së pari ju mes njëri-tjetrit, pastaj na ftoni në mirësitë që pretendoni!”

Feja Islame ka ardhur të përmirësojë raportet dhe gjendjet tona, duke na bërë vëllezër të dashur ndërmjet njëri-tjetrit, e jo të jemi të përçarë dhe armiqësor. Ajo ka ardhur të na edukojë në këtë vëllazëri, që të jemi të durueshëm ndërmjet njëri-tjetrit, ndihmues dhe falës.

Nga të drejtat ndërmjet muslimanëve në përgjithësi janë:

» Lutja për njëri-tjetrin.

» Këshillimi kur ndodhin gabime e lëshime (e nuk duhet t’i gëzohemi gabimit të tjetrit).

» Dashamirësia (të duash për tjetrin atë që do për veten tënde).[1]

» Bamirësia (shpenzimi, dhënia, ndihma etj.).[2]

» Falja e gabimeve.

» Dhe të tjera.

Vëllazëria në Islam nuk është vetëm pasuri që shpenzohet, apo tolerancë e falje, apo heqje dorë nga një e drejtë, apo ndalje e gjuhës. Të gjitha këto kërkohen, mirëpo ajo është më e përgjithshme, më e madhe. Vëllazëria në Islam është adhurim nga adhurimet më madhështore (se me këtë adhuron Allahun dhe afrohesh tek Ai) që duhet ta përjetosh në çdo gjë që bën në raport me vëllain musliman (qoftë vepër, fjalë, nijet), pavarësisht a e njeh atë apo jo, a sillet mirë me ty apo jo, a është vendas apo i huaj etj.

[1] Nga gjërat më të dukshme që tregojnë për mangësinë tonë në raport me të drejtat vëllazërore, është kur harrojmë fatkeqësitë e sprovat që i godasin ata (shirku, bidatet, injoranca, sëmundja, uria, frika ndaj armikut, dëbimi etj.). Së paku pyete veten se sa po bën lutje për ta, sa po i ndihmon ata (nëse është mundësia) për t’ua lehtësuar gjendjen etj. Ne nuk duhet të ndihemi të sigurt, ngase edhe neve mund të na godasin të njëjtat sprova në të ardhmen.

[2] Nuk është koprracia dhe lakmia ndaj pasurisë ajo që e mbron atë nga pakësimi apo shkatërrimi. Mirëpo, ajo që e bën pasurinë të ketë bereqet (të shtohet) është kur e japim në rrugën e Allahut apo për hir të Tij (aty ku është i kënaqur Ai).

 

Hoxhë Lulzim Perçuku
🪶Transkriptim

Madhësia e tekstit