Realiteti i kësaj bote

Realiteti i kësaj bote

Kur besimi është saktë, atëherë jeta e kësaj bote do të zvogëlohet në sytë dhe zemrën e personit dhe nuk do ta lakmojë atë (do ta shohë si diçka e pavlerë). Ai do të dijë se jeta e kësaj bote është magjistare e cila ka magjepsur zemrat e njerëzve dhe është mashtruese e cila ka mashtruar shumicën e njerëzve. Gjithashtu, do të dijë se dashuria ndaj jetës së kësaj bote është koka e çdo të keqeje.

Ai që ka besim të saktë dhe zemra e tij është në rrugën e drejtë, nuk ka mundësi të jepet pas jetës së kësaj bote, apo të mbështetet tek ajo. Një i tillë nuk ka mundësi të mashtrohet pas jetës së kësaj bote, por prej saj merr vetëm aq sa i duhet për jetën tjetër. Siguria në jetën e kësaj bote është e përzier me frikë, shëndeti me sëmundje, shtimi me pakësim etj. Allahu na ka treguar për realitetin e kësaj bote: “Jeta e kësaj bote është vetëm lojë e argëtim…” Enam 32. Ajo është lojë, dëfrim, zbukurim, mburrje, garim për pasuri e fëmijë dhe të tjera.

Ai që është i dashuruar në dunja, nëse arrin diçka prej saj nuk do të ndihet rehat, por do të lakmojë më shumë (p.sh.: arrin pasuri, por do më shumë). Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Sikur biri i Ademit të posedonte dy lugina me ar, do të kërkonte të tretën, mirëpo barkun e tij nuk e ngop asgjë përveçse dheut (nuk ngopet derisa të vdesë).” Disa nga selefi kanë thënë: “I dashuruari në dunja, nuk shpëton nga tri gjëra të këqija, që janë: brenga e cila e shoqëron gjithmonë, lodhja e vazhdueshme dhe pikëllimi pafund.”

Duke qenë se dunjaja ka zënë vend në zemrat e shumicës së muslimanëve sot, atëherë ata për hir të saj dashurojnë dhe urrejnë, lodhen e mundohen dhe garojnë me njëri-tjetrin etj. Në këtë mënyrë, tek ta është dobësuar preokupimi për botën tjetër dhe kanë harruar Ditën e Premtuar prej Allahut. Andaj, si pasojë gjurmët e këshillave që marrin janë të dobëta në zemrat e tyre, nuk meditojnë mbi Kuranin dhe pasoja të tjera.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku
🪶Transkriptim

Madhësia e tekstit