Rëndësia e besimit
Të qëndruarit fort në rrugën e Allahut, në besim dhe vepra të mira, me të brendshmen dhe të jashtmen, është shkak për fitore dhe shpëtim në të dy botët. Allahu thotë: “Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë.” Nahl 97. Allahu u jep fitore, shpëtim e lumturi miqve të Tij, në këtë botë dhe tjetrën. Shpërblimi për besimtarët nuk është vetëm në Xhenet, porse edhe në këtë botë.
Sprovat që i godasin miqtë e Allahut në këtë botë, godasin vetëm trupat e tyre, anën e jashtme, pasurinë dhe dunjanë e tyre, ndërsa zemrat e tyre jetojnë në një lumturi të madhe (për shkak të besimit që kanë). Duhet të dimë se sprovat (fatkeqësitë, lëndimet) nuk ndodhin vetëm te besimtarët, mirëpo ndodhin edhe tek të tjerët. Allahu këtë gjë e ka bërë ligj te njerëzit. Për disa njerëz sprovat janë mjerim dhe dënim në të dy botët dhe nuk shpërblehen, siç është rasti i jobesimtarëve. Për disa njerëz sprovat janë mjerim në këtë botë, por jo në botën tjetër, mirëpo nuk shpërblehen për to, siç është rasti i shumë muslimanëve të cilët janë të shkujdesur, nuk durojnë dhe nuk u shkon ndërmend shpërblimi për sprovimin (si: ngritja në shkallë të Xhenetit, falja e mëkateve etj.). Për disa sprovat janë shpërblime në këtë botë dhe tjetrën, siç është rasti i besimtarëve të cilët bëjnë durim dhe llogarisin në shpërblimin e Allahut kur goditen me to.
Ndërsa, (për dallim nga besimtarët), jobesimtarët me gjithë mirëqenien që kanë, bëjnë jetë të mjerë shpirtërore, sepse zemrat e tyre i ka kapur errësira e mohimit dhe u mungon besimi. Allahu thotë: “Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar…” Ta he 124. Jobesimtarët do të jenë lëndë djegëse e zjarrit të Xhehenemit, e sa përfundim i keq do të jetë ky. Allahu thotë: “Vërtetë, Allahu i ka mallkuar jobesimtarët dhe ka përgatitur për ata zjarr të flakëruar, në të cilin ata do të qëndrojnë përgjithmonë; aty nuk do të gjejnë as mbrojtës, as ndihmës. Ditën, kur fytyrat e tyre do të rrotullohen në zjarr, ata do të thonë: “Ah, sikur t’i ishim bindur Allahut dhe të Dërguarit!” Ahzab 64-66. Kur ne kujtojmë gjendjen e tyre në këtë jetë dhe se çfarë i pret në jetën tjetër, atëherë do të ndjejmë këtë mirësi të madhe të Allahut: mirësinë e besimit.
Allahu na ka udhëzuar dhe na ka përzgjedhur në mesin e miliona njerëzve duke na bërë besimtarë (na ka begatuar me këtë mirësi). Besimtari duhet të mendojë shumë rreth kësaj mirësie të cilën nuk e ka arritur për shkak të mençurisë, apo pasurisë, apo pozitës, apo prejardhjes etj., por ajo është një mirësi e pastër nga Allahu, i Cili është Bamirësi. A i takon besimtarit të cilin Allahu e ka veçuar me besim, që këtë mirësi të mos e çmojë aq sa duhet dhe të mos e marrë seriozisht?! Ai të cilit Allahu ia ka dhënë mirësinë e besimit, duhet të jetë shumë mirënjohës.
Besimi është një mirësi madhështore të cilën Allahu ia jep kujt të dojë. Allahu ka thënë: “Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” Maide 3. Në këtë ajet, Allahu e ka quajtur dhunti. Islami është një mirësi përmes së cilës bekohet jeta e njeriut. Gjithashtu, përmes besimit, zemra e besimtarit dëliret prej lidhjes me këtë jetë dhe stolive të saj, për t’u lidhur me Zotin dhe me botën tjetër. Kjo mirësi as nuk blihet e as nuk shitet ndërmjet njerëzve. Besimi është lidhja mes njeriut dhe Allahut, përmendja e Tij, lutja që ia drejton Atij dhe bindja e nënshtrimi ndaj Tij. Këtë mirësi Allahu ia jep vetëm atij që kthehet tek Ai sinqerisht.
Përmes besimit arrihet jeta e vërtetë dhe lumturia e amshueshme. Ai është rruga e banorëve të Xhenetit, kopshti i atyre të cilëve Allahu u ka dhënë sukses, simboli dallues i zemrave të tyre, dëlirësia e shpirtrave të tyre dhe drita në fytyrat e tyre.
Asnjë mirësi tjetër nuk barazohet me besimin, sepse ai të afron me Zotin dhe të mundëson të vendosesh në Xhenetin e Tij nëpër kënaqësitë e përhershme. Përmes besimit njeriu arrin të shpëtojë prej zjarrit të Xhehenemit, i cili është përfundimi i mohuesve dhe mendjemëdhenjve.
Përmirësimi i besimit është qëllimi i adhuruesve dhe synimi i atyre të cilët e veçojnë Allahun me adhurim. Kur besimi është i saktë, do të mposhtë çdo forcë, do të largojë çdo fatkeqësi dhe do të zgjidhë çdo problem. Ky besim, me lejen e Allahut, do ta mbrojë njeriun prej fatkeqësive, epsheve, dyshimeve dhe të tjerave. Përmes besimit njeriu do të shpëtojë prej brengave e shqetësimeve në këtë botë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: “Kur drita e besimit hyn në kraharor, e zgjeron atë.” E kanë pyetur: “A ka ndonjë shenjë dalluese të kësaj?” Ka thënë: “Po. Largimi nga jeta mashtruese e kësaj bote, kthimi kah banesa e përhershme e botës tjetër dhe përgatitja për vdekjen para se të vijë ajo.” Këto janë shenja që tregojnë se drita e besimit ka zgjeruar kraharorin tënd (ka prekur zemrën tënde). Po ashtu në një hadith tjetër ka thënë: “Ka shpëtuar ai që është bërë musliman, ka furnizim të mjaftueshëm dhe është i kënaqur me atë që ia ka dhënë Allahu.” Kështu, besimtari përmes besimit arrin të lartësohet prej preokupimeve materiale të kësaj bote, ngase ai jeton për të arritur kënaqësinë e Allahut dhe shpërblimin e Tij në Xhenet. Ai nuk jeton për veten e tij, për dëshirat e epshet e tij.
Përmes besimit hapet zemra dhe lartësohen qëllimet e besimtarit dhe ai lidhet vetëm për Zotin e Tij. Besimtari përmes besimit të tij rreshtohet në rreshtin e krijesave më të mira dhe do të ringjallet me ta. Allahu thotë: “Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, do të jetë me ata të cilëve Allahu u ka dhënë shumë dhunti: me profetët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me të drejtët! Eh sa shokë të mrekullueshëm janë këta!” Nisa 69.
Kur besimi është i saktë, sjell rezultate madhështore dhe hap porta të mirësive të shumta, të cilat nuk mund të numërohen. Me këtë besim ndryshohet gjendja, nga lidhja me jetën e kësaj bote te lidhja me Krijuesin duke synuar kënaqësinë e Tij. Kur besimi është i saktë, besimtari do ta ketë qëllim kryesor botën tjetër.
Hoxhë Lulzim Perçuku
🪶 Transkriptim


