Këmba e Allahut – Cilësi e Tij
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Banorët e Xhehenemit do të hidhen vazhdimisht në të, dhe sa herë që hidhen, Xhehenemi do të thotë: “A ka më?” Derisa Zoti i Madhështisë dhe i Lavdisë të vendosë mbi të Këmbën e Tij, dhe kështu pjesët e Xhehenemit bashkohen me njëra-tjetrën dhe (Xhehenemi) thotë: “Nuk dua më (mjafton), nuk dua më (mjafton), pasha Krenarinë, Fuqinë dhe Fisnikërinë Tënde!” Pastaj do të mbetet një pjesë e pambushur në Xhenet dhe Allahu do të krijojë disa krijesa të tjera dhe do t’i vendosë në të.” Buhariu dhe Muslimi
“Xhehenemi do të thotë: “A ka më?” – Kërkon ende, kërkon të shtohen njerëzit që hidhen në të. Ai ka mall të madh që sa më shumë njerëz të hidhen në të. Ai është shumë i madh dhe shumë i thellë.
Për shkak të Madhështisë së Këmbës së Allahut “pjesët/anët e Xhehenemit bashkohen me njëra-tjetrën” – zvogëlohet, dhe kështu mbushet.
Nga ky hadith kuptojmë se sa i Mëshirshëm është Allahu ndaj robërve të Tij, dhe mëshira e Tij kërkon që të mos e dënojë askënd pa pasur faj. Allahu ka premtuar se do ta mbushë Xhehenemin me njerëz dhe xhind, mirëpo kur banorët e Xhehenemit të vendosën aty, do të mbetet një pjesë e pambushur (bosh) dhe për ta realizuar premtimin e Tij, do të vendosë Këmbën mbi të dhe ai do të zvogëlohet dhe nuk do të mbetet bosh asnjë pjesë/vend i tij. Allahu nuk krijon krijesa të tjera për ta mbushur atë sepse Ai i përmbahet Drejtësisë. Xhehenemi është shtëpi apo banesë ku Allahu shfaq Drejtësinë e Tij – me të i dënon ata që e meritojnë këtë.
Nga ana tjetër, Allahu ka premtuar se do ta mbushë Xhenetin me banorët e tij, andaj kur ata të hyjnë në Xhenet, një pjesë e tij do të mbetet bosh (e pambushur) edhe pse banorët e tij janë të shumtë. Por, Allahu do të krijojë disa krijesa të tjera dhe do t’i vendosë në pjesën e pambushur të Xhenetit. Me këtë shfaq Mëshirën e Tij.
Dobitë që përftohen nga hadithi:
-Pohimi i ekzistencës së zjarrit të Xhehenemit, i cili është krijesë e Allahut.
-Pohimi se gjërat e ngurta flasin (Xhehenemi do të flasë).
-Nxitja që të kemi frikë prej Xhehenemit i cili është shumë i madh dhe i thellë – që të mos veprojmë vepra që dërgojnë në të.
-Pohimi i mirësisë së Allahut i Cili do të vendosë Këmbën e Tij dhe në këtë mënyrë bashkohen pjesët e Xhehenemit. Ka qenë në mundësinë e Allahut të krijojë krijesa dhe ta mbushë Xhehenemin, porse prej Mëshirës dhe Mirësisë së Tij nuk e dënon askënd pa mëkat.
-Pohimi i Këmbës së Allahut si Cilësi e Tij. Ajo nuk i shëmbëllen e as nuk i përngjan këmbëve të krijesave. Ajo është Cilësi e vërtetë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem na ka treguar se Allahu ka këtë Cilësi, por nuk na ka treguar për formën e saj (se si është). Nuk na lejohet t’i japim formë, as ta parafytyrojmë me mendje e as me gjuhë. Në këtë hadith Këmba e Allahut ka ardhur në njëjës, mirëpo ehli suneti besojnë se Allahu ka dy Këmbë, bazuar në transmetimin e ibën Abbasit radijAllahu anhu i cili kur ka folur për kursi-un ka thënë: “Kursi-u është vendi i dy Këmbëve të Allahut.” Dhe këtë interpretim e ka marrë direkt prej Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, sepse kjo nuk është një çështje të cilën një sahabi mund ta thotë nga mendja dhe konkluzioni i tij.
Hoxhë Lulzim Perçuku
Transkriptim


