Shkëndijë përkujtuese – Thënie të transkriptuara (4)

» Dëgjimi i muzikës është mëkat kur njeriu ndalet dhe e dëgjon me kënaqësi. Por, nëse i kalon nëpër vesh pa e dëgjuar me vëmendje dhe kënaqësi, kjo nuk është mëkat.

» Leximi i sures Mulk është dhikër i natës. Andaj, mund të këndohet prej kur të hyjë nata (akshami), edhe pse si praktikim i sunetit është më mirë të bëhet pak para se të biesh në gjumë. Nëse të ka zënë gjumi pa e lexuar dhe pastaj zgjohesh gjatë natës, e lexon atëherë, sepse është dhikër i natës.

» Nëse e merr tërë dijen dhe e hedh mbi vete, nuk do të mundesh ta përvetësosh (në këtë formë). Ndërsa, kur e merr ngadalë – gradualisht, duke nisur prej bazave dhe parimeve dhe sipas rregullave, atëherë dija do të të mbetet dhe do të ketë efekt. Kur Allahu sheh sinqeritet në zemrën tënde në kërkimin e dijes, patjetër se do të të japë sukses dhe do të t’i hapë rrugët dhe zemrën e mendjen tënde, që ta përvetësosh atë dije.

» Nëse nuk mundesh të bësh dhikër duke bërë bashkë mes zemrës dhe gjuhës, atëherë së paku bëj dhikër me gjuhë. Përmende Allahun vazhdimisht. Ndoshta gjendesh në arë, apo në punë fizike, çfarë të pengon të bësh dhikër?! Në këtë mënyrë, edhe punon – kërkon rrizk gjë për të cilën shpërbehesh tek Allahu, por edhe shton shpërblimet përmes përmendjes së Allahut me gjuhë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Le të jetë gjuha jote gjithmonë e lagur me përmendjen e Allahut!” Ai që e ka bërë zakon në veten e tij të bëjë dhikër vazhdimisht, atëherë me lejen e Allahut do të ketë përfundim të mirë në jetën e kësaj bote – do të vdesë duke e përmendur Atë e duke e thënë shehadetin. Përmendja e Allahut ka shpërblim të madh tek Ai.

» Nëse dikush ka një motër apo vajzë për martesë, le t’ua propozojë atyre që i njeh për besimtarë të devotshëm e me sjellje të mirë, siç kanë vepruar sahabët. E të mos thotë: “Po pres derisa të vijë ndokush ta kërkojë për martesë.”

» Kjo është natyra e vesveseve: Nëse ua hap derën, shtohen. Të mos mendosh se nëse e dëgjon një herë vesvesen, ajo do të ndalet. Përkundrazi, në këtë mënyrë vesveset do të shtohet. Rruga e shpëtimit prej vesvesve është t’ua mbyllësh derën.

» Njeriu nuk duhet të mashtrohet nëse nuk i sheh menjëherë pasojat e mëkateve që bën. Ka mundësi që ato t’i shohë pas 40 vitesh. Mëkatet kanë pasoja, qoftë në këtë jetë apo tjetrën, mirëpo në këtë jetë janë shumë më të lehta. Nga pasojat më të rënda janë dënimet e fshehta, të cilat shumë njerëz as nuk i mendojnë, p.sh.: humbja e ëmbëlsisë së besimit, adhurimit, namazit etj.

» Nëse të vjen një pëshpëritje dhe cytje prej shejtanit: “Pse të mos kënaqesh duke vepruar gjynahe?!”, kujtoja vetes se këtë gjë (largimin nga gjynahet)  je duke e bërë për hir të Allahut. Nëse e ke ulur shikimin tënd për hir të Allahut, patjetër Ai do të të sjellë kënaqësi dhe dritë në zemrën tënde – do të të shpërblejë për këtë vepër. Dhe shpërblimi vjen sipas llojit të veprës.

»Nëse njeriut i ndodh një gëzim, atëherë në ketër rast, si falënderim ndaj Allahut lejohet që t’iu shtrojë/japë ushqim të tjerëve.

» Sado që të kesh qenë i shkujdesur dhe mëkatar në të kaluarën, duhet të pendohesh tek Allahu dhe të përmirësohesh për pjesën tjetër të jetës. Nëse përmirësohesh për pjesën tjetër sado e paktë që është ajo pjesë e jetës, Allahu ta falë për të kaluarën. Mundohu ta mbushësh atë me vepra të mira, por nëse nuk arrin të bësh namaz e agjërim (nafile), atëherë bëj shumë dhikër.

»Kur shpëton prej një të keqeje a fatkeqësie, kërkohet që të tregohet shumë falënderues dhe mirënjohës ndaj Allahut. E nëse jep lëmoshë si falënderim ndaj Allahut, kjo edhe më mirë. Falënderoje Allahun që ta dha edhe një mundësi të jetosh – të shpëtoi. Andaj, shfrytëzoje kohën e mbetur të jetës për të bërë vepra të mira dhe të largohesh prej mëkateve.

Njeriu (nga natyra e tij) shpeshherë hutohet e kalon në shkujdesje. Mund t’i ndodhë një sprovë dhe i kthehet Allahut për një kohë e përmirësohet, e prapë e kapë shkujdesja. Besimtari nuk duhet t’ia lejojë vetes të bie në shkujdesje, por gjithmonë duhet të kujtojë botën tjetër. Andaj, Allahu na ka ligjësuar të bëjmë namaz pesë herë në ditë – të kujtojmë Atë dhe botën tjetër.

» Besimtari nuk duhet ta lidhë zemrën me këtë botë dhe as me njerëzit e saj, sepse patjetër do të ndahet prej saj dhe prej tyre, ose ata do të ndahen prej tij. Secilin duhet ta dojë me masë, e jo ta dojë aq shumë saqë pastaj të përjetojë kriza shpirtërore dhe emocionale dhe të ketë mendime negative se mos i ndodh diçka jo e mirë. Besimtari e lidh zemrën për Allahun, e pastaj krijesat le t’i dojë me masë. Dashuria mes bashkëshortëve është një dashuri natyrore të cilën Allahu e ka vendosur ndërmjet tyre, po ashtu dhe dashuria e prindit për fëmijën dhe anasjelltas. Kjo lejohet, mirëpo duhet të jetë me masë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Duaje të dashurin tënd me masë, ngase ka mundësi që në të ardhmen të bëhet armiku yt dhe urreje armikun me masë, ngase ka mundësi që në të ardhmen të bëhet i dashuri yt.” Nuk duhet ta lidhësh zemrën shumë pas diçkaje të kësaj jete, sepse një ditë mund të zhgënjehesh.

» Kujtoja vetes se momentet e kaluara në këtë jetë në adhurime, mbesin në botën tjetër dhe të cilat do të të bëjnë dobi, ndërsa çdo gjë tjetër do të humbasë. Në këtë mënyrë nxite veten tënde për vepra të mira dhe kujtoje se jeta e kësaj bote është shumë e shkurtër. Për secilin prej nesh është e mundur që mos ta çelë agimi të gjallë. Shfrytëzoje kohën e jetës së kësaj bote për t’u përmirësuar dhe për të bërë vepra të mira. Gjëja për të cilën më së shumti do të pendohen banorët e Xhenetit, edhe pse gjenden në të, është që nuk e kanë thënë një SubhanAllah më shumë (sa kanë qenë në jetën e dunjasë). Sa e sa shpërblimet i kemi humbur duke mos bërë dhikër, në mënyrë që të na shtohen shpërblimet në botën tjetër!

 

Hoxhë Lulzim Perçuku
🪶 Transkriptim

Madhësia e tekstit