Shkëndijë përkujtuese – Thënie të transkriptuara (3)

» Lutja për prindërit e vdekur nuk bëhet vetëm në umre, por bëhet çdoherë. Madje, ka nga dijetarët që thonë se është mirë të bësh lutje në çdo namaz (në sexhde). Lutja është prej veprave më të mira të cilën fëmija mund ta bëjë për prindërit e tij. Shumë njerëz e neglizhojnë lutjen për prindërit, ndërsa nga ana tjetër japin lëmoshë për ta – edhe kjo është vepër e mirë në të cilën ka nxitur Islami, porse më e dobishme sesa lëmosha është lutja (që Allahu t’i falë, t’i mëshirojë etj.).

» Nëse personi e di se familjarët dhe të afërmit e tij do të veprojnë bidate gjatë vdekjes së tij, atëherë ai sa është gjallë duhet t’i porosisë ata që të mos i veprojnë. Nëse i ka porositë me gojë apo ka lënë amanet me shkrim, mirëpo ata prapëseprapë i veprojnë ato bidate, atëherë nuk ka përgjegjësi. Nëse nuk i ka porositë gjatë jetës dhe ata i veprojnë, në këtë rast ka mundësi të ketë përgjegjësi.

» Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka treguar se i vdekuri do të dënohet për shkak të vajtimit që të gjallët e bëjnë për të. Pse? Sepse ai ka qenë i kënaqur gjatë jetës së tij që të tjerët të vajtojnë kur të vdesë, apo dhe i ka nxitur në këtë. Shpjegimi tjetër është se nuk i ka ndaluar gjatë jetës së tij që të mos vajtojnë kur të vdesë. Mirëpo, nëse i ka porositë për këtë sa ka qenë gjallë, atëherë ai nuk do të dënohet nëse ata vajtojnë (qajnë me zë) për të.

» Furnizimi i shkruar për ty do të vijë. Mirëpo, Allahu ka vendosur edhe shkaqet përmes të cilave arrihet furnizimi, dhe prej tyre është lutja tek Ai, e pastaj veprimi i shkaqeve të tjera (si: puna etj.).

» Gjynahet janë të shkruara. Nuk ka gjë që ndodh në këtë botë pa qenë e shkruar tek Allahu. Mirëpo, Allahu e ka ditur se çfarë do të veprojmë ne dhe i ka shkruar veprat tona, e nuk na ka imponuar dhe detyruar të veprojmë gjynahe. Allahu e ka ditur çdo gjë që do të ndodhë në të ardhmen dhe i ka shkruar në bazë të dijes së Tij absolute. Shkrimi që ka ndodhur në Lehfi Mahfudh, nuk është shkrim që e detyron njeriun të veprojë, por Allahu ka shkruar çdo gjë në të për të treguar Fuqinë dhe Madhështinë e Tij, se nuk ka mundësi të ndodhë diçka në mbretërinë e Tij pa e shkruar dhe pa e dëshiruar Allahu me Vullnetin e Tij. Ne me dëshirën tonë zgjedhim të veprojmë një vepër (pa qenë të imponuar). Andaj, ne do të japim llogari për veprat tona. Nëse ne mendojmë se Allahu na ka detyruar të veprojmë mëkate, atëherë e mendojmë si të padrejtë ngaqë na detyron të veprojmë mëkate e pastaj na dënon për to. Kjo nuk ka mundësi. Allahu në shumë ajete e ka mohuar padrejtësinë për Veten e Tij.

» Një nga gjërat pse sot janë ngurtësuar zemrat dhe nuk lotojnë sytë, është dhe bërja e gjynaheve përmes shikimit në rrjetet sociale duke shikuar në gjëra të ndaluara. Ky gjynah ka depërtuar në zemrat tona gradualisht pa e vërejtur. Përveç kësaj, shikohet së tepërmi edhe në gjëra që janë të padobishme e të panevojshme.

» Lëshimi i shikimit në ndalesa nuk e përmbush nevojën tënde. Dijetarët thonë: “Të shikosh gjëra që janë të ndaluara për ty, është si i eturi që pi ujë prej deti. Sa më shumë që pi, aq më shumë i shtohet etja.” Andaj, sa më shumë që shikon në gjëra të tilla, aq më shumë të shtohet dëshira për t’i shikuar. Zgjidhja e vetme është frenimi i vetës, duke iu mbështetur Allahut dhe duke iu lutur Atij (të të ndihmojë të largohesh nga shikimi në gjëra të ndaluara). E nëse ia lëshon frerët vetes, kurrë nuk do të ngopet, por do të kërkojë e kërkojë që të shikojë derisa të përfundojë edhe në gjëra më të këqija.

» Lavdërimi ndaj tjetrit

Lejohet ta lavdërosh një person tjetër brenda së vërtetës, për gjërat që ka (e nëse e lavdëron për atë që nuk është, kjo është gënjeshtër). Madje, kjo gjë preferohet nëse veprohet mes  burrit e gruas, sepse kjo shton dashurinë mes tyre. Dhe çdo mjet që shton këtë dashuri, është një gjë e kërkuar në fe.

» Nëse cakton një numër të dhikrit që ta bësh në një kohë të caktuar pa pasur argument për këtë, kjo nuk lejohet, p.sh.: Kur ia cakton vetes që çdoherë gjatë natës të thuash 100 herë elhamdulilah etj. Nëse nuk ke argument, atëherë kalon në bidat. Andaj, nuk përcakton numër, por e thua sa të duash.

» Edukimi fetar i fëmijës

Është gabim nëse burri mendon se edukimi i fëmijëve është vetëm përgjegjësi e gruas. Madje, nëse shohim argumentet fetare, del se kjo gjë më shumë është përgjegjësi e babait. Pra, në parim, kjo gjë është përgjegjësi e të dy prindërve, mirëpo në bazë të argumenteve i bie se është përgjegjësi më shumë e babait (argumentet u drejtohen baballarëve). Por, nëse burri është më shumë i angazhuar e ndërsa gruaja ka kohë të lirë, atëherë nuk do të thotë që ajo të mos merret më shumë sesa ai me këtë çështje. Mirëpo, të mendojë burri se nuk ka përgjegjësi në edukimin e fëmijëve, ky është një gabim shumë i madh.

» Një prej gabimeve që bëjnë njerëzit, është se nuk lexojnë për përgjegjësitë bashkëshortore që kanë (si burrat si gratë). Pejgamberi salaallahu alejhi ue selem ka thënë: “Secili prej jush është  çoban (përgjegjës) dhe secili do të pyetet për kopenë (familjen) e tij.”

» Zëri i lexuesit kur këndon Kuran është i krijuar. Nuk lejohet të besohet se është i pa krijuar. Zëri del prej nesh dhe ne jemi krijesa. Mirëpo, ajo që lexohet – Fjalët e Allahut, janë të pa krijuara. Zëri është i lexuesit, kurse Fjalët janë të Krijuesit.

» Besimi kërkon veprim të veprave të mira, për t’u shtuar dhe forcuar. Por, nëse personi nuk angazhohet me to, tek ai do të fillojë një regres në besim. Dhe sa më shumë që dobësohet në tërë këtë, do të jetë një pre e lehtë e shejtanit dhe e vesveseve/cytjeve të tij.

» Të gjithë kemi nevojë për udhëzim, edhe nëse njeriu është dijetar dhe i devotshëm, prapëseprapë ka nevojë për të, sepse nëse Allahu nuk i jep sukses e udhëzim, ai s’mund kryejë asnjë prej veprave të mira.

» Rrobën me mëndafsh natyral, një burrë nuk lejohet ta veshë vetë dhe as t’ia japë një jobesimtari. Edhe për jobesimtarët vlejnë urdhrat dhe ndalesat. Ata do të dënohen për mohimin e tyre, por edhe për moszbatimin e obligimeve dhe për moslargimin nga ndalesat (ky është mendimi më i saktë). Mbi këtë mendim pastaj ndërtohen shumë dispozita. Një nga to është se nuk lejohet t’i jepet një gjë jobesimtarit e cila me Islam ndalohet të përdoret.

» Nëse muslimani e adhuron Allahun dhe kërkon furnizim hallall, Ai do të lëshojë bereqet në pasurinë e tij. Kështu, ai (muslimani) do t’ia shohë hajrin kësaj më shumë sesa nëse fiton shumë pasuri, për fitimin e së cilës i braktis disa obligime, si: namazin, që është shtyllë e fesë.

» Disa prej muslimanëve mendojnë se gjynahe janë vetëm veprat e jashtme. Andaj, nuk merren me pastrimin e zemrave, sepse edhe ajo ka mëkatet e saj, madje ka mëkate shumë të mëdha, nga to: paragjykimi, zilia, nënçmimi etj.

» Çështja kryesore tek e cila njeriu duhet të përqendrohet është zemra e tij, ngase kur ajo përmirësohet, atëherë përmirësohen edhe veprat e tij të jashtme. Duhet të merremi me zemrat tona dhe të shohim se a ka ndonjë mëkat në to, qoftë mëkat ndaj Allahut (dyshimi për fe, mendimi i keq ndaj Allahut dhe të tjera), qoftë mëkat në raport me krijesat (siç përmendëm).

» Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Vërtet, Allahu dëshiron të shohë gjurmët e mirësive dhe dhuntive të Tij te njeriu (të cilit ia ka dhënë).” Hasen. Kuptimi: Nëse Allahu e ka begatuar një person me të mirat e Tij, nuk duhet t’i fshehë ato apo të bëjë jetë të varfër, por duhet t’i shfaqë ato (qoftë në ushqim, apo automjete etj.), mirëpo këtë ta bëjë në formë falënderimi ndaj Allahut. Pra, Allahu i ka dhënë të mira, dhe si formë falënderimi e mirënjohjeje ndaj Tij i shfaq ato. Kur t’i shfaqë të mirat, është kusht që zemra e personit të mos jetë e lidhur për mirësitë që posedon dhe të mos e teprojë (të mos kalojë kufijtë e ligjshëm) në shfaqjen e tyre. Nëse ekziston rreziku që zemra e tij të lidhet për ato të mira dhe të harrojë të drejtën e Allahut mbi të dhe të harrojë botën tjetër duke u dhënë pas kësaj jete, atëherë më e mira është të mos i shfaqë ato. Tjetra është se nëse personi sheh se ato të mira që posedon janë duke ndikuar negativisht tek ai, dhe kështu dëshiron që të përulë egon e tij, atëherë i lejohet të vishet në mënyrë modeste.

» Për betimet të cilat vijnë për shkak të nxitimit, apo harresës, apo që janë bërë si shprehi të gjuhës, nuk kemi përgjegjësi. Betimet merren nën përgjegjësi kur bëhen me zemër (kur ndalesh dhe mendon thellë për një gjë që do të betohesh dhe shikon pasojat nëse nuk e plotëson betimin, dhe pas kësaj betohesh).

» Gruaja muslimane nuk lejohet të udhëtojë e vetme nga një shtet në një tjetër (udhëtim në të cilin shkurtohet namazi). Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk i lejohet një gruaje e cila beson Allahun dhe Ditën e Fundit të udhëtojë pa kujdestar (mahrem).” Mahremi është i afërmi mashkull, si: babai, vëllai, gjyshi, vjehrri, djali i cili ka hyrë në moshën madhore, xhaxhai, daja etj. Sa i përket djalit, posa të hyjë në moshën madhore është mahrem për nënën nëse rruga është e sigurt. Mirëpo, nëse rruga ka rreziqe e nuk është e sigurt dhe ai nuk është i zoti ta mbrojë nënën e tij, atëherë në këtë rast ajo nuk udhëton me të (por me një mahrem tjetër).

» Nuk lejohet të ketë vetmim mes gjinisë së kundërt në kontrolle mjekësore. Nëse gruas i duhet të shkojë patjetër te një mjek mashkull, atëherë nuk duhet të ketë vetmim me të në ordinancën e tij, por duhet të jetë e shoqëruar me ndonjë prej kujdestarëve të saj (mahremave).

 

Hoxhë Lulzim Perçuku
🪶 Transkriptim

Madhësia e tekstit