Madhërimi ndaj Kuranit

Madhërimi ndaj Kuranit

Transmetohet te Buhariu dhe Muslimi prej Talha ibn Musarrif i cili ka treguar se e ka pyetur Abdullah ibn ebi Eufa (sahabi): “A ka lënë amanet (porosi) ndonjë gjë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem?” Ai është përgjigjur: “Jo, nuk ka lënë.” Ka thënë: “Atëherë pse muslimanët janë urdhëruar që të lënë testament?” Pas kësaj, ky sahabi është përgjigjur: “Ai ka lënë amanet që të kujdesemi ndaj Librit të Allahut – Kuranit.”

Kurani fisnik ka qenë amaneti i Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem për umetin e tij. Pra, ta madhërojnë Kuranin, ta vlerësojnë siç e meriton, ta njohin pozitën e tij të lartë dhe ta ruajnë atë qoftë në kuptimin konkret apo abstrakt.

Kurani duhet të nderohet, të ruhet, të pasohen urdhrat e tij, të largohemi nga ndalesat e tij, të jemi të vazhdueshëm në leximin e tij dhe në mësimin e tij për vete dhe në mësimdhënien tek të tjerët.

Umeti islam ka  për obligim të kuptojë se Kurani ka qenë dhe është mirësia më madhore, dhuntia më e lartë dhe dhurata më e mrekullueshme që Allahu ua ka dhënë atyre. Për këtë, Allahu e ka lavdëruar Veten për zbritjen e Kuranit dhe po ashtu ka kërkuar nga robërit e Tij që ta lavdërojnë dhe falënderojnë Atë për këtë mirësi madhështore që ua ka dhënë.

Allahu thotë: “Çdo lavd dhe falënderim i përket Allahut, i Cili i shpalli robit të Vet (Muhamedit) një Libër të dëlirë nga çdo shtrembërim, (një libër) të drejtë, për të paralajmëruar nëpërmjet tij, dënim të ashpër (për jobesimtarët) dhe për t’u dhënë lajmin e mirë besimtarëve, të cilët bëjnë vepra të mira, se për ta do të ketë një shpërblim të bukur (Xheneti)…” Kehf 1-2.

Dhe: “I lartësuar qoftë Ai që i ka zbritur Dalluesin robit të Vet, që të jetë paralajmërues për botët…” Furkan 1.

Dhe: “Nuk ka dyshim se ky (Kuran) është Shpallja e Zotit të botëve. Atë e zbriti Shpirti i besueshëm (Xhebraili) në zemrën tënde (o Muhamed) që të jesh nga ata që paralajmërojnë. E zbriti në gjuhën e qartë arabe.” Shuara 191-195.

Dhe: “Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira…” Isra 9.

Dhe: “Ne shpallim nga Kurani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët e që mohuesve keqbërës u shton vetëm humbje.” Isra 82.

Dhe: “Juve ju erdhi prej Allahut dritë (i Dërguari) dhe Libër i qartë (Kurani), me të cilin Allahu i drejton ata që ndjekin pëlqimin e Tij, në rrugën e shpëtimit, i nxjerr nga errësira në dritë me lejen dhe vullnetin e Vet dhe i shpie në rrugën e drejtë.” Maide 15-16.

Këto ajete na tregojnë se Kurani është nder për umetin islam, krenaria më e madhe dhe virtyti i përjetshëm që Allahu ua ka dhënë atyre. Allahu thotë: “Pa dyshim që Kurani është përkujtesë për ty dhe popullin tënd; e ju do të pyeteni!” Zuhruf 44. Përkujtesë – nder, burim i fuqisë, krenarisë, lavdisë dhe ngritjes, mirësi e përjetshme që jua ka dhënë, andaj do të pyeteni për të, se si ka qenë raporti juaj me të, a e keni madhëruar dhe vlerësuar siç e meriton, a e keni njohur pozitën e tij të lartë, a e keni lexuar dhe mësuar dhe a e keni zbatuar, apo hisja juaj në raport me të ka qenë braktisja, shmangia dhe largimi prej tij.

Mjerë për atë njeri hisja e të cilit në raport me Kuranin ka qenë braktisja, largimi dhe shmangia prej tij! Allahu thotë: “Dhe i Dërguari do të thotë: “O Zoti im! Populli im e shpërfilli Kuranin, si (diçka) të urryer”. Furkan 30.

Mjerë për atë i cili është larguar prej Kuranit, prej leximit të tij, kuptueshmërisë së tij dhe veprimit me të! Allahu thotë: “Kush shmanget nga ai, në Ditën e Kiametit do të mbartë ngarkesë të rëndë, që do t’u mbetet përherë. Sa barrë e keqe që do të jetë ajo në Ditën e Kiametit!” Ta he 100-101.

Mjerë për atë i cili tallet e përqeshet me Kuranin, bën humor me të dhe e nënçmon! Allahu thotë: “Thuaj: “A mos vallë me Allahun, shpalljet dhe të Dërguarin e Tij po talleni?” Mos u shfajësoni! Ju e mohuat fenë, pasi patët besuar.” Teube 65-66.

Mjerë për atë i cili shtrembëron ajetet e Allahut dhe i nxjerr nga konteksti, nga qëllimet sublime dhe nga synimet e larta që kanë! Allahu thotë: “Ata që i shtrembërojnë shpalljet Tona, nuk mund të Na fshihen. Si mendoni, a është më i mirë ai që do të hidhet në zjarr apo ai që në Ditën e Kiametit do të vijë i sigurt? Bëni ç’të doni, se Ai i sheh të gjitha çfarë punoni ju. Ata që e mohojnë Fjalën Tonë përkujtuese, kur u vjen, do të dënohen rëndë. Ai është vërtet një Libër i madhërueshëm. Atij nuk mund t’i afrohet gënjeshtra nga asnjëra anë. Kjo është shpallje prej një të Urti që meriton të gjitha lavdet.” Fussilet 40-42.

Kur njerëzit nuk janë të vetëdijshëm për madhështinë dhe pozitën e lartë që ka Kurani dhe se ai është burim i krenarisë, fuqisë dhe lartësimit të këtij umeti, atëherë si pasojë në mesin e pjesëtarëve të këtij umeti do të shfaqen lloje të ndryshme të nënçmimit e nënvlerësimit të Kuranit, të mosrespektimit dhe të mosmadhërimit të pozitës së tij në zemrat e tyre.

Nëse ne e lëmë pas dore Kuranin dhe nuk e madhërojmë, kjo gjë do të jetë dështim e humbje për ne, në këtë botë dhe tjetrën.

Ne umeti islam, jemi populli, që Allahu e lartësoi dhe e bëri krenar përmes Kuranit. Nëse ne e humbasim atë, do të jemi të humbur edhe vetë.

Allahu e zbriti Kuranin që të zbatohet nga ne, që të jetë udhërrëfyesi dhe modeli se si duhet të jetojnë muslimanët jetën e tyre, që të udhëzohen me këshillat e tij, t’i besojnë lajmet që ai përmban, ta konsiderojnë të ndaluar atë që ai e ka ndaluar dhe ta konsiderojnë të lejuar atë që ai e ka lejuar, dhe të tjera.

Kur muslimanët mbajnë raport të tillë me Kuranin, do të jenë krenarë, të fuqishëm dhe të lartësuar në të dy botët. Andaj, secili duhet ta marrë në llogari vetveten dhe të shohë se çfarë raporti ka me këtë Libër madhështor, i cili është Fjala e Allahut, vlerën, pozitën e lartë dhe madhështinë e së cilës nuk e di askush përveç Allahut.

Po ashtu secili le të pyesë vetveten se a është duke u treguar i kujdesshëm për t’i edukuar fëmijët e tij me frymën e madhërimit ndaj Kuranit dhe të dhënies së rëndësisë që ai meriton, duke e lexuar, mësuar, kuptuar dhe zbatuar atë.

Ne si umet i Kuranit, e kemi për obligim t’i mbushim dhe t’i gjallërojmë zemrat tona me madhërimin ndaj tij.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku
🪶 Transkriptim

Madhësia e tekstit