Pranimi i Islamit nga Umeri radijAllahu anhu
Ngjarja e Umerit radijAllahu anhu se si ka hyrë në Islam, transmetohet në musnedin e Bezarit nga Usame bin Zejdit (dhëndrit të Umerit), i cili ka treguar se Umeri ka thënë: “A doni t’ju tregoj se si e kam pranuar Islamin?” Më tej ka rrëfyer: “Unë kam qenë njeriu që më së shumti e kam urryer Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem. Në një ditë të nxehtë, isha duke ecur në një nga rrugët e Mekës dhe më pa një burrë nga fisi kurejsh. Më pyeti: “Nga je nisur?” I thash: “Jam nisur të shkoj te ky njeriu (te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem, qëllimi: Të kryej punë me të).” Ai më tha: “O biri i Hatabit, kjo gjë (Islami) ka hyrë në familjen tënde.” I thash: “Çfarë ka ndodhur?” Më tha: “Motra jote ka shkuar tek Pejgamberi dhe e ka pranuar Islamin.”
Pastaj u ktheva i zemëruar. Shkova te motra ime dhe trokita me fuqi në derën e saj. Tha: “Kush është?” I tregova që jam Umeri. I thash: “O armike e vetes tënde! E ke pranuar Islamin?” Në dorë kisha një gjë dhe me të e godita në kokë dhe ajo filloi të qante. Më tha: “O biri i Hatabit! Vepro çfarë të duash, unë e kam pranuar Islamin (nuk e lë atë).” Shkoi të ulej në shtratin e saj.
Ndërkohë, një fletë (me ajete) ishte në mes të derës. E pyeta se çfarë është ajo, më tha: “Lëre atë sepse ti nuk pastrohesh nga xhunubllëku dhe nuk pastrohesh (pas nevojave fiziologjike)! Kuranin e prekin vetëm ata që janë të pastër.” Mirëpo, insistova derisa e binda të ma jepte fletën.
Fillova ta lexoja së pari Bismilahirr Rrahmanirr Rrahim. Dhe posa i lexova këta dy Emra të Allahut, m’u kujtua prej nga rrjedhin. Vazhdova të lexoja (ajetin e parë nga surja Hadid): “Allahun e lartëson çdo gjë që është në qiej dhe në Tokë. Ai është i Plotfuqishmi, i Urti.” Sa herë që hasja të lexoja një Emër të Allahut, e kujtoja Atë. E hodha fletën dhe fillova t’i lexoja vetë ajetet, deri në ajetin e shtatë: “Besoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe shpenzoni nga ato që Ai jua ka lënë trashëgim, se për ata midis jush që besojnë dhe shpenzojnë (për bamirësi), do të ketë shpërblim të madh!” Posa i lexova, thash (shehadetin): “Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe Muhamedi është i Dërguari i Tij.”
Menjëherë pas kësaj, ka shkuar te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem që të shpallë Islamin përpara tij.
Tregimet e historitë që tregojnë për ndikimin e madh që ka Kurani në zemra, janë të shumta.
Hoxhë Lulzim Perçuku
🪶 Transkriptim



