Meditime mbi salavatet për Profetin ﷺ

Natën dhe ditën e xhumasë rekomandohet dërgimi i salavateve mbi Profetin ﷺ. Por çfarë do të thotë që Allahu të dërgojë salavate? Dhe pse nuk tha: “Përmendeni Profetin”?

Nëse salavati i Allahut mbi Profetin e Tij është kërkim i mëshirës për të, atëherë pse Shpallja bëri dallim ndërmjet salavateve dhe mëshirës në fjalën e Allahut: “Të tillët janë ata mbi të cilët ka salavate nga Zoti i tyre dhe mëshirë.” [El-Bekare: 157]?

Nëse salavati i Allahut mbi Profetin e Tij ﷺ është lavdërimi i tij, atëherë të gjithë e dimë se Allahu e lavdëron Profetin e Tij ﷺ. Ç’dobi ka, pra, që ne t’ia kërkojmë Allahut këtë? Dhe a ka ndonjë dobi për ne në realitetin tonë të sotëm?

A ka vepra të zemrës që përtërihen kur dërgojmë salavate mbi Profetin ﷺ?

Pse nata dhe dita e xhumasë janë veçuar për dërgimin e salavateve mbi Profetin ﷺ?

Dhe si e përdori shejtani dinakërinë e tij për t’i larguar njerëzit nga kuptimi i vërtetë i dërgimit të salavateve mbi Profetin ﷺ?

❖ ❖ ❖

VËREJTJA E PARË

Duhet ta dimë se, në aspektin e besimit dhe të sjelljes, ne kemi nevojë për dërgimin e salavateve mbi Profetin ﷺ.

Nevoja jonë për këtë salavat është si nevoja jonë për fjalën “La ilahe il-lAllah”; ajo është motra e saj. Fjala e teuhidit nuk do të na bëjë dobi derisa ta kuptojmë të vërtetën e salavatit mbi Profetin ﷺ dhe të pasimit të tij.

Nuk mund të arrijmë tek Allahu përveçse përmes rrugës së Profetit ﷺ. Allahu na udhëzoi nëpërmjet tij dhe na mësoi përmes tij; prandaj, ai prej nesh që arrin më së shumti tek Allahu është ai që e pason më së shumti Profetin e Tij ﷺ.

❖ ❖ ❖

VËREJTJA E DYTË

Kuptimi i fjalës “O Allah, dërgo salavate mbi Muhamedin” është:

“O Allah, ne të kërkojmë që ta lavdërosh e ta nderosh Profetin Tënd Muhamedin, dhe ta shfaqësh vlerën e tij mes engjëjve të Tu dhe në Tokën Tënde.”

Prandaj, sille në mendje lavdërimin e Allahut dhe nderimin që Ai ia bën këtij njeriu, ndërkohë që askush nuk e ka adhuruar Atë siç e ka adhuruar ai. Ai (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) është një nga gjurmët e mëshirës së Allahut ndaj nesh.

Sille në mendje, se si emri i tij përsëritet në kuvendin më të lartë (paria me e lartë e engjëjve), pasi Allahu e lavdëron atë; dhe mendo se si pranimi i veprave tona matet sipas shkallës së përputhjes së tyre me mënyrën se si i ka kryer ato ky njeri, paqja dhe salavatet qofshin mbi të.

❖ ❖ ❖

VËREJTJA E TRETË

Kur dërgojmë salavate mbi Profetin ﷺ duke e pasur të pranishëm këtë kuptim, në të vërtetë ne lutemi edhe për fenë, për besimtarët dhe për pasuesit e Sunetit të tij; sepse, kur Allahu e lavdëron Profetin e Tij, paqja dhe salavatet qofshin mbi të, prej rrjedhojave të domosdoshme të kësaj janë:

  • vazhdimësia e fesë së tij;
  • vazhdimësia e pasuesve të tij;
  • vazhdimësia e Sunetit të tij;
  • vazhdimësia e Sheriatit të tij;
  • vazhdimësia e udhëzimit të tij;
  • dhe përhapja e fesë së

Shiko, pra, se si salavati ynë mbi të përfshin fenë tonë, vetveten tonë dhe vëllezërit tanë besimtarë. Kjo është nga bereqeti i Profetit ﷺ.

Përsërite tani salavatin tënd mbi Profetin, paqja dhe salavatet qofshin mbi të, dhe sille në zemër këtë kuptim. Tashmë t’u bë e qartë se salavati për Profetin ka një kuptim dhe se ka edhe rrjedhoja të domosdoshme që burojnë prej tij.

❖ ❖ ❖

VËREJTJA E KATËRT

Qëllimi më i madh i dërgimit të salavateve mbi Profetin ﷺ është që zemra jote të mbushet me dashuri për të, në mënyrë që të udhëzohesh me udhëzimin e tij.

Kur dërgon salavate mbi të, në mendjen tënde duhet të vijnë:

  • cilësitë e tij;
  • udhëzimi i tij;
  • durimi i tij;
  • kujdesi i tij për ne;
  • dashuria e tij për shpëtimin tonë nga dënimi i Allahut;
  • mësimi që na bëri për Librin e Allahut;
  • udhëzimi që na dha drejt lutjeve të dobishme për fenë dhe jetën tonë. Madje, edhe në kurbanin e tij na përfshiu bashkë me veten; ndërsa ndërmjetësimin e tij e ruajti për ne për Ditën e Ai u lut për ne dhe na udhëzoi!

Të gjitha këto dhe të tjera duhet të të vijnë në mendje kur dërgon salavate mbi të, në mënyrë që, kur ta përfundosh salavatin, malli yt për të të jetë shtuar.

Sikur të të propozohej të jepje gjithçka që ke vetëm për ta parë atë, nuk do të ngurroje.

Pastaj malli vazhdon të rritet brenda teje, derisa ta duash historinë e tij, udhëzimin, jetëshkrimin dhe fjalët e tij.

Pastaj malli të ngre deri aty sa t’u japësh përparësi fjalëve të tij mbi çdo fjalë tjetër.

Pastaj malli shtohet edhe më shumë, derisa të mos kënaqesh me asgjë tjetër përveç udhëzimit të tij.

Pastaj malli rritet sërish, kështu që fillon të kërkosh dhe të lexosh për ta njohur tërë Sunetin e tij, rrugën e tij, sjelljen e tij, veprat dhe fjalët e tij.

Atëherë, në zemrën tënde lind dashuria për hadithet profetike.

Pastaj malli yt shtohet edhe më shumë: sa herë që dëgjon një tregim bashkëkohor për bujarinë, ai të kujton bujarinë e tij, paqja dhe salavatet qofshin mbi të; sa herë që dëgjon një tregim trimërie, të kujtohet trimëria e tij; dhe sa herë që dëgjon një tregim sakrifice, të kujtohet sakrifica e tij. Kështu, çdo gjë fillon të ta kujtojë Profetin, paqja dhe salavatet qofshin mbi të.

Atëherë, tek ti lind dashuria për argumentin fetar: “Allahu ka thënë” dhe “i Dërguari ka thënë”; prandaj, nuk i jep përparësi fjalës së askujt mbi fjalën e Allahut dhe të të Dërguarit.

Malli yt shtohet sa herë që dërgon salavate mbi të:

  • kthehesh nga të metat e tua, mangësitë në teuhidin tënd dhe sëmundjet e zemrës sate, dhe i shëron ato në bazë të fjalëve të tij;
  • e dëbon lidhjen e zemrës me këdo tjetër përveç Allahut;
  • heq dorë nga lakmia për gjithçka tjetër përveç Allahut;
  • dhe e shton

Për çdo çështje në të cilën ke mangësi, ndërkohë që e di se Profeti ﷺ të ka urdhëruar për të, nxiton ta përmirësosh dhe nuk ngurron, edhe nëse kjo bie ndesh me dëshirën tënde. Përkundrazi, dëshira jote bëhet e vogël përballë dashurisë sate për udhëzimin e tij, sepse udhëzimi i tij ka më shumë përparësi se dëshira jote.

❖ ❖ ❖

VËREJTJA E PESTË

Xhumaja u veçua me këtë, sepse ajo është dita më madhështore. Në të lidhemi me më të madhin prej robërve që e kanë adhuruar Allahun, dhe kështu bashkohet e gjithë madhështia:

  • një ditë madhështore;
  • përmendja e emrit të një robi madhështor;
  • dhe lutja drejtuar një Zoti madhështor.

Kur përfundon dita e xhumasë, nuk përfundon dërgimi i salavateve mbi Profetin ﷺ. Përkundrazi, ti ke përpara një javë të plotë, gjatë së cilës të bart një mall i madh për të shtuar njohjen dhe pasimin e udhëzimit dhe Sunetit të tij.

Në përpjesëtim me mallin që u formua në zemrën tënde ditën e xhumasë, aq do të jetë edhe furnizimi yt për ta pasuar atë pas xhumasë.

Çdo ditë ti grumbullon mall, derisa ai të mblidhet dhe ti të arrish shkallën e dashurisë ndaj Profetit ﷺ – e cila është degë e dashurisë sate për Allahun e Lartësuar. Atëherë, kjo dashuri bëhet udhëheqësja e zemrës sate në udhëtimin e saj drejt Allahut.

Tek ti lind zelli mbrojtës për hir të Allahut dhe për Sunetin e Profetit të Tij, paqja dhe salavatet qofshin mbi të.

Gjëja më e madhe për të cilën ndien këtë zell/xhelozi është kur adhurohet dikush tjetër përveç Allahut dhe kur madhërohet dikush tjetër përveç Profetit të Tij, paqja dhe salavatet qofshin mbi të.

Për këtë arsye, atë që dërgon vërtet salavate mbi Profetin ﷺ e gjen serioz në adhurimin e tij, në dhikret e tij, në sjelljen me njerëzit dhe në besimin e tij.

❖ ❖ ❖

VËREJTJA E GJASHTË

A e shihni se si dërgimi i vërtetë i salavateve mbi Profetin, paqja dhe salavatet qofshin mbi të, dhe kuptimi i drejtë i tyre e ndryshojnë robin dhe ia përtërijnë sjelljen?

Për këtë arsye, shejtani nuk pranon ta lë këtë çështje në kuptimin e saj të vërtetë; prandaj u përpoq ta shtrembëronte dhe ta nxirrte nga qëllimi i saj:

  • disa i angazhoi me kremtimin e lindjes së Profetit (mevludit);
  • disa të tjerë i angazhoi duke iu lutur atij në vend të Allahut;
  • disa të tjerë i bëri të mjaftohen vetëm me shqiptimin e salavateve, për ta qetësuar ndërgjegjen e tyre, ndërsa e lënë pas dore udhëzimin e tij;
  • dhe të tjerë shejtani i mashtroi që të kënaqen vetëm me ndjenjën se ai është një njeri madhështor; kështu largohen edhe më tepër, pa e ndier.

Me të tjerët, ai përdor rrugë dhe mënyra të tjera.

❖ ❖ ❖

VËREJTJA E SHTATË

Pas dërgimit të shumtë të salavateve mbi Profetin, paqja dhe salavatet qofshin mbi të, shtroji vetes këto pyetje, që ta njohësh ndikimin e salavatit tënd, masën e tij dhe sa e ka realizuar qëllimin:

  • A ke vendosur ta lexosh jetëshkrimin e tij?
  • A ke mësuar përmendsh fjalët e tij ose diçka prej tyre?
  • A e ke mësuar mënyrën e tij të faljes së namazit dhe e ke pasuar atë në namazin tënd?
  • A ke filluar t’i përsëritësh disa prej lutjeve të tij, paqja dhe salavatet qofshin mbi të?
  • Sa prej ndalesave të tij i ke mësuar dhe më pas e ke shqyrtuar veten lidhur me to?
  • Sa sunete të përditshme i ke zbatuar, duke pasur qëllim se po ndjek Sunetin e tij?
  • A di t’ua përshkruash fëmijëve të tu fytyrën, pamjen, ecjen dhe mënyrën e uljes së Profetit, paqja dhe salavatet qofshin mbi të?
  • Sa sunete të Profetit ﷺ i ke lënë, krahasuar me sunetet që i ke praktikuar?

Nëse kemi mangësi në ndonjërën prej këtyre, le ta shtojmë istigfarin, sepse ai është shërimi. Le ta falënderojmë Allahun që istigfarin e bëri si fshirëse të gabimeve.

❖ ❖ ❖

VËREJTJA E TETË

Përsërite tani salavatin tënd mbi Profetin ﷺ dhe vëzhgoje nivelin e dashurisë sate përmes asaj se sa gjymtyrët e tua vihen në lëvizje për ta pasuar atë.

 


Shkroi: Akil ibn Salim Esh-Shemerij

Përktheu: Hoxhë Petrit Perçuku

Madhësia e tekstit