Përmirësimi i veprave të zemrës

Përmirësimi i veprave të zemrës

Kur besimi është i saktë, atëherë njeriu patjetër se do t’iu kushtojë rëndësi më të madhe veprave të zemrës sesa veprave të gjymtyrëve. Kjo sepse boshti janë veprat e zemrës, ndërsa gjymtyrët ndjekin dhe pasojnë zemrën. Ajo është mbreti, kurse ushtarët e saj janë gjymtyrët. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Në trup është një copë mishi. Nëse ajo përmirësohet, atëherë përmirësohet i gjithë trupi e nëse ajo prishet, atëherë prishet i tërë trupi. Ajo copë mishi është zemra.”

Efekti i dobët i adhurimit në përmirësimin e sjelljeve tona është për shkak se jemi të shkujdesur ndaj veprave të zemrës. Te shumica e namazfalësve mungon përulja në namaz, meditimi rreth kuptimeve të Kuranit dhe dhikreve që thuhen gjatë faljes, madje çështja ka arritur në atë gradë saqë namazi më nuk i ndalon ata nga shthurja dhe mëkatet, siç na ka premtuar Allahu në Kuran: “Vërtet që namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar…” Ankebut 45.

Po ashtu, agjërimi, zekati dhe adhurimet e tjera, janë vepra të cilat nuk po realizojnë devotshmërinë te shumica e muslimanëve dhe nuk po kanë ndikim në sjelljet e tyre. Në zemrat e tyre është dobësuar frika dhe shpresa ndaj Allahut. Tek adhurimet e tyre po dominon forma e zakoni, e jo përmbajtja dhe adhurimi. Ato po kryhen nga pamja e jashtme. Andaj, në mesin tonë gjen të atillë që falen e agjërojnë dhe nuk brengosen nëse merren me kamatë, apo ka që lexojnë Kuran dhe kalojnë natën në mëkate e dëfrime të kota, ka që bëjnë haxhin dhe bëjnë mëkate të ndryshme etj.

Të përmendim disa nga veprat e zemrës, që janë: përulja në namaz, lutja me përgjërim, kthimi tek Allahu me sinqeritet, dashuria ndaj Tij, frika dhe shpresa tek Ai, kërkimi i ndihmës dhe shpëtimit tek Ai, mbështetja tek Ai, ihsani (përsosja e adhurimeve), bindja se jemi nën mbikëqyrjen e Allahut, vërtetësia, sinqeriteti, kujdesi për zemrën me devotshmëri dhe kujdesi ndaj saj nga gjërat që e prishin atë (syfaqësia, dëshira për famë dhe lavdërim, vetëpëlqimi etj.). Ai që ka besim të saktë, u kushton rëndësi të madhe këtyre veprave dhe i kuron ato (në zemrën e tij).

Shpërblimi për veprat tona, është në varësi të sinqeritetit që kemi kur i kryejmë ato, kthimit tek Allahu dhe nënshtrimit e përuljes ndaj Tij. Allahu thotë: “…në Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët, përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!” Shuara 88-89. Ibën Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Veprat vlerësohen tek Allahu varësisht nga ajo që njerëzit kanë në zemra.”

Nëse veprat tona të jashtme nuk shoqërohen me vepra të zemrës, atëherë adhurimi nuk sjell rezultatet e kërkuara, si: ëmbëlsi, kënaqësi, zgjerim të gjoksit dhe shtim të besimit.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku
🪶Transkriptim

Madhësia e tekstit