Si ta madhërojmë Kuranin?
Në vijim do të përmendim disa nga aspektet se si duhet ta madhërojmë Kuranin, si:
» Të njohim dhe të ndjejmë madhështinë e Atij i Cili ka folur me këtë Kuran. Kjo na nxit që, si rrjedhojë, ta madhërojmë edhe Kur’anin, i cili është Fjalë e Zotit të botëve, Krijuesit të të gjitha krijesave, i Cili thotë: “Nuk ka dyshim se ky (Kuran) është Shpallja e Zotit të botëve.” Shuara 192.
» Të besojmë se Kurani është Fjala më madhështore, më e mira, më e përsosura. Nuk ka pasur e nuk do të ketë fjalë të ngjashme me Kuranin, madje as të përafërta. Allahu thotë: “Asgjë nuk i shëmbëllen Atij. Ai i dëgjon të gjitha dhe i sheh të gjitha.” Shura 11. Ngjashëm me këtë, themi se asnjë fjalë nuk i shëmbëllen Fjalëve të Allahut.
» Të mbushim zemrat tona me dashurinë ndaj Kuranit, sepse kjo është nga dashuria ndaj Atij i Cili ka folur me Kuran. Abdullah ibn Mesudi radijAllahu anhu ka thënë: “Ai që do dëshiron të dijë se a e do Allahun, le ta peshojë veten e tij në raport me Kuranin. Nëse e do Kuranin, e do Allahun, sepse Kurani është Fjalë e Tij.”
» Të besojmë përsosmërinë e Kuranit – në të nuk ka mangësi në asnjë aspekt. Ai është i ruajtur dhe i pastër nga çdo kontradiktë, kundërthënie apo mospajtim. Allahu thotë: “Ky është Libri në të cilin nuk ka dyshim. Ai është udhërrëfyes për të devotshmit…” Bekare 2. Dhe: “A nuk përsiatin ata për Kuranin! Sikur ai të mos ishte prej Allahut, do të gjenin në të shumë kundërthënie.” Nisa 82. Dhe: “Atij nuk mund t’i afrohet gënjeshtra nga asnjëra anë. Kjo është shpallje prej një të Urti që meriton të gjitha lavdet.” Fussilet 42.
» Të pranojmë të gjithë Kuranin, duke mos refuzuar asgjë prej tij. Ai që refuzon ndonjë gjë nga Kurani, në realitet ka refuzuar dhe kundërshtuar Allahun i Cili ka folur me këtë Kuran. Në këtë kuptim, Abdullah ibn Mesudi radijAllahu anhu ka thënë: “Kurani është Fjalë e Allahut. Kushdo që refuzon diçka prej tij, ka refuzuar dhe kundërshtuar vetë Allahun.”
» Të mos tallemi, të mos përqeshim, të mos bëjmë humor me ajetet e Kuranit dhe të mos nënvlerësojmë çështjet që i trajton. Ai që vepron të kundërtën e kësaj, bën mohim (del nga feja). Allahu thotë: “Thuaj: “A mos vallë me Allahun, shpalljet dhe të Dërguarin e Tij po talleni?” Mos u shfajësoni! Ju e mohuat fenë, pasi patët besuar.” Teube 65-66.
» Të besojmë në gjithëpërfshirjen e tij dhe në përmbushjen e të gjitha nevojave të njerëzve. Ai përmban sqarime ndaj çdo gjëje për të cilën njerëzit kanë nevojë, nga interesat dhe dobitë e kësaj bote dhe tjetrës. Allahu thotë: “Ne ta zbritëm ty Librin, si shpjegim për çdo çështje…” Nahl 89. Në Kuran gjejmë çështjet më të plota të besimit, rregullat dhe sjelljet më të shkëlqyera dhe adhurimet më të përsosura.
» Ta ndihmojmë dhe ta mbrojmë Kuranin, në bazë të mundësive dhe oratorisë që posedojmë, dhe t’ua sqarojmë njerëzve se ai ka zbritur me të vërtetën dhe me udhëzimin nga Allahu, e në të cilin nuk ka asnjë dyshim dhe dilemë. Allahu thotë: “Ajo që të është shpallur ty (Muhamed) prej Zotit tënd është e Vërteta, por shumica e njerëzve nuk e besojnë.” Rad 1.
» Të mos e braktisim Kuranin. Allahu thotë: “Dhe i Dërguari do të thotë: “O Zoti im! Populli im e shpërfilli Kuranin, si (diçka) të urryer”. Furkan 30. Braktisja e Kuranit bëhet në shumë mënyra dhe forma, mirëpo tri janë kryesoret: 1. Mosleximi i Kuranit, 2. Mosmeditimi mbi kuptimet e Kuranit. 3. Moszbatimi i urdhrave të Kuranit.
» Të detyrojmë veten që të lexojmë Kuranin siç e meriton të lexohet. Allahu thotë: “Ata që u kemi dhënë Librin dhe e lexojnë ashtu siç e meriton, ata besojnë vërtet në të.” Bekare 121. Për pjesën “e lexojnë ashtu siç e meriton”, dijetarët kanë thënë: “Bëjnë bashkë mes leximit të Kuranit, kuptimit të drejtë të domethënieve të tij dhe të vepruarit me udhëzimet dhe këshillat e tij.”
» Të pajtohemi dhe të jemi të kënaqur me gjykimet e Kuranit dhe të mos e kundërshtojmë duke u dhënë përparësi fjalëve të njerëzve, qoftë kjo në çështje të mëdha apo të vogla. Në çdo gjë, Kurani duhet të jetë ai i cili gjykon për neve dhe ne duhet të jemi të kënaqur me gjykimet e vendimet e tij. Allahu thotë: “Nuk i takon asnjë besimtari apo besimtareje të vërtetë që, kur Allahu dhe i Dërguari i Tij vendosin për një çështje, ata të kenë të drejtë të zgjedhin në atë çështje të tyren. Kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai me siguri ka humbur.” Ahzab 36.
» Ta bëjmë leximin dhe memorizimin e Kuranit me sinqeritetin më të madh, ta bëjmë për hir të Allahut, e jo për syefaqësi, apo për famë etj. Kjo sepse, i pari me të cilin do të ndizet Zjarri i Xhehenemit është ai që e ka lexuar Kuranin, siç tregohet në hadith: “…që t’i thuhet: “Ky është lexues i Kuranit!” Pra, ky ka qenë qëllimi i tij: ta lavdërojnë të tjerët e të flasin për të se e ka memorizuar Kuranin apo e lexon shumë atë.
» Të mos e bëjmë leximin e Kuranit burim të furnizimit tonë dhe të përfitimit material. Transmetohet në Sunenin e Tirmidhiut se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush e lexon Kuranin, le të kërkojë prej Allahut përmes tij, ngase do të vijë koha kur disa njerëz do ta lexojnë Kuranin dhe përmes tij do të kërkojnë prej njerëzve (do ta bëjnë si mjet përfitimi nga ta).”
» Të mos ua mundësojmë armiqësive të fesë të nënçmojnë mus’hafin – të mos u arrijë mus’hafi në dorë dhe ata pastaj ta kenë mundësinë ta nënçmojnë. Transmetohet te Muslimi se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka ndaluar që muslimanët të udhëtojnë me mus’haf për në tokën e armikut, nga frika se mos ai u arrin në duar, e ata pastaj ta nënçmojnë atë në mënyra të ndryshme.
» Të mos lexohet Kurani duke qenë njeriu xhunub dhe të mos e prek atë përveçse atëherë kur është i pastër.[1] Transmetohet tek Taberaniu se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kuranin të mos e prekë përveçse ai që është i pastër (tahir).” Disa dijetarë kanë thënë se ky kuptim përfshihet në përgjithësimin e ajetit: “Atë (Kuranin) e prekin vetëm të pastërtit”. Uakia 79.
» Të mos bëjmë veprime që tregojnë nënçmim apo nënvlerësim ndaj mus’hafit, si: shtrirja e këmbëve në drejtim të tij, mbështetja në të, vendosja e mus’hafit si jastëk mbi të cilin vendos faqen apo fle, hedhja e tij në tokë apo në vende të papastra. Prej madhërimit të Kuranit është që të mos veprohet ndonjëra nga këto gjëra që tregojnë nënçmim apo nënvlerësim ndaj tij, apo të tjera gjëra në këtë kuptim.
» Ta lexojmë Kuranin duke e pasur gojën e pastër. Para se të fillojmë leximin e Kuranit, le ta pastrojmë gojën. Transmetohet tek Ibn Maxhe se Aliu radijAllahu anhu ka thënë: “Gojët tuaja janë rrugë nëpër të cilat do të kalojë Kurani (gjatë leximit të tij). Andaj, pastrojini gojët tuaja me miswak.”[2]
Lusim Allahun e madhëruar që të na bëjë nga ata të cilët e madhërojnë Kuranin dhe që veprojnë me të, si dhe me mirësinë, begatinë dhe bujarinë e Tij, të na bëjë nga ithtarët dhe njerëzit e Kuranit, të cilët janë njerëz të veçantë tek Ai!
[1] Në këtë gjë ka mospajtime mes dijetarëve. Mirëpo, të gjithë dijetarët janë pajtuar se prej madhërimit të Kuranit është që të mos lexohet kur njeriu është xhunub ose pa abdes.
[2] E transmeton Ibën Maxhe, nr. 291. Shejh Albani e vlerëson si hadith sahih (autentik).
Hoxhë Lulzim Perçuku
🪶Transkriptim


