Disa fjalë rreth vënies së hajmalisë

Hadith: “Kush lidhë apo vë hajmali, atij Allahu kurrë mos ia plotësoftë synimin që ka (me të).” Imam Ahmedi.

-“Kush lidhë apo vë” ka dy kuptime:

  1. kush lidhë hajmali apo të ngjashme me të.
  2. e lidhë zemrën për atë gjë.

Pra, këtu nuk flitet vetëm për atë që e lidhë atë gjë, por kemi të bëjmë me dy kuptime të rëndësishme: ia lidhë hajmalinë vetes në trup, apo në ndonjë gjymtyrë (këmbë, dorë, gjoks) apo ia lidhë dikujt tjetër (fëmijës, kafshës së tij, makinës, shtëpisë etj.), si dhe (kuptimi i dytë) e lidhë zemrën për atë gjë. Këtij Allahu kurrë nuk do t’ia përmbushë qëllimin e tij.

Kush e vepron këtë gjë, me besimin se ajo i sjellë dobi apo ia largon një të keqe, ka rënë në mëkat dhe Allahu do t’ia bëjë të kundërtën e asaj që ka pasur për synim, kështu do të goditet me një të keqe tjetër si ndëshkim për të, ose do të fusë frikë e dëshpërim në zemrën e tij. Ata që janë të lidhur për këto gjëra, vazhdimisht janë në frikë, dëshpërim e pikëllim, nuk gjejnë rehati, prehje e lumturi.

Zakonisht hajmalitë dhe gjëra të tilla u vendosën fëmijëve, e nganjëherë i vendosin edhe të rriturit, ose për të larguar një të keqe, apo mësyshin, apo hasedin etj., ose për t’u mbrojtur prej këtyre gjërave para se t’iu ndodhin ato.

Në hadith, fjala (temime) është për hajmali, qoftë ajo në formë të rruzave, apo të lëkurës dhe të tjera.

Ata që e kanë vendosur hajmalinë kanë besuar se ajo do t’ua përmbushë e plotësojë synimet, si rrjedhojë, nëse u ka ndodhur ndonjë një bela apo e keqe e kanë vendosur që t’ua largojë apo lehtësojë atë, apo që t’i mbrojë prej çdo të keqe me të cilën mund të goditen në të ardhmen.

Disa njerëz në shtëpitë e tyre vendosin patkoin, apo një këpucë, që t’ua largojë mësyshin etj.

Të gjitha këto gjëra janë kota. Islami i ka zhvlerësuar dhe ka treguar për kotësinë e tyre.

Fjala “…atij kurrë Allahu mos ia plotësoftë synimin që ka (me të)”, mund të kuptohet në dy mënyra:

  1. Tregon për diçka, pra Allahu kurrë s’do t’ia plotësojë atij synimin.
  2. Tregon për diçka porse është në formën e lutjes, pra (Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem) është lutur kundër personit që vepron atë gjë.

E ata që janë njësues të Allahut, që zemrat e tyre i lidhin vetëm me Atë dhe i mbështeten vetëm Atij, janë të fortë psiqikisht e shpirtërisht, gjithmonë kanë ambicie të larta, nuk janë të luhatshëm, nuk i godet frika, dëshpërimi e pikëllimi, sepse ata besojnë vetëm Allahun dhe të gjitha shpresat e dëshirat e tyre i lidhin tek Ai.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset e teuhidit – Traskriptim.

Madhësia e tekstit