Surja el Maun- Komentim
بِسْمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحْمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ
أَرَءَيْتَ ٱلَّذِى يُكَذِّبُ بِٱلدِّينِ فَذَٰلِكَ ٱلَّذِى يَدُعُّ ٱلْيَتِيمَ وَلَا يَحُضُّ عَلَىٰ طَعَامِ ٱلْمِسْكِينِ فَوَيْلٌۭ لِّلْمُصَلِّينَ ٱلَّذِينَ هُمْ عَن صَلَاتِهِمْ سَاهُونَ ٱلَّذِينَ هُمْ يُرَآءُونَ وَيَمْنَعُونَ ٱلْمَاعُونَ.
- A e ke parë atë që mohon Ditën e Llogarisë?
- Ky është ai që i dëbon ashpër jetimët
- dhe nuk nxit që t’i jepet ushqim të varfrit.
- Mjerë për ata, të cilët kur falen,
- janë të pakujdesshëm për namazet,
- të cilët duan vetëm që të duken
- dhe nuk u japin ndihmë nevojtarëve.
Komentim
-“ أَرَءَيۡتَ ٱلَّذِي يُكَذِّبُ بِٱلدِّينِ– A e ke parë atë që mohon Ditën e Llogarisë?” – Me këto fjalë i drejtohet çdokujt. Din – دین” nënkupton: shpërblimin dhe dënimin që ka përgatitur Allahu për njerëzit në Ditën e Gjykimit. Ata që e përgënjeshtrojnë këtë, janë ata të cilët nuk besojnë ringjalljen dhe e mohojnë atë.
-“ فَذَٰلِكَ ٱلَّذِي يَدُعُّ ٱلۡيَتِيمَ وَلَا يَحُضُّ عَلَىٰ طَعَامِ ٱلۡمِسۡكِينِ – Ky është ai që i dëbon ashpër jetimët dhe nuk nxit që t’i jepet ushqim të varfrit” – Në këto ajete tregon se kush është ai që e ka përgënjeshtruar Ditën e Llogarisë, pra ai që e dëbon ashpër jetimin dhe nuk nxit që t’i jepet ushqim të varfrit, d.m.th. ky person ka bërë bashkë mes këtyre dy gjërave të këqijave. Ky nuk tregon mëshirë e dhembshuri për jetimët, të cilët e meritojnë që njerëzit të tregojnë mëshirë ndaj tyre ngase kanë humbur baballarët dhe zemrat e tyre janë copëtuar nga kjo humbje. Jetim është ai të cilit i vdes babai para se të hyjë në moshën madhore. Allahu tregon se ai jo vetëm që nuk tregon mëshirë ndaj jetimit, por edhe e dëbon ashpër atë, e përzë me fuqi. I tilli, kur i vjen ndonjë jetim duke i kërkuar ndihmë a ndonjë gjë, apo i flet atij, e përzë dhe e dëbon ashpër. Përveç kësaj, nuk tregon mëshirë as ndaj të tjerëve: ndaj të varfërve. I varfri është nevojtari për ushqim. Dhe ai nuk nxit veten e as të tjerët për ta ushqyer të varfrin. Arsyeja e kësaj është sepse zemra e tij është e ngurtë si gur. Pastaj Allahu vazhdon të përmendë cilësitë e këtyre njerëzve:
-“ فَوَيۡلٞ لِّلۡمُصَلِّينَ– Mjerë për ata, të cilët kur falen” – Fjala “wejl – وَیۡل” tregon për kërcënim të ashpër. Përmendet shpesh në Kuran. Njerëzit e tillë:
-“ ٱلَّذِينَ هُمۡ عَن صَلَاتِهِمۡ سَاهُونَ– janë të pakujdesshëm për namazet”. Falen veçmas apo bashkë me njerëzit, porse ndaj namazit të tyre janë të pakujdesshëm, nuk e falin siç duhet, në formën dhe në mënyrën më të mirë, apo e vonojnë, apo nuk e bëjnë rukun siç duhet, apo sexhden, apo qëndrimin në këmbë, apo uljen (teshehudin), duke mos i kryer siç kërkohet, apo nuk i lexojnë ato që janë obligim të lexohen në namaz, nga Kurani apo dhikret e pozitave etj., falen porse nuk janë të përqendruar gjatë faljes, me zemër, kanë harresë ndaj namazit. Ky ajet përfshin shumë grupe të njerëzve, e jo vetëm dyfytyrëshit, të cilët falen sa për sy e faqe, për sy të botës.
Allahu i ka nënçmuar ata që tregohen harrestarë apo të shkujdesur ndaj namazit, kjo qëllimisht, për shkak të neglizhencës që kanë për namazin. Kurse harresa në namaz nuk është e nënçmuar (p.sh. harron sa rekate po fal, apo harron ndonjë obligim të namazit etj.). E prej shkujdesjes ndaj namazit është mosfalja në xhami me xhemat.
-“ ٱلَّذِينَ هُمۡ يُرَآءُون– të cilët duan vetëm që të duken”. Edhe kjo është gjë e nënçmuar, pra kur adhurimet i kryen me qëllim që të afrohet te njerëzit, që të ketë vlerë e pozitë në shoqërinë ku jeton, e jo me qëllimin që të afrohet tek Allahu. I tilli, që bën dyfytyrësi (rija), kur jep lëmoshë ka për qëllim lavdërimin prej njerëzve dhe të thonë se sa bujar që është, apo kur fal namaz e zbukuron në atë mënyrë që njerëzit ta lavdërojnë e të thonë se sa mirë e fal namazin. Këta, origjinën e adhurimit e bëjnë për Allahun, mirëpo dëshirojnë që përmes këtij adhurimi njerëzit të thurin lëvdata për ta; këta me afrimin që ia bëjnë Allahut përmes adhurimit, kërkojnë të afrohen te njerëzit. Ndërsa, që adhurimi t’i kushtohet dikujt tjetër përveç Allahut në origjinë, atëherë kjo është shirk i madh, p.sh.: falja për një mbret apo dikë tjetër, diku i bërë ruku e sexhde atij, apo një varri, apo të vdekurit etj. Ai që bën kështu ka bërë shirk të madh, dhe nëse vdes në këtë gjendje kurrë nuk do të hyjë në xhenet.
Kjo gjë ndodhë më së shumti te dyfytyrëshit (munafikët). Allahu thotë: “Në të vërtetë, hipokritët përpiqen të mashtrojnë Allahun, por është Ai që i mashtron ata. Kur ata ngrihen për namaz, ngrihen me përtesë, vetëm sa për t’u dukur para botës dhe Allahun e përmendin fare pak.” Nisa 142. Ata ngritën për ta falë namazin, por janë neglizhentë e të shkujdesur ndaj tij, e falin me përtesë, dhe qëllimi i tyre është që të tjerët t’i shohin se po falen. Nuk lejohet që të kesh këtë tipar sikur të dyfytyrëshve.
Te ky ajet (i sures Maun) hyn dhe forma tjetër e dyfytyrësisë, që është: kur njeriu vepron një vepër me qëllim që të dëgjojnë të tjerët për të e ta lavdërojnë, p.sh.: lexon Kuran me zë të lartë dhe bukur në mënyrë që të tjerët ta dëgjojnë e pastaj ta lavdërojnë.
-“ وَيَمۡنَعُونَ ٱلۡمَاعُونَ – dhe nuk u japin ndihmë nevojtarëve”. Ky ajet edhe pse është përkthyer kështu në shqip, fjala “mauun -مَاعُون” nënkupton: enët, pra ua ndalojnë e nuk ua japin njerëzve enët e tyre, p.sh.: dikush i kërkon një kove, apo tepsi, apo tenxhere, apo një enë për të pirë ujë me të dhe nuk ia jep e nuk e ndihmon me këtë, apo enë me ushqim për nevojtarët. Kjo është njëjtë dhe kur dikush i kërkon një poç elektrik e nuk ia jep ta ndihmojë. Qëllimi është se nuk u ndihmojnë të tjerëve kur ata kanë nevojë. Edhe kjo gjë është e nënçmuar tek Allahu.
Mosdhënia apo pengimi i “maun-it” është dy lloje:
- Kur me këtë veprim bën mëkat, p.sh.: kur dikush i kërkon ujë të pijë, i etur shumë gati për vdekje, e nuk i jep.
- Kur nuk bën mëkat, porse e humbet një mirësi të madhe (nëse nuk e jep).
Secili duhet të shohë në veten e tij se a e posedon ndonjërën prej këtyre cilësive në mënyrë që të pendohet e të përmirësohet, se përndryshe, siç thotë Allahu: “wejl”, e pret një kërcënim i ashpër dhe i madh prej Tij. E nëse nuk gjen nga këto cilësi te vetja, atëherë ta falënderojë Allahun.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim – Derset e tefsirit.

