Surja el Humezeh – Komentim

Surja Humeze

وَيْلٌۭ لِّكُلِّ هُمَزَةٍۢ لُّمَزَةٍ ٱلَّذِى جَمَعَ مَالًۭا وَعَدَّدَهُۥ يَحْسَبُ أَنَّ مَالَهُۥٓ أَخْلَدَهُۥ كَلَّا ۖ لَيُنۢبَذَنَّ فِى ٱلْحُطَمَةِ وَمَآ أَدْرَىٰكَ مَا ٱلْحُطَمَةُ نَارُ ٱللَّهِ ٱلْمُوقَدَةُ ٱلَّتِى تَطَّلِعُ عَلَى ٱلْأَفْـِٔدَةِ  إِنَّهَا عَلَيْهِم مُّؤْصَدَةٌۭ فِى عَمَدٍۢ مُّمَدَّدَةٍۭ

 

  1. Mjerë për çdo përqeshës – shpifës,
  2. që grumbullon pasuri dhe e ruan,
  3. duke menduar se ajo pasuri do ta bëjë të pavdekshëm!
  4. Jo, aspak! Në të vërtetë, ai do të hidhet në torturën shkatërruese.
  5. E kush mund të ta shpjegojë ty se çfarë është tortura shkatërruese?
  6. Ajo është zjarri i Allahut i ndezur fort,
  7. i cili depërton deri në zemrën e njeriut.
  8. Ai do t’i rrethojë ata nga çdo anë,
  9. në shtylla të gjata flakëruese.

 

وَيْلWejl” sipas disa dijetarëve është fjalë kërcënuese, pra kërcënimi është i pohuar dhe i konfirmuar për çdokënd që ka tipare të cilat do të jepen pas ajetit të parë. Disa dijetarë kanë thënë se wejl është një luginë në zjarr të xhehenemit, pra kërcënim për çdokënd që ka tiparet të cilat do të jepen pas ajetit të parë se i pret si ndëshkim kjo luginë. Mirëpo, shejkh Uthejmin ka thënë se interpretimi i parë është më i saktë.

“وَيْلٌۭ لِّكُلِّ هُمَزَةٍۢ لُّمَزَةٍ – Mjerë për çdo përqeshës – shpifës”. Këto dy fjalë tregojnë përgjithësim dhe janë cilësi përshkruese për dikë. Humezeh dhe lumezeh tregojnë për përqeshje, për tallje. Pra, Allahu e kërcënon atë person i cili përqeshet dhe tallet me të tjerët. Disa dijetarë kanë thënë se këto dy fjalë janë sinonime e disa të tjerë kanë thënë se dallojnë në kuptim. E sakta është se këto dy fjalë kanë kuptime të ndryshme. Humezeh është përqeshja me tjetrin përmes veprimeve, gjesteve, p.sh: shtrembërimi i fytyrës, nxjerrja e gjuhës, shkelja e syrit, bërja me shenjë, për përqeshje apo për të treguar se ka një mangësi (nëse është i shkurtë bën me duar) etj. Lumezeh është përqeshje përmes fjalëve.

ٱلَّذِى جَمَعَ مَالًۭا وَعَدَّدَهُqë grumbullon pasuri dhe e ruan (e numëron)”, ky person ka bërë bashkë mes dy tipareve shumë të këqija: grumbullon shumë pasuri dhe nuk e jep atë, e ndal për vetveten, është koprrac, i privon të tjerët prej saj. Me “addede” është për qëllim numërimi, pra për shkak të dashurisë së madhe që ka ndaj pasurisë, shkon herë pas here apo shpeshherë tek arka e tij dhe i numëron paratë, në mëngjes, në mbrëmje; edhe pse e di se as nuk ka shtuar e as nuk ka pakësuar diçka prej saj, vazhdimisht kthehet te pasuria e tij, e shpeshton numërimin, nga dashuria e lakmia për të; apo dëshiron të ndjehet rahat e të gjejë prehje se pasuria e tij është ashtu siç ka qenë. Disa kanë thënë se “addede” d.m.th.: e ruan pasurinë, e grumbullon, e deponon për ditë të vështira, kur goditet nga skamja. Shejkh Uthejmin rahimehullah thotë: “Edhe pse kjo fjalë përmban këtë kuptim, është shumë larg së vërtetës. Kjo ngase grumbullimi e ruajtja e pasurisë për ditë të rënda ndërkohë që nxjerr prej saj atë që është obligim (zekatin e ndihmën ndaj atyre që kanë të drejta ndaj tij), atëherë lejohet… Qëllimi i ajetit është të tregojë se është i nënçmuar ai person i cili shqetësim e brengë kryesore e ka pasurinë saqë vazhdimisht kthehet tek ajo pasuri që e ka grumbulluar dhe e numëron.” Andaj ruajtja e pasurisë për një kohë në të ardhmen kur është në vështirësi, është mendim i dobët.

يَحْسَبُ أَنَّ مَالَهُۥٓ أَخْلَدَهُۥ  – duke menduar se ajo pasuri do ta bëjë të pavdekshëm” – se nuk do të zhduket e shkatërrohet kurrë. Mendon se do ta bëjë të pavdekshëm me trupin e tij (se nuk do të vdesë kurrë) apo me përmendjen e tij (se nuk do të vdesë kujtimi për të). Jeta reale e njeriut është kur mbetet i pavdekshëm pas vdekjes së tij (përmendet për të mirë me zemër, me mendje e me gjuhë). Allahu përmend në këtë ajet se ajo që mendon nuk është e vërtetë ngase nëse i pasuri nuk njihet në mesin e njerëzve si dhënës e bujar, atëherë mbetet në kujtimin e njerëzve, porse me kujtim të keq, pa lavdërim për të mirë, madje do të merret për shembull për të keq (do të thonë për të “Koprrac si filani…”).

كَلَّا ۖ لَيُنۢبَذَنَّ فِى ٱلْحُطَمَةِ– Jo, aspak! Në të vërtetë, do të hidhet në torturën shkatërruese” – Pjesëza “kel-le” ka dy kuptime: 1. le ta ndalë veten e tij ai që mendon ashtu, mos të lakmojë në pasurinë e vet aq shumë, le ta frenojë veten nga mendimi se pasuria e tij do ta bëjë të pavdekshëm, 2. gjithsesi do të hidhet në hutame. Këto dy kuptime janë të sakta, ngase këtë njeri pasuria e tij as nuk do ta bëjë të pavdekshëm atë e as përkujtimin për të, por do të harrohet, apo dhe më keq do ta kujtojnë për të keq, ngase nuk e ka dhënë atë që e ka pasur obligim nga pasuria e tij.

Këtu në ajet ka betim (të nënkuptueshëm), se do të hidhet fuqishëm në hutame. Kush do të hidhet në të, pronari apo pasuria e tij? Ngase në ajet ka ardhur e papërcaktuar kjo gjë. E sakta është se edhe ai dhe pasuria e tij do të hidhen në hutame.

Hutame – Është prej cilësive të zjarrit të xhehenemit, pra shkatërrim, thyerje dhe copëtim për atë që hidhet në të.

وَمَآ أَدْرَىٰكَ مَا ٱلْحُطَمَةُ – E kush mund të ta shpjegojë ty se çfarë është tortura shkatërruese?” – Kur vjen në formë të pyetjes çështja zmadhohet, (në kuptimin) se nuk është gjë e lehtë hutame-ja.

نَارُ ٱللَّهِ ٱلْمُوقَدَةُ është zjarri i Allahut i ndezur fort“- Allahu ia atribuon zjarrin Vetes së Tij, ngase me zjarr vetëm Ai dënon e ndëshkon. Ai i dënon njerëzit me zjarr për shkak se ata e meritojnë këtë, është drejtësi, është zjarr i drejtësisë e jo i padrejtësisë. Allahu është i drejti absolut.

ٱلَّتِى تَطَّلِعُ عَلَى ٱلْأَفْـِٔدَةِ i cili depërton deri në zemrën e njeriut” – për shkak të nxehtësisë së madhe që ka ky zjarr, edhe pse zemra është e ruajtur brenda në trup.

إِنَّهَا عَلَيْهِم مُّؤْصَدَةٌۭ Ai do t’i rrethojë ata nga çdo anë” – është i mbyllur, dyert e tij janë të mbyllura. Kur të hyjë në të (ata që do të dënohen), dyert e këtij zjarri do të mbyllen e më nuk do të hapen.

فِى عَمَدٍۢ مُّمَدَّدَةٍۭ në shtylla të gjata flakëruese” – saqë askush nuk ka mundësi të bëjë hapje për të dalë që aty.

Duhet të kemi kujdes të mos biem në këto gjëra të këqija që tregohen në këtë sure.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim – Derset e tefsirit.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit