Përkushtimi ndaj të tashmes

Përkushtimi ndaj të tashmes

Prej shkaqeve që sjellin jetë të lumtur është angazhimi me të tashmen, në të cilën është duke jetuar, angazhimi me të gjitha forcat me atë që është prezentë dhe mosshpërndarja e mendjes dhe e angazhimeve për gjërat që kanë kaluar e as për të ardhmen. Ndjenja e dhembshurisë për atë që ka kaluar/ikur sjellë pikëllim, ndërsa shqetësimi e brengosja për të ardhmen sjellë frikë. Andaj, kur njeriu merret me të kaluarën dhe me të ardhmen, do të gjejë para vetes këto dy opcione negative: pikëllimin dhe frikën. Kjo bën që edhe dita në të cilën është duke jetuar t’i mbushet me pikëllim. Pejgameri salAllahu alejhi ue selem ka shpjeguar në një hadith: “Angazhohu në atë që të bën dobi, kërkoji ndihmë Allahut dhe mos u bëj i paaftë. Nëse të godet ndonjë gjë (që nuk është e këndshme për ty), mos thuaj “Sikur të veproja kështu e kështu nuk do të ndodhte kjo!”, sepse fjala “sikur” hap derën e veprimit të shejtanit, por thuaj “KaderAllahu we ma sha feal – Caktim i Allahut, Ai vepron çfarë të dëshirojë!”

   Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i ka kërkuar Allahut mbrojtje kundër pikëllimit dhe shqetësimit. Këto të dyja e dobësojnë njeriun. Kalimi i së tashmes duke u angazhuar me atë që ka ikur, nuk është asgjë tjetër veçse humbje e pikëllim. E kaluara nuk kthehet. Ndërsa, për të ardhmen nuk jemi të sigurt se si do të jetë. Andaj, logjikisht, duhet të merremi me të tashmen, sepse atë e kemi përpara vetes, e shohim, e përjetojmë. Sot njerëzit janë të preokupuar shumë për të ardhmen, ata kanë frikë për të, shqetësohen për të.

Sigurisht se njeriu duhet të veprojë shkaqet, por jo të ketë pikëllim se pse i iku një gjë, pse nuk veproi atë e këtë, ngase kështu nuk bën përmirësim. Se si do të jetë e ardhmja dhe pasja frikë e shqetësim për të, kjo nuk duhet të ndodhë te besimtari. Nëse ndodhë kjo, ai njeriu nuk do të ketë jetë të lumtur. Andaj, dijetarët përmendin se nëse arrin të ruhet nga pikëllimi për të kaluarën dhe shqetësimi për të ardhmen, do të arrijë të mbledhë forcat e tij, do të jetë i përqendruar dhe do të ketë vendosmëri për të marrë vendime, gjë kjo e cila dërgon në një jetë të lumtur, pa zhgënjime e keqardhje për gjërat që i kanë ikur. Njeriu në gjendje pikëllimi nuk arrin t’i peshojë gjërat siç duhet. Vepro shkaqet, angazhohu për gjërat e dobishme, dhe kërkoji ndihmë Allahut. Angazhimi është vetëm shkak dhe nuk duhet mbështetur në të e të thuhet: “Unë veprova dhe rezultati do të vijë gjithsesi!” Ne jemi të obliguar të angazhohemi dhe të mbështetemi në Allahun.

E tashmja shumë shpejt do të mbetet e kaluar. Nëse ne kemi punuar aq sa duhet, me ndihmën e Allahut, për atë që është e dobishme, atëherë kur e tashmja do të mbetet e kaluar, ne nuk do të pikëllohemi.

 

Hoxhë Jeton Bozhlani – Shkaqet e lumturisë – Trankriptim.

Madhësia e tekstit