RAPORTI ME DUNJANË
● Kjo botë është fitne, me të cilën joshet dhe fitnoset njeriu, mirëpo është stoli e përkohshme dhe kënaqësi që ka përfundim. Një ditë Umeri radijAllahu anhu ka hyrë te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe e ka parë duke fjetur në hasër (shtrojë e përbërë nga fijet e kashtës, e cila ka lënë gjurmë në trupin e atij që ka fjetur në të). Kur ka parë gjurmët në trupin e të Dërguarit të Allahut, njeriu i zgjedhur dhe më i dashuri tek Allahu, i ka thënë: “O i Dërguar Allahut, sikur të merrje një shtrat pak më të mirë!” Në tjetër transmetim thuhet se kur e ka parë ashtu ka qarë. Dhe Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ia ka kthyer: “Çfarë kam të bëj unë me dunjanë?! Shembulli im dhe shembulli i dunjasë është si i udhëtarit që është duke udhëtuar mbi devenë e tij në një ditë të nxehtë e të kthjellët dhe gjen një hije nën të cilën ulet të freskohet disa çaste gjatë ditë, pastaj largohet dhe e lë atë.” Kështu është gjendja e njeriut në raport me jetën e kësaj bote, sado që të qëndrojë në të, sado që kënaqet me të mirat e saj, janë momente të shkurta. Udhëtari nuk ndalet përherë nën hijen e pemës, por ndalet pak dhe çohet për të vazhduar udhëtimin e tij. Meqë e tillë qenka dunjaja, atëherë pse të lejojmë që ajo të jetë kulmi i qëllimeve tona?! Ambiciet, dëshirat dhe qëllimet duhet të jenë të drejtuara kah ahireti, Kënaqësia e Allahut dhe fitimi i gradave të larta në ahiret.
Nuk duhet keqkuptuar duke menduar se njeriu nuk duhet të punojë fare në jetën e kësaj bote e të mos angazhohet dhe se duhet të mbetet i varfër. Përkundrazi, muslimanin nuk e dëmton asgjë që të punojë, të lodhet e të fitojë prej pasurisë së kësaj bote, edhe nëse arrin pasuri të madhe (dhe të mos ketë nevojë për të tjerët). Mirëpo, ajo që e dëmton është kur jeta e kësaj bote dhe pasuria e fituar është për të qëllimi parësor, synimi dhe kulmi i qëllimeve të tij, pra pasja në zemër dunjan. Besimtari edhe po pati pasuri të shumtë, nuk duhet ta ketë në zemër, por vetëm në dorë, andaj rrjedhimisht nuk do të mërzitet nëse i ndodh që ta humbasë (sepse nuk e ka pasur atë në zemër) apo nëse i kërkohet ta shpenzojë në rrugën e Allahut (nuk e ka problem ta bëjë këtë). Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është lutur: “O Allah, mos e bëj dunjan shqetësimin apo qëllimin parësor tonin!” Gjithashtu besimtarin nuk dëmtohet nëse ka qëllim punën në mënyrë që të mos i lërë fëmijët nevojtarë dhe të varfër (të shtrijnë dorën). Dunjaja nuk duhet të jetë ajo tek e cila var shpresat, ngase njeriu nuk është krijuar për të mbledhur sa më shumë prej pasurisë, as të garojë me të tjerët për arritjen e të mirave të saj. Kush mbështetet në jetën e kësaj bote është i mashtruar. Ai që lakmon në bukuritë e kësaj bote është fitnosur. Kush jepet pas kësaj dunjaje, pason epshet, dëshirat e pasionet e tij dhe është neglizhent në kryerjen e urdhrave të Allahut e në largimin prej ndalesave të Tij, ai kërkon arritjen e madhështisë në këtë botë, pra respektin prej njerëzve dhe pozitë dhe shpreson arritjen e prehjes në jetën e kësaj bote.
Duhet ditur se ajo të cilën na ka dhënë Allahu në jetën e kësaj bote, si: pasuria, fëmijët etj., janë kënaqësi të kësaj jete dhe njëkohësisht sprovë e provim se a po jemi mirënjohës dhe shpenzues të pasurisë aty ku Allahu është i kënaqur apo po e harrojmë mirënjohjen ndaj Tij dhe po mbështetemi në ato mirësi të dhëna, “Pasuria dhe djemtë janë stoli e jetës së kësaj bote. Por veprat e mira që mbeten përherë, janë më të mira te Zoti yt sa i përket shpërblimit dhe janë më të mira sa i përket shpresës (për shpëtim).” Kehf 46.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim – Derset “Poezi për zuhdin”.