E tërë kjo botë do të kalojë

  • Këshillë e mrekullueshme nga imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë)

“E tërë kjo botë do të kalojë. Çdo gjë në të është për të marrë mësim. E shohim Diellin se si lindë në fillim të ditës, pastaj perëndon dhe largohet në fund të saj. Kështu është edhe çështja e ekzistencës së njeriut në këtë botë; pra, ai lindë, pastaj largohet. Kështu është edhe me hënën. Në fillim të muajit ajo shfaqet e re dhe e hollë, pastaj vazhdimisht mbushet e rritet. E kur të plotësohet, ajo përditë hahet, derisa të bëhet si rremi i përkulur i hurmës. Gjithashtu, kur njeriu shikon në muajt e vitit, ai e sheh muajin e radhës si diçka të largët. Për shembull thotë: “Ne tani jemi në muajin e dymbëdhjetë, dhe deri te Ramazani kanë mbetur edhe tetë muaj! Sa larg që është (Ramazani)!” Mirëpo, ai i kalon këta muaj aq shpejt, sikur të ishin një çast i ditës! Kështu është çështja edhe me jetën e njeriut. Ai e sheh vdekjen si diçka të largët dhe mbanë shpresa të mëdha. Mirëpo, befas, litari i shpresës i këputet dhe çdo gjë i ikë! Ai e bartë kufomën e dikujt tjetër mbi supe dhe e mbulon atë në varr, pastaj fillon të mendojë: “Kur do të vij unë në këtë ditë? Kur do të arrij në këtë gjendje?” Nuk shkon shumë kohë dhe ai arrin në atë gjendje dhe çështja e tij bëhet sikur të kishte jetuar vetëm një mbrëmje apo një mëngjes! E them këtë për ta nxitur veten dhe vëllezërit e mi që të ngutemi për shfrytëzimin e kohës dhe të mos e humbim asnjë çast pa e llogaritur veten se si e kemi kaluar atë. A jemi afruar tek Allahu me ndonjë vepër të mirë? A jemi ende në të njëjtin vend? Cila është gjendja jonë? Pra, ne duhet të kujdesemi për gjërat, para se të jetë tepër vonë! Sa afër me këtë botë është bota tjetër! Ebu Bekri (radijAllahu anhu) shpeshherë e përdorte shprehjen e poetit: “Secilin prej nesh mëngjesi e arrin mes familjes së vet. Mirëpo, vdekjen e ka më afër se rripin e sandaleve!” E lus Allahun të na japë përfundim të mirë, që punët tona të ardhshme t’i bëjë më të mira sesa ato të kaluarat dhe të na ndihmojë në përmendjen, falënderimin dhe adhurimin ndaj Tij, ashtu siç është më së miri!” (“Lika’ul-Bab El-Meftuh”, 2/179).

 

Përktheu: Petrit Perçuku.

Madhësia e tekstit