Ngjarje të Pejgamberëve nga të cilat nxirren mësime për pritjen e Ramazanit
- Ngjarja e Ibrahimit me djalin e tij Ismailin, alejhimusselam.
Ibrahimi alejhi ue selem ka pasur pozitë të lartë tek Allahu. Ai ka arritur pozitën e dashurisë e cila quhet Khule, pra ka qenë i dashur i Allahut (khalil), e ka arritur shkallën më të lartë të dashurisë. Allahu e ka dashur atë dhe ai e ka dashur Allahun. Allahu siç tregon në Kuran e ka sprovuar Ibrahimin me një sprovë shumë të madhe dhe të qartë. E qartë ngase është qartësuar dashuria që ka pasur Ibrahimi ndaj Allahut, është shfaqur dashuria e plotë e tij ndaj Allahut. Ibrahimi alejhi ue selem e ka dashur shumë Ismailin. Por, thamë se Ibrahimi është i dashur i të Gjithmëshirshmit, në nivelin më të lartë të dashurisë. Andaj, Allahu ka dashur ta sprovojë Ibrahimin me një sprovë që e pastron këtë dashuri, pra që ajo të jetë e pastër vetëm për Allahu. Kështu që e ka urdhëruar ta bëjë kurban (ta therë) Ismailin. Dhe kur e ka zbatuar këtë urdhër, duke i dhënë përparësi dashurisë ndaj Allahut mbi dashurinë ndaj të birit, apo dëshirës së tij, dhe ka qenë i vendosur për ta therë, atëherë Allahu i ka treguar se e ka kaluar këtë provim. Andaj, kur Ibrahimi alejhi ue selem i ka dhënë përparësi dashurisë ndaj Allahut mbi dashurinë ndaj të birit, nuk ka pasur më dobi prej asaj therje, ngase veçse e ka kaluar dhe e ka treguar dashurinë ndaj Allahut, “Kjo, me të vërtetë ka qenë një sprovë e qartë! Dhe Ne e zëvendësuam atë (Ismailin) me një kurban të madh” Saffat 106-107. Andaj kush dëshiron të arrijë pozitën e atyre që e duan Allahun, në Ramazan, atëherë duhet ta përgatisë zemrën e tij duke “therë” disa gjëra. Së pari: dëshirat e tij, epshet e tij, tekat e tij, dyshimet e tij, të cilat janë pengesë mes tij dhe dashurisë ndaj Allahut. Së dyti: llojet e dashurisë të cilat në parim janë të lejuara, por që në njëfarë mënyrë e rivalizojnë/konkurrojnë dashurinë ndaj Allahut. Kjo është një ngjarje madhështore e treguar në Kuran dhe një provë shumë e madhe të cilën vetëm Ibrahimi ka pasur mundësi ta kalojë. Dhe ne nga kjo ngjarje nxjerrim mësime e këshilla të shumta. Në realitet, njeriu nuk qortohet për dashurinë natyrore që ka ndaj disa krijesave (si: ndaj prindërve, gruas, fëmijëve, vëllezërve, apo kënaqësive të lejuara të kësaj bote), me kusht që këtë dashuri të mos e vendosë para dashurisë ndaj Allahut apo të Dërguarit të Tij, apo që të mos e konkurrojë dashurinë ndaj Allahut dhe të Dërguarit të tij në zemrën e tij.
- Ngjarja e Musait alejhi ue selem kur i ka zbritur Tevrati
Kur Allahu ka dashur që t’ia zbresë Tevratin Musës, pasi ka shkatërruar dhe fundosur në det armikun e tij dhe të popullit të tij, pra Faraonin dhe ushtrinë e tij, atëherë ia ka caktuar tridhjetë ditë për t’u përgatitur për takimin me Allahun, pastaj ka plotësuar edhe dhjetë ditë (gjithsej dyzetë), para se të takohet me Zotin e tij. Gjatë këtyre ditëve Musa alejhi ue selem ka agjëruar, si adhurim ndaj Allahut, për t’u përgatitur për këtë takim. Dhe pas kësaj, ai ka folur drejtpërdrejtë me Allahun. Andaj, ai që do të përjetojë kënaqësinë e bisedës me Allahun (kur e adhuron, kur e përmend, kur bën namaz, kur lutet), në këtë muaj fisnik, atëherë duhet ta përgatisë zemrën dhe gjuhën e tij që të agjërojnë prej gjërave të cilat e zemërojnë Allahun. Nëse arrijmë ta përgatisim në këtë formë zemrën dhe gjuhën, atëherë mos pyet se sa e madhe është kënaqësia gjatë përmendjes dhe adhurimit ndaj Allahut. Nuk ka kënaqësi më të madhe që e mbulon zemrën e besimtarit sesa pas kësaj gjendjeje. Nuk ka prehje e qetësi të shpirtit më të madhe sesa kjo.
- Ngjarja e çarjes së gjoksit të Muhamedit salAllahu alejhi ue selem
Kjo i ka ndodhur shumë herë, mirëpo dy raste janë më të njohurat:
-Kur ka qenë fëmijë. Ka ardhur Xhibrili dhe ia ka çarë gjoksin dhe ka nxjerrë prej zemrës së Pejgamberit salaAllahu alejhi ue selem një copë gjaku të ngjizur të zezë (një pikë e zezë e gjakut). Pastaj ia ka pastruar në një enë prej ari, të mbushur me ujë zemzemi. Pastaj ia ka qepur gjoksin (transmetohet se gjurmët i kanë mbetur).
-Kur ka qenë në Natën e Israsë dhe Miraxhit. Ka ardhur Xhibrili me një enë, ia ka çarë gjoksin dhe ia ka nxjerrë zemrën dhe ia ka pastruar me ujë të zemzemit, pastaj ka sjell një enë të mbushur me urtësi dhe besim, të cilën e ka zbrazur në zemrën e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. Ibn Haxheri rahimehullah thotë: “Hera e parë ka qenë gjatë fëmijërisë, në mënyrë që të rritet/zhvillohet në gjendjen më të plotë, duke qenë i mbrojtur prej shejtanit. Pastaj, ka ndodhur çarja e gjoksit kur Allahu e ka ngritur në qiell që të flasë me Allahun (të përgatitet për takimin me Atë).” Andaj, ai i cili dëshiron që shpirti i tij të ngritët lartë në këto mbretëri e sundime të Allahut të larta në qiell dhe që të shohë provat e dëshmitë (argumentet) e mëdha të Tij, atëherë duhet të përgatisë zemrën e tij duke e pastruar me ujin e pendimit prej gjynaheve dhe duke e mbushur me kuptimet e besimit dhe mirësitë e dhuntitë e Allahut. Kjo arrihet duke shpejtuar në forcimin e besimit dhe duke kryer veprat që sjellin mirësitë e mëshirën e Allahut. Ibn Tejmije rahimehullah thotë: “Ai që e lut Allahun dhe ai që është në sexhde, (në këto gjendje) e drejton shpirtin e tij tek Allahu i Lartësuar, dhe shpirti ngritët (lartësohet) në atë formë që i përshtatet. Kështu shpirti afrohet tek Allahu (në këto gjendje), mirëpo varësisht sesa është pastruar prej njollave (që e njollosin besimin). Allahu pastaj është afër tij me një afërsi aq sa ky shpirt afrohet tek Ai.” Allahu thotë: “…bëj sexhde dhe afroju Zotit tënd!” Alak 19. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Robi më së afërmi me Allahun është kur është në sexhde.”
Përgatitja për Ramazan:
-Bëhet para Ramazanit. Nëse e bën këtë atëherë do vjelësh frytet dhe rezultatet e Ramazanit dhe do të arrish shpërblimet në këtë muaj. Përgatitja bëhet me këto hapa:
-Pendimi i sinqertë për mëkatet, pendim që plotëson kushtet e tij, pastaj istigfari dhe dhikri.
-Pastrimi i zemrës prej epsheve dhe dyshimeve.
-Përjetimi i vlerës së madhe të agjërimit dhe të Ramazanit.
-Leximi rreth çështjeve të agjërimit.
–Bëhet gjatë muajit të Ramazanit. Kjo arrihet kur njeriu vazhdimisht e ka zemrën prezente dhe aktive dhe trupin aktiv, e pastaj kështu garon e shpejton në shtimin e adhurimeve. Përgatitja bëhet me këto hapa:
-të jetë i përgatitur vazhdimisht, sa herë që sheh lodhje, dembeli e plogështi, atëherë e stimulon zemrën dhe trupin duke shtuar dhikrin, istigfarin, lutjen.
-të angazhohet dhe mundohet në ruajtjen e zemrës prej mendimeve dhe shkaqeve të cilat e preokupojnë dhe e largojnë prej adhurimeve (si: telefonat, interneti, takimet e shumta etj.), në ruajtjen e zemrës dhe shikimit në seriale, filma, fjalime që shtojnë dyshime në besim etj., në ruajtjen e gjymtyrëve ndaj mëkateve, qofshin të fshehta apo publike.
Besimtari nuk duhet t’ia lejojë vetes që gjendja e tij të jetë sikur e shumicës, të cilët në fillim të Ramazanit kanë zemër prezente, trup dhe shpirt aktiv, mirëpo pas disa dite menjëherë kaplohen nga lodhja e plogështia dhe kthehen në gjendjen siç kanë qenë para Ramazanit (fillojnë të veprojnë gjëra që pengojnë nga adhurimet). Por, duhet të jetë e kundërta. Sa më shumë që kalon Ramazani, duhet të shtojë adhurimet, ngase veprat merren në konsideratë sipas përfundimit.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.