يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُتِبَ عَلَيْكُمُ الصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى الَّذِينَ مِن قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ
“O ju që keni besuar, ju është bërë obligim agjërimi ashtu siç u ishte bërë atyre para jush, në mënyrë që të bëheni të devotshëm.” Bekare 183
Selefi e ka pasur traditë që gjashtë muajt para Ramazanit të bënin lutje tek Allahu që t’ua mundësojë ta arrijnë atë, ndërsa gjashtë muajt e tjerë bënin lutje që Allahu t’ua pranojë atë.
- Allahu thotë: “O ju që keni besuar, ju është bërë obligim agjërimi ashtu siç u ishte bërë atyre para jush, në mënyrë që të bëheni të devotshëm.” Bekare 183. Agjërimi është obligim për atë që është musliman. Për t’u pranuar veprat tek Allahu, duhet realizuar tri kushte:1. Të jesh musliman, 2. të kesh sinqeritet në atë vepër, 3. ta kryesh sipas sunetit. Dhe agjërimi është obligim për atë që ka besuar ngase prej tij pranohet. Mirëpo, ata që nuk janë muslimanë edhe pse nuk janë të obliguar me agjërim, do të llogariten për të.
- Allahu i drejtohet besimtarëve me këtë urdhër apo ftesë “ju është obligim agjërimi“, që i bie se prej besimit është agjërimi i Ramazanit. E ai që nuk e agjëron atë (i cili e di se e ka obligim) ka mangësi në besimin e tij. Agjërimi është shtyllë e Islamit.
- “ju është bërë obligim agjërimi” – këtu nuk përmendet se kush e ka bërë obligim, sepse dihet që në fenë tonë vetëm Allahu është Ai i cili obligon dhe ndalon, ndërsa Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është vetëm kumtues, transmetues, i asaj që obligon Allahu. Es sijam – agjërimi në arabisht do të thotë: përmbajtje. Mirëpo në sheriat do të thotë: adhurim ndaj Allahut prej personave të caktuar, duke u larguar prej gjërave të caktuara, prej agimit deri në perëndimin e diellit. Ky adhurim bëhet me nijet, pra me nijetin vetëm për Allahun. Plotësimi i agjërimit bëhet me përmbajtje edhe të gjymtyrëve (syve, veshëve, gjuhës) nga mëkatet.
- “ashtu siç u ishte bërë atyre që ishin para jush” – Allahu ka dashur të tregojë se na është bërë obligim agjërimi siç e kanë pasur obligim edhe ata para nesh, apo ka dashur të tregojë rëndësinë e agjërimit, ngase edhe umetet e tjera kanë qenë të urdhëruar për agjërim (dhe agjërimi është adhurim i dashur tek Allahu), apo ka dashur të lëvizë shpirtin e garimit.
- “në mënyrë që të bëheni të devotshëm” – Allahu cek një prej arsyeve e urtësive që e ka obliguar agjërimin, që është: përmes agjërimit të bëheni më të devotshëm. Fjala “leal-le” thonë dijetarët dhe komentatorët se ka mundësi të ketë dy kuptime: “që të bëheni” apo “me shpresën që të”. Shumica e kanë komentuar “që të bëheni”. Dhe dijetarët kanë cekur dhjetë komentime se çfarë është për qëllim me fjalën “leal-lekum tet-tekuun”:
-që të dobësoheni: dobësim i anës fizike, lëshim i takatit, andaj dobësimi fizik rrjedhimisht bën që të mos mundet të kryejë disa punë që i ka kryer zakonisht, apo që të mos e ketë së paku vullnetin t’i kryejë ato. Andaj, duke qenë agjërueshëm është më dobët, e kur është më dobët epshi është më i dobët, dhe rrjedhimisht mëkatet mund t’i pakësojë.
-që t’i ruheni mëkateve: në agjërim ka pastrim edhe të trupit edhe të shpirtit, prej mëkateve të ndryshme që e atakojnë atë.
-që të shpresoni të arrini gjendjen (derexhen) e devotshmërisë.
-që të bëheni më të devotshëm: kur njeriu ta frenojë veten prej ushqimit, pijes dhe intimitetit (gjëra me të cilat jeta lidhet ngushtë), atëherë e ka shumë më të lehtë të frenohet para gjërave të tjera.
-që të bëheni më të devotshëm duke zbatuar këtë urdhër e ndoshta Allahu iu bën prej të devotshmëve: prej çështjeve kryesore të devotshmërisë është agjërimi, dhe duke e zbatuar atë shpresohet që Allahu ta bëjë njeriun prej shoqërisë së të devotshmëve.
-që të ruheni prej ushqimit, pijes e intimitetit prej agimit deri në perëndimin e diellit (mendimi më i dobët).
-që të përjetoni fizikisht largimin nga këto gjëra: ka njerëz në botë që nuk i posedojnë këtë komoditet. Dhe duke përjetuar urinë apo etjen gjatë agjërimit, bëhet më i mirë, më bujar, më ndihmues, më i mëshirshëm, më solidar.
-që të mundohet të ushtrojë ndjenjën se është nën mbikëqyrjen e Allahut. Të adhurosh Allahun sikur je duke e parë edhe pse nuk e sheh, por Ai na sheh neve, ky është nivel shumë i lartë. Duke u shoqëruar nga kjo ndjenjë, njerëzit ndryshojnë shumë në Ramazan.
-që të bëheni më të devotshëm, me agjërim, me namaz nate, me lexim të Kuranit, me dhënie të lëmoshës (zekatit), me ftesa nëpër iftare, me vizita ndërmjet vete etj.
Si ndikon direkt agjërimi në devotshmëri?
Agjërimi është abstenim për persona të caktuar prej gjërave të caktuara, prej agimit deri në perëndimin e diellit, me nijetin e adhurimit ndaj Allahut. Mirëpo, jo vetëm kaq, por edhe largim prej gënjeshtrës, fjalës së keqe, veprës së keqe, prej mëkateve etj. Ky është shpirti i agjërimit. Xhabiri radijAllahu anhu ka thënë: “Kur të agjërosh, le të agjërojë syri yt, veshi yt, gjymtyrët e tua dhe mos ta shqetësosh komshiun, mos të jetë dita e agjërimit si një ditë e zakonshme jashtë agjërimit.” Ky agjërim shpresohet të japë efekt, që të të bëjë njeri më të devotshëm, më të mirë. Pra, agjërimin tënd, që është privim prej ushqimit, pijes dhe marrëdhënieve intime, e shoqëron me ruajtjen e tij prej çdo mëkati me sy, apo me vesh, apo me gjuhë, apo me gjymtyrë të tjera.
Ndërsa, sa i përket devotshmërisë, të gjithë njerëzit janë të urdhëruar për të. Devotshmëri është bërja e veprave të mira duke e ditur se janë të tilla dhe duke shpresuar shpërblimin që Allahu ka përgatitur për to dhe largimi prej mëkateve duke e ditur se janë të tilla dhe duke pasur frikë dënimin e Allahut. Agjërimi i plotë (siç përmendëm) realizon një pjesë të devotshmërisë, qoftë në zbatim të urdhrave, qoftë në largim prej mëkateve. Nëse personi është në gjendje të largohet për Allahun prej ushqimit, pijes dhe marrëdhënieve intime, që në parim janë të lejuara, kjo për tridhjetë ditë, a nuk e mëson kjo që të largohet prej ndalesave, që në parim janë të ndaluara përgjithmonë?! Nëse është në gjendje t’i lërë disa çështje për Allahun duke e ditur se po e sheh vetëm Ai, e jo sytë e njerëzve (ka mundësinë të hajë e të pijë pa e parë njerëzit, por nuk e bën këtë), a nuk duhet ta ushtrojë kjo gjë ndjenjën tek ai se është nën mbikëqyrjen e Allahut, në zbatim të urdhrave dhe në largim nga ndalesat?!
Shtuar kësaj, agjërimi i mirë, ashtu siç duhet, është ai që shoqërohet nga veprat e mira, të ndryshme (si: namaz nate, lexim i Kuranit, lëmoshë, lutje, apo dhe umre etj.), dhe kjo shton devotshmërinë te personi dhe e bëjnë më të mirë.
Njeriu pas gjithë kësaj që thamë, duhet të përcjellë gjendjen e vet në Ramazan, çdo ditë, duke parë se agjërimi që bën a po ndikon në jetën e tij, a po e përmirëson a jo, a po e ruan agjërimin apo po e dëmton me mëkate, a po bëhet jeta e tij më e mirë me agjërimin e tij apo është e njëjtë. Nëse agjërimi nuk ndikon që të bëhet më i mirë, atëherë nuk dihet se a është duke kryer një ibadet (adhurim) apo një adet (zakon).
Dr. Gazmend Mehmeti – Transkriptim.